Dialogu, thesar për Serbinë

0
595

(E plotësuar)Brenda tre vjetësh bisedime Kosovë-Serbi, Beogradi nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim (MSA), u bë pjesë e programeve të ndryshme të BE-së, prej nga përfitoi miliona, mori statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkim Evropian – BE dhe në fund arriti të marrë datën e shumëkërkuar për nisjen e dialogut për anëtarësim.

Serbia i përfitoi këto në emër të pjesëmarrjes saj në dialog me Kosovën në Bruksel, edhe pse si nënshkruese e dhjetëra marrëveshjeve ajo deri më tani nuk ka përmbushur gati asnjërën prej tyre.

Por përpjekjet e BE-së që Serbinë të marrë në Evropë, shihen nga nisja e dialogut (mars 2011), kur vetëm gjashtë muaj më pas, në tetor 2011, Komisioni Evropian sugjeroi Këshillin e Evropës që Serbisë t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE.

Numërojnë përfitimet

Të vetëdijshëm që Beogradi po ecën drejt BE-së, shkaku i marrëveshjeve me Prishtinën, analistë e zyrtarë nga Serbia e pranojnë publikisht një gjë të tillë.

Jelena Miliq, drejtoreshë e qendrës për studime evropiane në Serbi, thotë për “Zëri”, se marrëveshja e Brukselit, definitivisht ka qenë ngjarja më e madhe për vitin 2013. “Marrëveshja e Brukselit, për mendimin tim ka qenë definitivisht ndodhia që ka shënuar vitin e kaluar për të mirë”, thotë Miliq.

Ndërkaq me mendimin e saj, pajtohet edhe Dragan Miletiq, nga shoqëria civile në Beograd. “Me shënimin e marrëveshjes së 19 prillit, Serbia i ka hapur dyert vetit për të ecur përpara drejt BE-së. BE ka qenë shumë e qartë kur ka kërkuar përkushtimin e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovë për t’ia dhënë datën”, tha Miletiq. Sipas tij, është e qartë se normalizimi i marrëdhënieve nuk ka ndodhur ende, por edhe BE-ja ka qenë ajo që ka kërkuar nga Serbia që të paktën të përpiqet, të tregojë vullnet për këtë, të vetëdijshëm që deri te normalizimi i plotë i marrëdhënieve duhet shumë më shumë kohë.

Nuk vonojnë dhe pas një viti, në mars 2012, 27 vendet e Bashkimit Evropian i japin Serbisë statusin e kërkuar.

Ndërsa pas vetëm një viti tjetër, më 28 qershor 2013, Këshilli Evropian miratoi vendimin që Serbia të nisë edhe dialogun për anëtarësim, më së largu në janar 2014.

Në ndërkohë, gjatë këtyre viteve 2011-2014 (derisa po zhvillohej dialogu në Bruksel) Beogradi në emër të zhvillimeve politike, ekonomike e sociale, u bë pjesë e programeve të mëdha evropiane. Në ndërkohë i dha fund edhe dialogut për MSA.

MSA hyri në fuqi mes Serbisë e BE-së, më 1 shtator 2013. Pas së cilës, Serbisë më nuk i është dashur që të aplikojë marrëveshje të përkohshme me BE-në, për çështje të tregtisë, pasi që tashmë ka zyrtarizuar marrëdhënie të afërta për tregti të lirë me Evropën (për çka edhe është qëllimi i MSA-së).

Duke e parë lëvizjen e Serbisë kah Evropa, bëri që edhe opozita e shoqëria civile, përfshirë edhe mediat serbe të përkrahin dialogun me Kosovën.

Gazeta serbe ‘Kurir’, në një përmbledhje të ngjarjeve më të rëndësishme të Serbisë për vitin e kaluar 2013, shkruan: “Skena politike serbe, gjatë vitit 2013 u përfshi në grindje e skandale të mëdha politike, por asgjë nuk ka ndikuar më shumë për të ardhmen e saj në aspektin pozitiv sesa nënshkrimi i marrëveshjes historike mes Beogradit e Prishtinës më 19 prill 2013”.

Insistimi i BE-së për Serbinë

Më 19 prill 2013, dy kryeministrat, ai i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai serb, Ivica Daçiq,  nënshkruan Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Dy Vendeve.

Pas vetëm 3 ditësh, më 22 prill, Komisioni Evropian rekomandon Këshillin e Evropës që të japë datën për nisjen e dialogut me Qeverinë e Serbisë për anëtarësimin e saj në BE.

Insistimi i evropianëve nuk ndalet me kaq, mbas dy muajsh, më 21 qershor 2013, ndërmjetësuesja e dialogut, Catherine Ashton, së bashku me komisionarin për Zgjerim, Stefan Fule, rekomandojnë përsëri Këshillin Evropian që të nisin dialogun me Serbinë për anëtarësim në BE.

Pas shumë insistimesh ardhur nga BE-ja, që nisën qysh në fillim të dialogut (mars 2011), kohën kur e quanin “dialog teknik”, Këshilli Evropian, më 28 qershor 2013, merr vendimin që të nisë dialogun me Serbinë për anëtarësim në BE, dhe cakton që konferenca e parë ndërshtetërore të mbahet më së largu në janar 2014. Kjo edhe ndodhi, më 21 janar 2014, në Bruksel u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare Bashkimi Evropian – Serbia, me të cilën filluan negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Serbia e luajti lojën

Nga ana tjetër në sytë e Kosovës, sa herë që është shpërblyer Serbia nga ana e BE-së, shoqëria civile, opozita e disa herë edhe zyrtarë të Qeverisë kanë akuzuar Brukselin që po privilegjon Serbinë, ndërsa po anashkalon Kosovën. (Prishtina është shpërblyer për gjatë gjithë kësaj kohe vetëm me nisjen e negociatave për MSA, ndërsa nuk dihet se kur do të ndodh edhe nënshkrimi).

E këtë qasje dhe këto akuza, analisti Adrian Arifaj, thotë se i bëjnë vetëm shkurtpamësit.

Sipas tij, Brukseli ka tjera politika, ajo nuk e privilegjon njërin për të dënuar tjetrin, por çështja këtu është se Serbia ndryshe nga Kosova ka ditur të luajë lojën, të shohë se çfarë kërkon Brukseli dhe të veprojë sipas politikave të saj. “Serbia duket se e ka kuptuar më mirë se Kosova se si funksionon Brukseli dhe çfarë kërkon Brukseli. Ajo ka treguar përkushtim dhe ka arritur të bindë Brukselin se është e përkushtuar për të përmbushur kriteret e kërkuara nga BE-ja”, tha Arifaj.

Në anën tjetër, është edhe interesi i BE-së, që të largojë Serbinë kah politikat ruse dhe ta afrojë me ato evropiane. “Serbia ka krijuar probleme të mëdha, dhe Brukseli e do afër vetes, nuk do që Serbia më tutje të jetë burim i kokëçarjeve dhe i prishjes së stabilitetit”, vlerësoi më tutje Arifaj.

Të njëjtën gjë e sheh edhe analisti Behxhet Shala. “Prej fillimit interesi i BE-së ka qenë anëtarësimi i Serbisë në BE dhe largimi nga politikat e saj ruse. Ndërsa dialogu është përdorur si pretekst”, tha Shala.

MSA-në dhe milionat e BE-së

Pos statusit e datës për nisjen e negociatave për BE, Serbia në ndërkohë, më 1 shtator 2013, përfundoi negociatat me BE-në për MSA, dhe hyri në fuqi kjo marrëveshje, që bëri që Serbia të hyjë në marrëdhënie të lira tregtare me BE.

Për rreth katër vitet e fundit ajo u bë përfituese e shumë programeve të BE-së, si: për progres në kulturë, për teknologji, programit për konkurrencë dhe inovacione, programit për mbështetje të politikave zhvillimore, programit për kufij, disa programeve për të rinjtë, përfshirë edhe programin e fundit të quajtur “Erasmus+”, një program ky që zgjat nga 2014-2020, qëllimi i të cilit është që të rinjtë të përfitojnë nga BE, në programe të punësimit, shkollimit e trajnimeve të ndryshme.

Secili prej këtyre programeve të BE-së, kanë buxhete qindra deri në miliarda euro, nga të cilat një pjesë shkon edhe për Serbinë si anëtare e tyre.

 

Nga: Besiana Xharra

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu