Dikush po rren

0
1021

Është paguar si naftë eurodiesel, dhe për të tillë e ka blerë Komuna e Prishtinës. Por, Institutit i Shëndetit Publik thotë se është vaj për djegie dhe jo naftë. Nga ana tjetër, kompania “HIB Petrol” këmbëngul se tash shtatë vjet nuk ka importuar vaj të tillë.

Ndërkaq, Dogana e Kosovës nuk ka asnjë të dhënë se gjatë vitit të kaluar është futur në Kosovë vaj i tillë.

Madje zyrtarët doganorë bëjnë me dije se nuk ka as kod doganor për këtë lloj vaji. Madje ekziston edhe një Udhëzim Administrativ, i cili që nga viti 2007 e ndalon futjen në Kosovë apo përdorimin e këtij vaji për ngrohje.

Çmimi mes vajit të tillë dhe eurodiselit dallon shumë, vaji për djegie është rreth 40 për qind është vaji më i lirë. Nëse merret parasysh sasia që është shitur Komunës së Prishtinës, atëherë del një dallim në çmim prej 1.5 milionë euro.

Dokumentet, deklaratat dhe rezultatet kontroverse të disa institucioneve, hapin disa pista të dyshimeve për manipulim të mundshëm me karburantin që përdoret për ngrohjen e shkollave në Prishtinë.

Shkollat nisën mësimin pasi instituti doli me deklaratë zyrtare se ky nuk është naftë, por vaj, duke mos i alarmuar as normat e larta të sulfurit që u gjetën në mostra.

“HIB Petrol”: Ne nuk importojmë vaj

Sipas kontratës mes “HIB Petrol” dhe Komunës së Prishtinës, brenda vitit në rezervuarët e shkollave ka shkarkuar rreth 1 milion e 289 mijë e 945 litra eurodisel. Këto miliona litra nga kjo kompani u thanë se janë disel me 10 ppm ndryshe nga ajo që Instituti i Shëndetit Publik i Kosovës konstatoi se në rezervuare ka vaj për ngrohje, i cili decidivisht tha se: “Nuk është naftë sipas Nenit 7 të Udhëzimit Administrativ 07/2012, por është vaj për djegie”.

Por, ndryshe thotë kompania “HIB Petrol”. “HIB Petrol konfirmon se në 7 vjetët e fundit nuk ka importuar asnjë litër naftë industriale. Këto të dhëna mund të konfirmohen nga Doganat e Kosovës. Inkurajojmë mediat, si dhe secilën palë tjetër të interesuar, që të bëjë kërkesë në mënyrë të pavarur nga Doganat e Kosovës për të vërtetuar zyrtarisht importet e HIB Petrolit në 7 vjetët e fundit. Po ashtu, këto dokumente mund të merren edhe nga HIB Petrol”, thuhet në njoftimin e kompanisë “HIB Petrol”.

Sipas kësaj kompanie, në kontratën në fuqi, e lidhur më 8 shkurt 2012, ndërmjet “HIB Petrol” dhe Komunës së Prishtinës, malli referohet si “naftë për ngrohje dhe gjeneratorë”, pa asnjë specifikacion tjetër.

“Duke respektuar këtë, ne kemi bërë furnizimin me naftë për ngrohje të tipit eurodiesel 10ppm, e cila nuk është naftë industriale, por është naftë standarde, konform Udhëzimit Administrativ të MTI-së Nr 07/2012”.

Edhe në ueb-faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), shihet se kontrata mes komunës dhe kompanisë “Hib Petrol”, është nënshkruar më 8 shkurt të vitit 2012, me një kohëzgjatje prej 36 muajsh, respektivisht deri në shkurt të vitit 2015. Aty thuhet se vlera e përgjithshme e kontratës është “0.0855 euro premiumi për një litër”. Ndërkaq, sasia e përafërt vjetore e planifikuar të shpenzohet thuhet se është 1 milion e 289 mijë e 945 litra.

Në Dogana nuk figuron importimi i këtij vaji

Askund në të dhëna zyrtare të Doganës që ka siguruar gazeta, nuk figuron se gjatë vitit që lamë pas është importuar vaj i cili përdoret për djegie, ashtu siç deklaron Instituti i Shëndetit Publik. Bazuar në dokumentet e të dhënave zyrtare të Doganave të Kosovës të siguruara të hënën, mësohet se brenda një viti Kosova importon rreth 500 milionë litra derivate, 380 milionë prej tyre naftë, rreth 90 milionë benzinë, 30 milionë litra mazut, si dhe 4 deri në 5 milionë litra vajra hidraulike.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ekziston një Udhëzimin Administrative 07/2012, i cili përmban vetëm dy lloj vajrash për ngrohje, vajrat gazore, për të cilat askush në Kosovë nuk ka licencë. Ndërkohë që ky udhëzim definon importin e dizelit dhe benzinës të cilat përdoren për motorët me djegie të brendshme (automjetet) sipas të njëjtit udhëzim administrativ lejohen të kenë përmbajtje të sulfurit jo më shumë se 10 ppm.

Zyra për informim e këtij dikasteri në përgjigjet që ka dërguar redaksisë thotë se ky lloj vaji të cilin Instituti i Shëndetit Publik thotë se është në vend të naftës nuk specifikohet në këtë udhëzim.

Pra rekomandim i Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës se në rezervuarët e shkollave nuk ka naftë, por vaj për ngrohje bie ndesh me dispozitat ligjore që janë në fuqi dhe të dhënat zyrtare të doganave.

Shpendi kërkon sqarime shtesë nga Instituti

Pasi është vërtetuar se askush në Kosovë nuk ka licencë për importin e këtyre vajrave kryetari i Prishtinës, Shpendi Ahmeti, kërkon sqarime shtesë nga Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Askush në Kosovë nuk ka licencë për importimin e vajrave gazorë, prandaj kjo lëndë nuk guxon të jetë në rezervuarët tanë. Në ekipin tuaj i pamë se janë vetëm 3 mjekë, ndërsa vlerësimet që i keni dhënë për motor djegës janë të fushës së inxhinierisë. Me cilët inxhinierë jeni konsultuar apo si e keni vlerësuar se vaji mund të digjet në sistemet e ngrohjes që janë në shkolla”, shkruan në letrën e Ahmetit.

Ai pyet se cili mjet teknik është përdorur për të vlerësuar kontaminimin e ajrit (lloji, personi/zyrtari që e ka përdorur) dhe a kanë qenë sistemet të lëshuara gjatë testimit që keni bërë, si janë matur se oxhaqet janë në lartësinë e duhur, dhe cili udhëzim apo nen ligjor është përdorur për të konstatuar se oxhaqet janë në nivel për këtë lloj vaji.

Ndërkohë i ka bërë me dije Institutit se ata vetë kanë kërkuar të rregullohen oxhaqet përderisa në konstatim kanë thënë se janë në lartësinë e duhur. “Kush e ka bërë vlerësimin se rezervuarët e naftës duhet të pastrohen sepse dëmtojnë kualitetin e vajit për ngrohje.

Ky vlerësim kërkon edhe vlerësimin profesional nga persona të licencuar për këtë punë. Ju lutem të na dërgoni emrin e personit/zyrtarit dhe licencën për këtë punë”, shkruan Ahmeti.

Ai mes tjerash thotë se “si institucion shëndetësor, ne kemi kërkuar nga ju të vlerësoni se çfarë do të thotë niveli i squfurit prej 700 ppm në naftë për shëndetin e qytetarëve. Sigurisht se ekzistojnë studime të cilat ju i keni që mund të qartësojnë këtë, posaçërisht duke ditur faktin se debatet në Bashkimin Evropian për zvogëlimin e sasisë së squfurit në naftë kanë pasur arsyetime shëndetësore”.

Letra e Shpendit për MTI

Ahmeti po ashtu gjatë ditës letër për sqarime i ka nisur edhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë nga të cilët ka kërkuar që të sqarojnë se në cilën kategori të vajrave sipas Udhëzimit Administrativë bënë pjesë ky lloj vaji.

“Ju keni konstatuar në letrën e juaj se mostra e naftës ne marrë në Shkollën Fillore “Gjergj Fishta” është JOKONFORM me kërkesat e caktuara sipas Nenit 7 të Udhëzimit Administrativ 7/2012 për vetura mirëpo është konfrom si vaj për ngrohje”.

“Që atë ditë, Komuna ju ka lajmëruar se ne nuk kemi blerë vaj për ngrohje, por naftë me squfur 10 ppm, sipas Nenit 7, ashtu siç edhe e ka konfirmuar kompania “HIB Petrol” me të cilën Komuna ka kontratë.

Prandaj, ju lus që të më dërgoni listën e kompanive që nga Ministria juaj janë të licencuara që të shesin produkte sipas neneve 8 dhe 9 të Udhëzimit Administrativ 7/2012, për vaj për ngrohje dhe vajra të rëndë”, shkruan Ahmeti. “A mund të na jepni shpjegimin e Ministrisë se si një kompani e cila nuk është e licencuar për të shitur vajra, dhe faturon produkt si diesel mund të ketë në pronësi naftë me nivele të larta të squfurit?”, përfundon letrën dërguar MTI-së Ahmeti.

 

Nga: Liridon Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu