Dilema: zgjidhje apo zgjedhje?

0
119

Univerisitetet, ministritë, akademitë shkencore, intelektualët e pavarur e kanë radhën që analizat gjeo-politiko-strategjike t’i zëvendësojnë me analiza lokale dhe nacionale, me qëllim që të ofrojnë zgjidhje preventive shëndetësore, ekonomike, arsimore. Mbështetja sistematike (materiale-teknike dhe psikologjike) për familjet, studentët dhe mësimdhënësit do të jetë e nevojshme dhe urgjente.

Shkruan: Prof. Dr. Qufli Osmani

Jemi fill përpara fillimit të vitit të ri shkollor, por pa ndonjë zgjedhje apo zgjidhje konkrete mbi formën e nisjes. Fakt është se jemi fokusuar më shumë në “zgjedhjen” e një modeli të përshtatshëm të hapjes së shkollave dhe më pak në zgjidhjen e problemeve që me vete sjell “zgjedhja”: mësimi online ose mësimi me prezencë fizike.

Filloj nga e para. Pandemia dëshmoi se kemi vetëdije kolektive të ndryshme për sa i përketë mënyrës se si ballafaqohemi me pandeminë, prandaj edhe hapja e shkollave duhet t’i referohet formës së vetëdijes kolektive. Dekadave të fundit jemi duke përvetësuar (lexo: kopjuar) modele të ndryshme të zgjidhjes së problemeve kolektive (ligje, projekte, stile jetese etj) dhe shohim se qasja e këtillë “zgjedhore” sjell nevojën për “zgjedhje të reja” sesa që ofron zgjidhje. Më sa duket, fatin e njëjtë do ta ketë edhe “hapja e shkollave”. Jemi përqendruar në përzgjedhjen e modelit më të përshtatshëm, që po planifikojnë ta zbatojnë vendet e zhvilluara.

Por, a thua vallë jemi në gjendje të zbatojmë modelin e shteteve të zhvilluara? Ndoshta do të jemi në gjendje të planifikojmë kushtet e sigurisë, të hartojmë protokole ose të transformojmë hapësira dhe të drejtojmë lëvizje në shkollë, por për mua mbetet dilemë se si do të arrijmë të trasformojmë mentalitetin e nxënësve, mësimdhënësve ose prindërve. Mos vallë, përgjatë pandemisë arritëm të zhvillojmë dhe të ushqejmë një “vetëdije të ndërgjegjshme kolektive”? Ndoshta deri diku po, por jo në masë të dëshiruar sa për ta pasur lakmi.

Dilema: zgjidhje apo zgjedhje?
Children School Friends Illustration Concept

Nëse unë do vendsja për modelin e mësimit, pa hamendësime do përcaktohesha për mësimin e kombinuar- me pjesëmarrje fizike dhe online, për të gjitha nivelet dhe klasat. Mësimi online dhe mësimi me prezencë fizike kanë përparësitë dhe mangësitë e veta. Prandaj, duhet të zgjedhim mes të “të keqes më të vogël”. Në kët rast mësimi i kombinuar është ajo e keqe më e vogël.

Të jemi të sinqertë, me dekada të tëra zbatojmë modelin “mësim në klasë me prezencë fizike” dhe jo se i kemi maksimizuar dobitë që sjellë prezenca fizike në shkollë. Nga ana tjetër, kemi vetëm një gjysëmvjetor që po aplikojmë modelin “online”. Kohë e mjaftueshme për të parë për së afërmi sistemin, avatazhet dhe disavantazhet e tij.

Gjithsesi se përfitimet nga online mësimi janë reale. Efektet dhe mundësitë janë të shumta. Dorën në zemër, efektet negative që ia atribuojmë “online mësimit” nuk i referohen vetë mësimit, por pamundësisë për t’i integruar të gjithë fëmijët në procesin e plotë të mësimit online. Pra, gishtin duhet drejtuar tek faktorët përcjellës: teknikë, financiar, social dhe psikologjik. Shumë fëmijë kanë mungesë të qasjes në internet, mungesë të pajisjeve teknike në shtëpi (kompjuter/laptop/tablet). Shkalla e aftësimit për përdorimin e teknologjisë është problem në vete. Kushtet familjare (hapësira të disponueshme në shtëpi, numri i anëtarëve, breza të ndryshëm në shtëpi, prind i vetëm, etj) vetëm sa e vështirësojnë “mësimin online”. Si psikolog, vlerësoj se çështjen që duhet diskutuar është dallimi në shkallën e mbështetjes psikologjike dhe emocionale që fëmijët marrin prej prindërve përgjatë “mësimit online”, respektivisht a janë të gjithë prindërit të gatshëm dhe të përgatitur për të zëvendësuar rolin e “mësimdhënësit” .

Nëse përzgjidhet vetëm modeli “online” i mësimit, atëherë efekti nga pabarazia tekniko-psikologjike do të reflektohet drejtë për së drejti mbi nxënësit. Faktorët tekniko-teknologjikë do të lënë në margjina shumë grupe sociale të fëmijëve që nuk kanë kushte për përfshirje aktive në këtë proces kurse faktorët psiko-social do të margjinalizojnë  grupmosha të ndryshme si në aspektin njohës ashtu edhe në atë socio-emocional.
Fëmijët me nevoja të veçanta paraqesin sfidë në vete. Për ta, efekti nga mësimi online është i barabartë me zero. Për këtë kategorie “mësimi me prezencë fizike” është thelbësor, sepse socializimi fizik konsiderohet si parakusht më i rëndësishëm për përparimin dhe zhvillimin e tyre.

Prandaj, vendimi për “hapjen e shkollave” duhet shoqëruar me debat shoqëror dhe në nivel ekspertësh (i cili për fatë të keq mungoi). Është koha për përgjegjësi personale dhe sociale. Situata jo vetëm me arsimin por përgjithësisht me pandemin kërkon një vetëdije gjithpërfshirëse për ekzistencën e grupeve të ndryshme shoqërore në shoqëri. Pandemia është më shumë se problem shëndetësor.

Univerisitetet, ministritë, akademitë shkencore, intelektualët e pavarur e kanë radhën që analizat gjeo-politiko-strategjike t’i zëvendësojnë me analiza lokale dhe nacionale, me qëllim që të ofrojnë zgjidhje preventive shëndetësore, ekonomike, arsimore. Mbështetja sistematike (materiale-teknike dhe psikologjike) për familjet, studentët dhe mësimdhënësit do të jetë e nevojshme dhe urgjente.

E ritheksoj qëndrimin tim personal se nxënësit duhet integruar në sistemin arsimor dhe shoqëror përmes mësimit të kombinuar online në shtëpi dhe prezencës fizike në klasë, pa dalluar nivelin shkollor ose klasat, me orar të shkurtuar.

Prandaj debati mbi zgjedhjen duhet të shoqërohet me debatin për zgjidhje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu