Ditën Shahen, Naten Bashkpunojn

0
780

 

Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa arritën t’i shtyjnë zgjedhjet presidenciale, kurse tash po mendojnë ta lënë Atifete Jahjagën në Presidencë deri në fund të mandatit. Por, nuk përfundon këtu aleanca mes tyre. Burime të Expressit thonë se lideri i PDK’së dhe ai i LDK’së, përmes shpikjes së bllokadës në Komisionin për Ndryshime Zgjedhore, po tentojnë t’i shtyjnë zgjedhjet nacionale në vitin 2014.

Nëse për arritjen e kompromisit për zgjedhjen e Atifete Jahjagës në postin e Presidentes së Republikës është dashur ndërhyrja e Ambasadorit Christopher Dell, tash është interesi për shtyrjen e zgjedhjeve ai që po i çon drejt një marrëveshjeje të re dy liderët kryesorë të vendit, Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën.

Ata ia kanë dalë t’i shtyjnë zgjedhjet presidenciale, kurse tash – përmes shpikjes së bllokadës në Komisionin për Ndryshime Zgjedhore – po tentojnë t’i shtyjnë edhe zgjedhjet nacionale sa më shumë që të jetë e mundur.

Sipas marrëveshjes së arritur mes Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit në prill të vitit 2011, zgjedhjet presidenciale është dashur të mbahen në pranverën e vitit 2012, e zgjedhjet nacionale diku në vjeshtën e vitit 2013.

Por tash, pa Behgjet Pacollin, Thaçi e Mustafa kanë thurur plane të tjera.

Jahjaga mbetet në Presidencë

Burime të gazetës Express, të afërta me dy partitë kryesore në vend, thonë se pritet që Gjykata Kushtetuese ta konsiderojë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut Amendamentin e Dhjetë, ku parashihet fundi i mandatit të Presidentes aktuale.

Si rrjedhojë e kësaj situate, partitë politike nuk do të arrijnë ta nxjerrin Atifete Jahjagën nga Presidenca përmes procesit të ndryshimeve kushtetuese, ashtu siç parashihej të ndodhte në prill të vitit të kaluar.

Në këtë situatë, janë vetëm dy mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale: e para nëse Atifete Jahjaga vendos vetë ta braktisë Presidencën dhe e dytë nëse partitë bëhen bashkë për ta shkarkuar atë përmes një votimi në Parlament.

Por, asnjëra prej këtyre duket se nuk do të ndodhë.

“As Hashim Thaçit, as Isa Mustafës nuk i konvenon mbajtja e zgjedhjeve presidenciale. Ata janë të bindur se këto zgjedhje nuk do të nxirrnin një President më të mirë seç është Zonja Jahjaga”, ka treguar një zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës.

“Prandaj, ata do të pajtohen ta lënë Zonjën Jahjaga në Presidencë deri në fund të mandatit të saj, në vitin 2016”, ka shtuar burimi i gazetës.

Sipas tij, publikisht të dy liderët do të arsyetohen me faktin se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka pamundësuar mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.

“Situata është mjaft e qartë: në prill të vitit 2011, partitë ishin pajtuar ta zgjedhin Atifete Jahjagën në postin e Presidentes së Republikës. Ata, po ashtu, ishin pajtuar që pas një viti të mbahen zgjedhjet e para presidenciale dhe për këtë qëllim kishin nisur hartimin e ndryshimeve kushtetuese. E, në këto propozim-ndryshime të Kushtetutës thuhet se mandati i Presidentes aktuale pushon kur ndryshimet të miratohen në Parlament. Por, tash kemi sinjale se ky amendament bie ndesh me Kushtetutën”, ka treguar burimi i gazetës.

Javë më parë, një zyrtar i Gjykatës ka treguar se gjyqtarët janë pajtuar që Amendamentin e Dhjetë të propozimeve të Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese, ta kualifikojnë si jo në përputhje me të drejtat dhe liritë e njeriut.

Sipas tij, ky amendament është në kundërshtim me Nenin 45 të Kushtetutës. Në këtë nen, garantohet e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, derisa sipas njërit draft të përgjigjes së Gjykatës, askush nuk mund t’ia marrë dikujt mandatin e fituar në mënyrë ligjore dhe kushtetuese.

“Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet”, thuhet në Nenin 45, pika 1 e Kapitullit II të Kushtetutës së Kosovës, ku flitet për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Zyrtarisht, askush s’e përmend mundësinë që Atifete Jahjaga të mbetet në Presidencë deri në fund të mandatit.

Ismet Beqiri, shef i Grupit parlamentar të LDK’së, përmend vitin e ardhshëm për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, por nuk është aq i sigurt.

“Në dyshim mbeten zgjedhjet për President të vendit, të cilat nëse nuk mund të mbahen këtë vit, e vetmja zgjidhje mund të jetë pranvera e vitit të ardhshëm. Por edhe kjo varet nga ajo nëse Komisioni do të arrijë ta kryejë punën e tij”, është shprehur Beqiri për Express, të hënën.

Ngjashëm shprehet edhe Halit Krasniqi, deputet i PDK’së.

“Kjo varet prej lidershipit, s’mund ta dijë as si deputet, sepse edhe një deputet i ka qëndrimet politike të partisë, e këtë e krijon lideri i saj. Ne s’mund të dalim me qëndrime kundër subjektit tonë”, ka thënë ai, kur është pyetur nëse e di se kur mbahen zgjedhjet presidenciale.

Zgjedhjet, më 2014?

Përderisa për shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa do të arsyetohen me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lojën për shtyrjen e zgjedhjeve nacionale do ta luajnë në Komisionin për Ndryshimet Zgjedhore.

Burime të Expressit, të afërta me drejtuesit e këtij Komisioni, thonë se arritja e kompromisit për çështjet e mbetura pezull nuk është fare e vështirë.

“Bllokada aktuale lidhet me numrin e zonave zgjedhore dhe me përfaqësimin gjinor në Parlament. Asnjëri prej këtyre kompromiseve nuk është vështirë të arrihet, për shkak se të gjitha partitë – përveç Vetëvendosjes – pajtohen që të ketë më shumë se një zonë zgjedhore, derisa përfaqësimi rajonal mund të bëhet përmes mbylljes së listave zgjedhore”, ka treguar burimi i gazetës.

Por pse nuk arrihet kompromisi atëherë?

Një anëtar i Kryesisë së LDK’së ka thënë për Express se Isa Mustafa po përpiqet ta shtyjë deri në fund mandatin e tij si kryetar i Prishtinës.

“Mandati i tij është fundi i vitit 2013. Prandaj, atij i konvenon që t’i hyjë garës nacionale tek në pranverën e vitit 2014”, ka thënë burimi i gazetës.

Shumë më e thjeshtë paraqitet situata në kampin e PDK’së.

Hashim Thaçi, si çdo lider që është në pushtet, përpiqet t’i shtyjë zgjedhjet.

“Deri në fillim të vitit 2014, ekzistojnë gjasa reale që kosovarët të lëvizin lirshëm në Zonën Shëngen. Me këtë aset, është e qartë se Hashim Thaçi do të kishte gjasa reale që ta merrte mandatin e tretë si Kryeministër i Kosovës”, ka treguar një zyrtar i lartë i PDK’së.

Zyrtarisht, si në PDK, ashtu edhe në LDK, nuk e pranojnë se po e zvarrisin qëllimisht reformën elektorale.

“Është fakt që është zvarritur çështja e përcaktimit për zona, por e para e punës, ne duhet të merremi vesh brenda subjektit tonë për këtë çështje, sepse ka ide të ndryshme, për një zonë dhe më shumë, si dhe për numrin e kësaj të fundit, ndërsa me partitë e tjera nuk kemi asnjë konsensus, sepse nuk i dimë qëndrimet e të tjerëve se nuk i dimë, i dimë veç të SLS’së edhe VV’së që janë vetëm për një zonë zgjedhore”, ka thënë deputeti i PDK’së, Halit Krasniqi, i cili është anëtar i Komisionit për Ndryshime Zgjedhore.

“Është konceptim i gabuar i medieve dhe i publikut dhe gjithë atyre që mendojnë se po zvarrisim zgjedhjet, sepse ne qysh në takimin e parë i kemi thanë qëndrimet tona dhe çështja e zgjedhjeve nuk është marrë, ende si qëndrim, sepse nuk e di ndonjë parti që ka strategji për të mbajtur zgjedhjet”, ka shtuar ai.

Ismet Beqiri i LDK’së e pranon se është zvarritur ky proces, por e quan spekulim medial atë se zvarritja po ndodh qëllimisht.

“Është e vërtetë që Komisionit iu ka zgjatur më shumë mandati, por ne jemi të interesuar që sa më shpejt ky komision ta kryejë punën e vet”, ka thënë Beqiri.

“Nuk mund të them tash për tash asgjë, çka do që them është spekulim tani për tani, po ajo çka mund të them tani, është se Rezoluta e Kuvendit është dhe asaj duhet t’i përmbahemi”, ka shtuar ai.

 

Nga Leonora Aliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu