Dita e dëshmorëve homazhe në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së

0
965

Kumanovë, 5 maj – Me homazhe në vendet e rënies dhe në varrezat ku prehen dëshmorët, SHVL UCK shënoi 5 Majin – Ditën e Dëshmorëve të Atdheut. Nderimet filluan nga rajoni i Strugës, Kërçovë, Gostivar, Tetovë, Shkup e deri në Kumanovë e Likovë.

Kreu i kësaj shoqate Fazli Veliu thotë se në këtë ditë shqiptarët në mbarë trojet shqiptare përkujtojnë dëshmorët dhe idealin e tyre. 

“Është dita më e dhimbshme por edhe dita më sublime e qënies shqiptare për t’i nderuar të gjithë ata që nuk jetojnë fizikisht por shpirtërisht janë në zemrat dhe mendjet e kombit dhe që në moshat e tyre kanë dhënë mundin, jetën dhe gjakun e tyre për liri. Kjo datë i bashkon të gjithë  dhe ne i kemi në të gjithë hapësirën të bashkuar sot shqiptarët duke nderuar së bashku me familjet e dëshmorëve, me gjeneratat e reja, ndërsa ajo që është risi sot është se është bashkuar Lëvizja jonë gjithëkombëtare në gjithë hapësirën shqiptare, jo vetëm për t’i nderuar dëshmorët por për t’u kujdesur për familjet e tyre dhe njëkohësisht për të vazhduar idealet e tyre qëllimet e tyre për një komb, një atdhe një flamur”, shprehet kryetari i SHVL-UCK-së, Fazli Veliu.

Sa i përket asaj se çfarë po ndodh me familjarët e dëshmorëve?! Cili është angazhimi i SHVL UCK-së për rregullimin e statusit të tyre? Veliu me përgjigje:  

“Ne kemi dashur që vet t’i nderojmë dhe jo me ata të cilët kanë qenë vrastarë dhe pushtues, kështu që deri në vitin 2004 ne kemi vazhduar t’i mirëmbajmë këto familje me fondin Liria Kombëtare dhe Fondeve Vendlindja thërret, ndërsa nga ajo kohë i mirëmbajmë me disa familje, të cilat janë të angazhuara në mërgim dhe brenda vendit, por jo në mënyrë institucionale. Mënyra institucionale nuk i konvenon palës tjetër, prandaj ajo anë i nderon të vetët ne i nderojmë tonët. Por tani jemi më afër të rregullimit të kësaj gjendje të vështirë të padurueshme, por që ka një forcë të madhe brenda familjeve që ka edhe durimin, përmes institucioneve tona të komunave tona shqiptare”, shprehet kryetari i SHVL-UCK-së, Fazli Veliu.

Ndryshe shënimi i Ditës se Dëshmorëve të Atdheut në Maqedoni përmbyllet me një Akademi Përkujtimore në Teatrin e Tetovës.

Në fshatin Sopot të Kumanovës sot u bënë homazhe në Qendrën Memoriale në shenjë nderimi dhe përkujtimi të 64 martirëve dhe veprimtarëve të vrarë shqiptarë të këtij fshati në nëntor të vitit 1944 nga forcat partizano – çetnike.

Në këto homazhe me rastin e 5 majit – Ditës së Dëshmorëve, morën pjesë ish-pjesëtarë dhe ish-komandantë të UÇK-ve, banorë të fshatit, familjarë të të rënëve, deputetë të zonës, këshilltarë komunal dhe qytetarë të tjerë.  Pranë Qendrën Memoriale u vendosën kurora lulesh, ndërsa në shenjë nderimi u mbajt edhe një minutë heshje në shenjë nderimi të të rënëve.

Kryetari i Këshillit Organizativ dhe nismëtari për ndërtimin e përmendores, Shukri Masurica theksoi se kjo është një ditë e veçantë, ku ne përkujtojmë të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit, që u flijuan për komb e atdhe.

“Kjo është një ditë e veçantë për të gjithë shqiptarët, sepse sot në mënyrë zyrtare po përkujtojmë nga këtu në Sopot dhe po nderojmë të gjithë ata që dhanë gjakun dhe u flijuan për çështjen tonë të shenjtë kombëtare, për të cilën nuk do të hezitojmë asnjëherë dhe do të ndjekim amanetin e tyre”, theksoi Shukri Masurica.

Ai theksoi se kjo Qendër Memoriale qëndron mbi fshat mes dy kufijve për të rikujtuar dhe për të mos humbur gjurmët nga masakra më e madhe ndaj shqiptarëve të asaj kohe në rajonin e Malësisë së Karadakut.

Në masakrën e Sopotit që ndodhi më 3-4 nëntor të vitit 1944 u vranë 64 persona, 15 – të prej të masakruarve i kanë varret nëpër fshat, në vendin ku janë ekzekutuar, ndërsa të tjerët janë varrosur në një varrezë kolektive në fshatin Shushevë.

Masakra ishte kryer për spastrimin etnik të fshatit dhe hakmarrje ndaj Ballit Kombëtarë. Të pushkatuarit që ishin meshkujt nga mosha 11 vjeç deri 95 vjeç ishin vrarë mbi fshatin Sopot, në afërsi të fshatit Shushevë dhe kjo përbënte një masakër tipike sllave.

Sopoti është fshat shqiptar që kufizohet me Serbinë dhe ka rreth 60-të shtëpi me 400 banorë. Fshati ka nisur të rikthejë jetën dhe se për çdo ditë po shtohen shtëpi të reja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu