Dialogu në favor të Serbisë

0
813

Prishtinë, 11 mars –  Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës, i cili ka mbushur një vit prej se ka filluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, është zhvilluar për të ndihmuar Serbinë dhe në këtë rast ka dëmtuar Kosovën, vlerëson Aleksander Borg Olivier.

Ky i fundit, i cili vepron në Kosovë që nga tetori i vitit 2000, në një intervistë për gazetën “Zëri”, sqaron se ka qenë pjesë e shumicës së proceseve në Kosovën e pasluftës dhe gjërat sipas tij, nuk ishin menduar se do të jenë ashtu siç janë sot.

Sipas gazetës, njëri nga përpiluesit e kornizës kushtetuese të Kosovës, si pjesë e stafit të UNMIK-ut dhe më pas këshilltar te kryeministri Hashim Thaçi, thotë se dialogu në Bruksel është kryekëput politik dhe jo siç ka pretenduar Prishtina zyrtare se po ulet me Serbinë në bisedime për të zhvilluar dialog teknik.

Borg Olivier e cilëson Serbinë në avantazh karshi Kosovës. Ai thotë se pala kosovare është ajo e cila qysh në fillim ka pranuar presionin nga të huajt dhe ka pranuar gjëra të cilat nuk është dashur të pranohen.

“Unë mendoj se dialogu i është imponuar Kosovës, dhe gjithmonë kam menduar se nëse do të ketë dialog, ai dialog nuk duhet të jetë politik dhe për çështje politike. Dhe nga pozicioni i Kosovës është dashur të ketë qëndrim të qartë se nuk do të hyjmë në dialog pol i t ik dhe kur të ulemi në tavolinë, do të ulemi të barabartë.

Mendoj se Kosova nuk ka qenë shumë e gatshme që të hyjë në dialog, por ka pasur presione”, vlerëson Borg Oliver, i cili në Prishtinë, tashmë ushtron pozitën e avokatit të licencuar në Odën e Avokatëve të Kosovës.

“Mendoj se Kosova nuk është dashur të mbetet kaq prapa kur dihet se shtetet tjera, siç janë: Shqipëria, Bosnja etj, kanë përfituar. Unë mendoj se BE-ja ka përgjegjësi në Kosovë, ndërsa tani është duke bërë gabim pasi që rinia nuk guxon të lihet e frustruar dhe e zhgënjyer përgjithmonë”, tha ai.

Edhe pse sipas tij ka pasur presione për dialog, ai thotë se ka pasur opsione në këtë çështje.

“…Por, ka pasur opsione edhe në këtë çështje. Ndonjëherë një lider politik duhet të thotë jo, edhe nëse ajo jo, do të nënkuptonte që ai nuk do të jetë më në pushtet”, vlerësoi Borg Oliver.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu