Dilemat dhe mosuniteti i partive shqiptare në Maqedoni

0
805

Në Maqedon partitë politike shqiptare edhe në këto zgjedhje po hyjnë të ndara, me mosmarrëveshje të thella dhe laramani të ofertave politike.

Pse nuk arrihet uniteti ndërshqiptar !?,… Përçarja që po humbet fuqinë shqiptare dhe cila është zgjidhja për të ridefinuar pozicionin shqiptar dhe për të zgjidhur çështjet e hapura,  janë disa nga dilemat dhe pikëpyetjet që po preokupojnë shqiptarët në Maqedoni. Edhe analistët politik japin mendimet e tyre duke kërkuar një unitet, apo alternativën e një opsioni mbi interesat partiake, duke mos u bazuar në numra, por në marrëveshje të definuara konkrete me palën maqedonase.

Analisti dhe publicisti Emin Azemi thekson për INA se mosuniteti politik i shqiptarëve ka prodhuar këtë diskurs agresiv të politikanëve maqedonas.

“Për pasojë, në sipërfaqe po del hapur tendenca maqedonase për ndarje të shtetit, duke i përjashtuar shqiptarët nga institucionet e përbashkëta të vendimmarrjes. Ky qëndrim maqedonas ndaj shqiptarëve është rrjedhojë e politikave të gabuara që kanë udhëhequr partnerët e koalicionit brenda këtyre 12 vjetëve pas 2001-shit, duke mos u dhënë përgjigje adekuate çështjeve të mprehta për të cilat edhe ndodhi konflikti. Tani kanë ngelë dy alternativa: ose shqiptarët të organizohen dhe të bëjnë një koalicion të përbashkët i cili do të përgatiste një platformë që do t’i jepej si ofertë faktorit politik maqedonas, ose t’u rikthehen ideve politike që ishin në qarkullim në prag të 2001-shit”, theksoi Azemi.

Sipas tij, përgjegjësia e forcave politike shqiptare për të koalicionuar me partnerët e ardhshëm maqedonas, nuk është e njëjta si ka qenë deri më tani.

“Kjo përgjegjësi tash e tutje do të duhej të mbështetet në një moral më të fortë njerëzor e kombëtar për të vendosur disa korniza brenda të cilave do të përfshiheshin do interesa më të gjëra, mbipartiake. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të evitohej epërsia agresive e politikave maqedonse kundrejt shqiptarëve, por edhe do të eliminoheshin lidhjet e nëndheshme klienteliste të politikanëve të caktuar shqiptarë me oborrin e lakmive maqedonase”, theksoi Emin Azemi.

Drejtuesi i Institutit “Libertas” dhe analisti, Edmond Ademi thekson se një unitet është mëse i nevojshëm sidomos sipas tij për të rrëzuar siç thotë ‘regjimin e Gruevskit’.

“Uniteti është mëse i nevojshëm në drejtim të rrëzimit të regjimit të Gruevskit, por për fat të keq, si në të kaluarën ashtu edhe sot, partitë shqiptare janë më tepër të interesuara se cila do jetë me shumë në shërbim të Gruevskit, se sa për ta rrëzuar atë nga pushteti. Me tepër janë të interesuara që të jenë pjesë e qeverive, se sa të kushtëzojnë ato. Lufta politike brenda-shqiptare më shumë i ngjan serialeve turke apo latino-amerikane ku dy gra grinden e xhelozojnë njëra tjetrën, duke bërë garë se cila do futet e para në krevatin e Gruevskit apo liderëve të tjerë”, thekson Ademi.

Gazetari Naser Pajaziti thekson se nga fryma dhe sinjalet që dërgojnë partitë politike është i paarritshëm një unitet, sepse po krijohet një atmosferë konfliktuoze dhe tensionuese.

“Mendoj se do të ketë përsëritje të zgjedhjeve të vitit 2011 dhe partitë shqiptare do të masin forcat e tyre duke synuar një ripozicionim më të fuqishëm. Nuk ka unitet kur shohim se partitë shfaqin sinjale dhe mesazhe për mosunitet dhe thellojnë akuzat midis tyre. Kemi ndjekur edhe disa thirrje për unitet, por më duken më shumë folklorizëm dhe diçka që s`bëhet, sepse struktura politike është larg kësaj premise dhe gjithçka mbetet në aspektin e dëshirave. Por megjithatë ka hapësirë për një unitet, atëherë kur do të kemi rezultatin paszgjedhjeve dhe partitë kanë hapësirë për të ridefinuar fuqinë e tyre përballë partive maqedonase për arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje”, thekson Pajaziti.

Sipas tij, së fundi ka edhe një debat që zhvillohet në rrjetet sociale ku njëra apo tjetra parti parashikojnë fitore më bindëse të numrave të deputetëve.

“Sipas praktikave të deritanishme duke u bazuar në numra, kemi pasur një përvojë regresive dhe pa rezultate. Me rëndësi është fuqia dhe marrëveshja politike për koalicionim pas zgjedhjeve. Kjo praktikë numrash deputetësh u provua për 12 vjet me radhë, duke përfshirë edhe parimin e Badenterit, por megjithatë pozicioni i shqiptarëve dhe marrëveshjet e arritura asnjëherë nuk u realizuan, këtu përmendim me theks të veçantë edhe Marrëveshjen e Ohrit, për të cilën tash gjithë pajtohen se nuk është realizuar”, thekson Pajaziti.

Edhe publicisti Fadil Lushi vlerëson nevojën e një unifikimi, që duhet të ndodhë përfundimisht për të ndryshuar situatën dhe pozicionin e shqiptarëve.

“Ideja e unitetit është e shkëlqyer, humane dhe emancipuese, por megjithatë në instancën e fundit nuk mund ti besosh. Dhe që t`i besosh kësaj paraprakisht duhet realizuar. Unë mendoj se kjo është e arritshme, në rast se liderët e partive lënë prapa interesat dhe mëritë personale dhe të fokusohen në çështjet e rëndësishme. Të paktën të merren si model praktikat e skenës politike shqiptare në Kosovë e Shqipëri, ndërsa për nga aspekti negativ të merret shembull Ulqini, kur për shkak të përçarjes shqiptarët humbën këtë komunë në zgjedhje, por që u vetëdijësuan pas zgjedhjeve”, thekson Fadil Lushi. Por, prap se prap unë jam skeptik se mund të ketë një unifikim të partive shqiptare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu