Diveroli – Trebiçka – Ambasada USA

0
681
 Diveroli - Trebiçka - Ambasada USA

Vijon nga dje:

Packouz dhe Diveroli u takuan në sinagogën më të madhe në Miami Beach. Packouz ishte katër vjet më i madh se Diveroli, një djalosh i thatë. Diveroli ishte klouni i klasës, një djalosh mbipeshë me një gojë të madhe, që nuk ia kishte idenë çfarë ishte frika.

Pas shkollës, ata vijonin të dilnin bashkë në plazh me miqtë e tyre, luanin në kitarë, thithnin marihuanë e zhyteshin në pishinat e hoteleve me pesë yje.

Prindërit e Packouz ishin aq të shqetësuar nga përdorimi i drogës sa e dërguar në një shkollë në Izral që trajtonte fëmijët me probleme me drogën.

Duket se ishte një vend shumë i mirë për t’u bërë dru. “Merrja acid nga Deti i Vdekur,” thotë Packouz. “Pata një eksperiencë transhendentale.” Pas kthimit në shtëpi, Packouz kaloi dy semestre në Universitetin e Floridas.

Për mungesë parash, ai studoi masazh, që dukej në rrugë më e mirë për të bërë para. Netëve, ai ulej me miqtë e shkollës duke u bërë dru e duke ëndërruar se si do bëhej një yll i muzikës pop.
Kurse Efraim Diveroli në kontrast e dinte shumë mirë se çfarë donte të bëhej: një trafikant armësh. Ishte në biznesin e familjes.

Babai e xhaxhai i tij kishin shitur pajisje ushtarake për policinë. Pasi u përjashtua nga shkolla kur ishte në klasë të nëntë, ai u dërgua në Los Anxhelos për të punuar për dajën e tij. Menjëherë ia mori dorën punës së armëve. Kur ishte 16 vjeç ai udhëtonte në mbarë vendin duke shitur armë. I dashuronte ato – i shiste, qëllonte me to dhe fliste pa fund për to- mbi të gjitha vdiste për intrigat e industrisë së armëve dhe amoralitetin e ashpër të saj.

Kur ishte 18 vjeç, pas një sherri me dajën e tij për para, Diveroli u kthye në Miami, duke marrë përsipër kompaninë e të atit: AEY. Plani i biznesit që kishte ai ishte i thjeshtë, por brilant.

Shumë kompani rriten duke shitur tek sa më shumë klientë. Por Diveroli e kuptoi se ai do kishte sukses duke pasur vetëm një klient: ushtrinë amerikane. Asnjë agjenci qeveritare nuk shet dhe blen më shumë gjëra se Departamenti i Mbrojtjes: gjithçka, që nga avionët e deri tek letrat. Sipas ligjit, çdo blerje në Pentagon duhet të jetë e hapur për ofertat publike.

Dhe nën administratën e Bushit, bizneset e vogla si AEY kishin të garantuar një pjesë në marrëveshjet e armëve. Gjithçka duhej të bënte ishte që të fitonte një thërrmijë nga miliardat që jep Pentagoni për armë çdo vite dhe ai do ishte milioner.

Por Diveroli kërkonte më shumë se kaq: ambicia e tij ishte që të bëhej tregtari më i madh i armëve në botë- një Adnan Khashoggi i ri, një Viktor Bout adoleshent. Për të hyrë në lojë Diveroli e dinte që duhej të merrej me kriminelë lufte, trafikantë, mercenarë, diplomatë të shitur e me njerëz që kanë armët gati për gjithçka. Tregu gjigant ishte hapur pas Luftës së Ftohtë.

Për dekada të tëra, armët ishin grumbulluar në Ballkan dhe në Europën Lindore për tu përgatitur ndaj kërcënimit që vinte nga Perëndimi, por tani tregtarët e armëve po shisnin gjithçka për ofertuesin më të lartë. Pentagoni kishte nevojë për akses në këto tregje të reja për të armatosur policinë e ushtrinë në Irak e Afganistan. Por problemi është se nuk mund të hynte në këtë botën të nëndheshme vetë. Duheshin disa masha për të bërë këtë punë të pisët- kompani si AEY. Rezultati ishte një erë e re paligjshmërie.

Sipas një raporti të Amnesty International “Dhjetëra miliona fishekë nga Ballkani dërgoheshin në mënyrë klandestine në Irak nga një rrjet sekserësh privatë nën mbikëqyrjen e Departamentit të Mbrojtjes”. Ky ishte ai tregu gri kur Diveroli kërkonte të penetronte.

Ndërsa ishte akoma adoleshent, ai mori me qera një dhomë në një shtëpi në pronësi të një familje hispanike në Miami dhe nisi punën me një laptop. Konkurrentët e tij ishin emra të mëdhenj si Lockheed dhe BAE Systems. Ata kanë departamente të tëra që punojnë për të shitur armë tek Pentagoni, por Diveroli kishte avantazhet e tij: ofertat e ulëta, oreksin për rrezik dhe ambicien e fortë.

Që në fillim ai u specializua për kontrata të vogla si helmeta e municion për forcat speciale. Ishin kontrata të vogla, por i duheshin atij për të krijuar një performancë- shumë e nevojshme për Pentagonin në rast se do jepte një kontratë më të madhe.

Diveroli mori financime nga një mormon me emrin Ralf Merrill, një prodhues armësh nga Utah, që kishte punuar për babain e tij. Pa kaluar shumë kohë, Diveroli po fitonte kontrata me Pentagonin.

Ashtu si të gjithë djemtë e tjerë që thithnin bashkë hashash, edhe Packouz e dinte që Diveroli ishte bërë tregtar armësh.

Diveroli vdiste që të tregonte se sa shumë para po bënte dhe thashethemet u përhapën shumë shpejt për kontratat e majme që po fitonte. Një mbrëmje, Diveroli e mori Packouz në Mercedesin e tij dhe të dy i nisën për një festë të shfrenuar. Diveroli ishte i lumtur me kontratën që sapo kishte lidhur prej 15 milion dollarësh për të shitur armë të vjetra ruse për Pentagonin, që do dërgoheshin për ushtrinë irakiane. Ai e mbushi Packouzin me përralla për mënyrën se si e kishte fituar kontratën, sa para kishte bërë dhe sa shumë do të bënte.

“Plako, kam aq shumë punë sa kam nevojë për një partner,” tha Diveroli. “Është një biznes i madh, por kam nevojë për një djalë që të vijë bashkë me mua dhe të bëjmë para bashkë.”

Packouz u intrigua. Vetë po merrej me disa biznese online. Merrte materiale tekstile nga Pakistani dhe i shiste për infermieret në Miami. Shuma që bënte ishte e vogël- një ose dy mijë dollarë- por eksperienca i kishte hapur oreksin.
“Sa pare ke bërë plako,” e pyeti Packouz.

“Tmerrësisht shumë,” i tha Diveroli.

“Sa?”

“Ky është një informacion konfidencial,” tha Diveroli.

“Plako, nëse do largoheshe nga vendi nesër, sa do mund të merrje me vete?”
“Cash?”

“Të thata”

Diveroli hapi krahun dhe u kthye me shikim nga Packouz. “Plako, do të të tregoj,” tha ai. “Por vetëm për të të inspiruar”. Bëri një pauzë dhe më pas tha: “Kam 1.8 milionë dollarë në cash”.

Packouz shikonte si i shastisur. Ai priste që Diveroli të thoshte nja 100 mijë dollarë, ndoshta më shumë. Por rreth 2 milionë dollarë?

“Plako,” vetëm kaq mundi të thoshte Packouz.

Packouz nisi që të punojë me Diverolin në nëntor të vitit 2005. Titulli i tij ishte financier ekzekutiv. Ai do të paguhej tërësisht në bazë të komisioneve. Ata punonin në një apartament 1 plus 1, marrë me qera nga Diveroli në Miami Beach. Uleshin përballë njëri- tjetrit në tavolinë në dhomën e ndenjies, ndërsa ishin të rrethuar nga kontrata federale dhe një mal me hashash. Shumë shpejt ranë në një rutinë: zgjoheshin, visheshin, vinin në punë dhe nisin tregtinë.

Packouz po merrte mësime të rralla. Ai shihte se si Diveroli fitoi një kontratë të majme për të furnizuar më armë ushtrinë kolumbiane, por nuk ishte i kënaqur- ai kërkonte gjithmonë e më shumë. Në një rast ai bindi Pentagonin që të dërgonte helmeta të një cilësie të dobët kineze për ushtrinë irakene. Mbi të gjitha, ai nuk është se po blinte armë dhe helmeta për ushtarët amerikanë. Ata që do i merrnin ato ishin të huaj e askush nuk kishte ndërmend t’i binte pas kësaj pune.

Blerësit e Pentagonit ishin ushtarake më pak ose aspak dije nga fusha e biznesit dhe Diveroli dinte shumë mirë si të fitonte mbi ta me një përzierje të sharmit, patriotizmit e madje edhe të një kulture ushtarake. Në raste të veçanta hiqej edhe si kolonel apo gjeneral.

“Kur përpiqej të fitonte një kontratë, ishte totalisht bindës. Por nëse po e humbiste kontratën, zëri niste e i dridhej. Thoshte se po shkatërronin një biznes të vogël, edhe pse kishte miliona në bankë.

Thoshte se nëse marrëveshja dështonte, ai do të falimentonte. Do humbiste shtëpinë. Gruaja e fëmijët do mbeteshin pa bukë. Gati sa nuk ia niste të qante. Nuk e di nëse ishte psikike apo aktrim, por ai absolutisht e besonte atë që thoshte.”
Mbi të gjitha Diveroli kujdesej për frazën fundore.

“Efraimi ishte republikan për shkak se ata kishin nisur më shumë luftëra,” thotë Packouz. “Kur Shtetet e Bashkuara pushtuan Irakun, ai ishte i lumtur. Më tha: “A mendoj se Bush po bën gjënë e duhur duke pushtuar Irakun? Jo. Por jam jashtëzakonisht i lumtur”. Ai shpresonte që të pushtoheshin sa më shumë vende për shkak se do bënte biznes të mirë.”

Atë pranverë, kur protestat masive shpërthyen në Nepal, Diveroli në mënyrë të shfrenuar nisi që të mblidhe armë për t’ia shitur mbretit të Nepalit për të mposhtur rebelimin- armë të rënda, helikopterë, municione. “Efraimi e quajti “Projekti për të shpëtuar Mbretin”, por nuk i plaste fare për mbretin,” thotë Packouz. “Paraja ishte ajo që i interesonte- as sporti dhe as politika. Do bënte gjithçka për para.”

Diveroli ishte bërë mjeshtër i kontratave. Nuk lexonte kurrë një libër a një revistë, nuk shkonte kurrë në kinema, gjithçka bënte ishte se zhytej në dokumenta të qeverisë e shikonte për një rrugë, për një kënd.

“Imazhi që kishte Efraimi për veten ishte ai i një tregtari modern i vdekjes,” thotë Packouz. Ai ishte gati të shkonte dhëmb për dhëmb me ushtarakë, gangsterë të Europës Lindore, drejtues të kompanive më të mëdha në botë. Nuk e çantë kokën fare. Do përplasej me ta e do fitonte. Po e ndiqja në hapat e tij. Më tha se do bëhesha milioner brenda tre vitesh. Ma garantoi një gjë të tillë.”

Fillimisht Packouz nisi të bënte vetë kontratat e para. U fiksua në një kontratë prej 8 milionë dollarësh për të furnizuar me fuoristrada Pakistanin, por humbi. Më pas fitoi një kontratë për të furnizuar me karburant një bazë ushtarake në SHBA.
Njëherë në javë dilnin në klubet e natës.

Në karioke Packouz këndonte muzikë të ndjeshme, kurse Diveroli lëshohej në balada force dhe himne. Mes këngëve ata merrnin ndonjë dozë kokainë. Packouz ishte i turpshëm me vajzat, por Diveroli ishte krejt i drejtpërdrejtë, madje ndonjëherë i gjuante vajzat në sy të të dashurve të tyre.
Në disa raste kontratat nuk shkonin siç duhej siç ndodhi edhe me furnizimin me pistoleta Bereta për ushtrinë irakiane.

Halla e Diverolit u bashkua me ta, duke i ndihmuar në çështje administrative. Ajo nuk e aprovonte përdorimin e drogës nga ana e tyre, dhe në një rast ajo foli hapur në telefon sikur ata të mos ishin aty.

“Mbaji mend fjalët e mia,” i tha ajo mamasë së Diverolit në telefon, “Djali yt do përplaset dhe do të digjet.”

“Qepe,” i tha Diveroli. “Ti nuk e di se çfarë po flet. Unë kam bërë miliona vitin që shkoi.”
“Do përplasesh e do digjesh, mbaji mend fjalët e mia,” i tha sërish halla.
AEY bëri 85 dërgesa municionesh në Afganistan me vlerë më shumë se 66 milionë $ dhe kishte marrë një tjetër porosi për municione me një vlerë prej 100 milion $. Por kjo përfshiu ndërkohë më shumë se një “çift çunakësh të fortë” të cilët bënë një pasuri të madhe në tregtinë e armëve.

“Kontrata AEY mund të shikohet si një rast studimi në atë çfarë është e gabuar me procesin e prokurimit”, – doli një konkludim i mëvonshëm nga një hetim i ndërmarrë nga Komiteti i Kongresit. Egzistonte “një nevojë e diskutueshme për kontratën “, ” një vlerësim i pamjaftueshëm i kualifikimeve të AEY-së” dhe ” një ekzekutim shumë i dobët i mbikëqyrjes” së kontratës.

Në janar, Packouz u dënua me shtatë muaj burg (arrest shtëpie), pasi kishte dhënë llogari para një gjykatësi federal në Miami dhe shprehu keqardhjen e tij për “sikletin, stresin dhe dhimbjet e kokës që kishte shkaktuar”.

Por, keqardhja e tij e vërtetë është politike. Ai beson se së bashku me Diverolin kishin qënë koka e turkut në këtë mesele, dhe sipas tij, u ndoqën penalisht jo sepse kishin thyer rregullat por sepse kishin turpëruar administratën e Bush-it. Askush nga qeveria nuk u akuzua për këtë çështje, edhe pse zyrtarë nga të dy zyrat, në atë të Pentagonit dhe të Departamentit të Shtetit shumë qartë e dinin që AEY po transportonte për në Afganistan municion kinez.

“Ne ishim të kontraktorët e preferuar të ushtrisë kur bëmë marrëveshjen – tamam djemtë që i duheshin reklamës së presidentit Bush për ‘inkurajimin e biznesit të vogël’, thotë Packouz. “Po jetonim ëndrrën amerikane, derisa ajo u shndërrua në një makth të vërtetë”.
Në janar, veshur me një bluzë burgu, me ngjyrë të kuqërreme, Diveroli u paraqit para gjykatses Joana Lenard në pritje të dënimit nga gjykata federale e Miamit.

Gjykata ishte e mbushur me miq dhe të afërm të tij, por, ata nuk është se po i jepnin mbështetjen që ai kishte shpresuar . “Efraimi ynë duhët të shkojë në burg”, – i tha një rabin lokal gjykatësit. Edhe nëna e Diverolit e pohoi këtë gjë. “Unë e di që ti do më urresh pasi të kem thënë këtë”, i tha ajo të birit, “por, duhet të shkosh në burg”. Pas kësaj, Diverolit i rrahën shpatullat dhe ai uli kokën.

Diveroli shprehu pendesë përpara gjyqtares Lenard. Kur rojet e burgut panë dosjen e tij, ata kanë pyetur të habitur, se si një person kaq i ri në moshë kishte arritur të fitonte një kontratë kaq të madhe ushtarake.

“Unë nuk kam asnjë përgjigje për këtë gjë”, i tha Diveroli gjykatës. “Kam patur shumë eksperienca gjatë jetës time. Kam bërë më shumë se sa shumica e njerëzve ëndërrojnë. Por, duhet t’i kisha bërë ndoshta ndryshe. E gjithë fama në industrinë time dhe kohët e bukura – dhe më besoni kam patur shumë – nuk mund ta shpaguajnë dëmin që kam shkaktuar”

Pasi tha këtë, gjyqtarja Lenard e vështroi ngultazi Diverolin për një kohë të gjatë. Pastaj tha: “Në qoftë se kjo historia juaj e paparë nuk do ishte kaq me pasoja, do të qeshja”. Pastaj e dënoi me katër vjet.

Seanca dëgjimore nuk ishte fundi i problemeve të Diverolit. Si një kriminel i dënuar tashmë, atij i ishte ndaluar jo vetëm shitja e armëve por edhe mbajtja e tyre. Por, ndërsa ishte në pritje të gjykimit për mashtrim, Diveroli nuk mundi të qëndronte jashtë biznesit që e donte pa masë.

Ai vendosi që të vepronte si konsulent i një importuesi të licensuar i cili donte të blinte karikatorë fishekësh të bërë në Kore. Marrëveshja, teknikisht ishte e ligjshme – karrikatorët bëjnë të mundur vetëm futjen e fishekëve në armë, prandaj Diveroli praktikisht nuk po shiste armë – por, kjo gjë e futi atë në një tjetër operacion ndjekës federal.

Një agjent i ATF i paraqitur si një tregtar armësh kaloi javë të tëra në përpjekje duke e lajkatuar Diverolin për t’i shitur armë. Diveroli nuk pranoi, por nuk mundi t’i rezistonte idesë së mburrjes për bëmat e tij; sipas regjistrimit të bërë nga agjenti, ai foli për gjuetinë e krokodilëve dhe derrave në Everglades, gjueti e bërë me një pushkë të kalibrit 50mm.

Më në fund, agjenti i ATF-së e joshi Diverolin në një takim, duke i kërkuar që të sillte me vete armë, në mënyrë që ata të shkonin dhe të gjuanin së bashku. Diveroli nuk solli asnjë armë – sepse e dinte që kjo gjë përbënte krim. Por agjenti, i cili kishte marrë me vete një armë ja dha Diverolit që të provonte të gjuante me të.

Ky ishte tundim shumë i madh për të. Me një krekosje prej çunaku, Diveroli pastroi folenë e armës dhe e inspektoi fund e krye. Si gjithmonë, tregtari 24- vjeçar i armëve, ishte ylli i filmit të tij hollivudian. Paçka të gjithave që kanë ndodhur , ai kurrë nuk do e linte biznesin e armëve, i tha ai agjentit, pak para arrestimit të tij. “Pasi bëhesh njëherë kontrabandist armësh – u mburr ai, – gjithmonë do të jesh një i tillë.”

THOMET, ‘LIDHJET E NIVELIT TË LARTË’

Pjesa më e madhe e kontratës afgane, sa i përket sasisë së transportuar, përbëhej nga municioni për AK-47 (Automatikë Kallashnikov). Packouz kishte gjetur çmime shumë të leverdisshme furnitorë hungarezë e çekë, por Diveroli këmbëngulte që duhet të vinin në përdorim “lidhjet e nivelit të lartë” që kishte në Shqipëri trafikanti zviceran Heinrich Thomet. Struktura përmes së cilës AEY blinte municionet shqiptare përmbushte standardet e botës së trafikimit të paligjshëm të armëve, ku gjithë çështja është të fshihet burimi origjinal i mallit, si dhe përdoruesi përfundimtar.

Municionin kompania eksportuese shqiptare MEICO ia shiste një kompanie që e kish ngritur aty për aty sekseri zviceran Thomet, që quhej ‘EVDINLTD’ e që bazën e kishte në Qipro. Më pas, ky i shiste fishekët tek AEY. Kështu edhe Thomet merrte pjesën që i takonte si sekser, po edhe AEY dhe qeveria e SHBA-ve shmangte implikimet që mund të rridhnin prej biznesit me një vend kaq të famshëm për korrupsionin e vet, dhe kaq të paparashikueshëm sa Shqipëria. Kishte vetëm një problem.

Ripaketimi për të zhdukur origjinën kineze. Sepse ishte e ndaluar të shiteshin armë të prodhuar në Kinë, dhe madje kjo ishte specifikisht e shkruar në kontratën afgane: “nuk lejohej furnizimi me municione kineze”.

Diveroli kishte dërguar ndërkohë në Shqipëri, Aleks Podrizkin. Ortaku i tij Packouz i dërgoi një email Podrizkit që ndodhej ende në Shqipëri dhe e instruktoi t’i paketonte fishekët nga e para, me kuti që nuk kishin shkronja kineze. Podrizki gjeti një prodhues kutish kartoni që quhej Kosta Trebicka.

DIVEROLI – TREBICKA – AMBASADA USA

Pasi konstatoi se municioni shqiptar ishte i vjetër kinez, dhe një mall i tillë ndalohej me ligj të shërbente si furnizim për ushtrinë amerikane, i dërguari i Diverolit në Tiranë, u vu në kërkim të një paketuesi dhe hyri në kontakt me Kosta Trebickën. Dy burrat lanë takim në një lokal pranë Sky Toëer në qendër të Tiranës.

Trebicka i tha Podrizkit që mund t’i ofronte kuti kartoni aq të forta sa të mbanin municionet. Një javë më vonë Podrizki e mori në telefon për ta pyetur nëse Trebicka mund të gjente aq punëtorë sa duhen për të paketuar 100 milion kuti me municion, për t’i nxjerrë nga “kutitë prej teneqeje” dhe për t’i mbyllur në kartonat e reja të sapoporositura.

Kjo bëhej që malli të mos dukej që ishte kinez. Trebickës kjo kërkesë iu duk tepër e çuditshme. Pse duhej gjithë kjo punë e kotë? Podrizki i dredhoi pyetjes, duke u përgjigjur se paketimi me kartona ishte i nevojshëm për ta bërë ngarkesën më të lehtë në peshë, e për të kursyer para në transportin ajror.

Pas një pazari të zgjatur ku u përfshi dhe Diveroli që nga Miami, Trebicka ra dakord që të bënte punën për 280000 dollarë dhe mori një skuadër me burra që filluan të ripaketonin fishekët.

Por Trebicka i merakosur se mos po ndodhte ndonjë gjë e çuditshme, mori në telefon ambasadën amerikane dhe u takua me atasheun ekonomik. Ndërkohë që pinin kafe në një bar të quajtur “Chocolate” Trebicka i tha në mirëbesim atasheut që kutitë e municioneve bartnin shenja kineze. Mos vallë qe problem ky? Po zyrtari amerikan i tha që të mos kishte merak, – shkruan në artikullin e tij Guy Laëson

THOMET – M.M. – SHKËLZEN BERISHA

Diveroli i kërkoi Trebickës që të përdorte kontaktet e veta në qeveri për të marrë vesh se sa e blinte municionin në të vërtetë sekseri Thomet. AEY i blinte fishekët nga Thomet për diçka më tepër se katër cent pakon, e pastaj ia shiste Pentagonit për 10 cent.

Mirëpo Diveroli dyshonte që Thomet po përfitonte më shumë se ç’duhej nga ky muhabet. Doli që kishte të drejtë. Ca ditë më vonë Trebicka i raportoi që Thomet zyrtarisht i paguante qeverisë shqiptare vetëm 2 cent për pako – domethënë po merrte nga AEY dyfishin e çmimit, thjesht duke qenë sekser.

Kjo e nxehu Diverolin që i kërkoi Trebickës të vihej në kontakt me lidhjet e tij në Shqipëri e të gjente një mënyrë që ta nxirrte krejt jashtë loje Thomet-në. Trebicka e dha ndihmën e vet me kënaqësi. Ai mendoi se shteti shqiptar do përfitonte më shumë po të vendosej në kontakt drejtpërdrejt me AEY, pa sekserin e çuditshëm Thomet në mes.

Dhe në fund të fundit po të nxirrej jashtë loje Thomet, do kishte më shumë para për të gjithë. Mirëpo kur Trebicka mori takim me ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë Fatmir Mediu, veprimet e tij patën efektin e kundërt: ai që u nxorr nga loja nuk ishte Thomet, por vetë Kosta Trebicka. Pas takimit, pala shqiptare informoi AEY-në që punën e paketimit nuk do ta bënte Trebicka, por do ta bënte një shok i djalit të kryeministrit Shkëlzen Berisha.

Ajo që nuk kishte kuptuar Kosta Trebicka ishte fakti se Thomet paguante ryshfet për shqiptarët një pjesë të fitimit të madh që nxirrte nga ky pazar. Kështu që ishte e pamundur të nxirrje nga loja Thomet-në, sepse pikërisht përmes tij fitonin para nën dorë dhe shqiptarët.

KAFSHËT, JASHTË KONTROLLIT

Diveroli shkoi vetë në Shqipëri dhe u përpoq që të ndërhynte për të mbajtur në punë Trebickën, po nuk pati aq fuqi sa të kthente pas vendimin e marrë. Trebicka kështu duhej të përballonte vetë pagesat për punëtorët, si dhe kostot për gjithë ato paketime që kishte prodhuar për municionet. I nxehur për këtë fakt ai mori në telefon Diverolin, ndërkohë që fshehtazi vendosi ta regjistronte bisedën.

Në atë telefonatë Trebicka kërcënoi se do tregonte gjithçka tek CIA. Diveroli i sugjeroi Trebickës të përpiqej të korruptonte Ylli Pinarin, drejtorin e agjencisë eksportuese të armëve në Shqipëri, e cila ishte dhe furnitorja.

Diveroli i tha gjithashtu se ai vetë s’kishte më mundësi të bënte asgjë. Kishte shumë garipë të përfshirë tek pala shqiptare, dhe kjo e bënte punën shumë të rrezikshme. “Muhabeti shkon gjer te kryeministri e te i biri” – tha në telefon Diveroli. “Kjo mafia e këtyre është tepër e fortë për mua.

S’e luftoj dot këtë mafie. Ka shkuar lart muhabeti. Kafshët kanë dalë jashtë kontrolli”….Pasi u publikua gjithë historia Kosta Trebicka udhëtoi për në SHBA për të folur me hetuesit e kongresit si dhe me prokurorët federalë. Ndërkohë, sapo u kthye në Shqipëri u gjend i përfshirë si dëshmitari kyç në këtë çështje.

Por një pasdite të shtatorit 2008 Trebicka u gjet i vrarë në një “aksident” misterioz, ku makina e tij s’dihet se si, ia doli mbanë të rrotullohej mbi veten e vet në një rrugë të drejtë në Shqipërinë e jugut. Një nga zyrtarët e parë që arriti në vendngjarje, qe një ish-truprojë i kryeministrit shqiptar.

FBI – NJU JORK TAJMS – SALI BERISHA

Në ditën kur Packouz dhe Diveroli po ndanin kompaninë në dy pjesë – zyrat e AEY në plazhin e Miamit u sulmuan nga FBI. Ata sekuestruan gjithë dosjet elektronike e dokumentat e kompanisë. Ky kontroll nxori në dritë e-mailet për shenjat kineze në kutitë e municionit që vinte nga Shqipëria, si dhe komplotin e ripaketimit.

“Emailet ishin tepër inkriminues – se nxirrnin gjithçka në shesh”, – rrëfen vetë Packouz në pjesën e parë të shkrimit të Laëson botuar dje edhe në Shekulli. “Që kur i zbuluan emailet e mora vesh që mbaroi gjithçka. Qemë treguar budallenj. Po të mos kishim dërguar email, ndoshta mund ta kishim mohuar të gjithë akuzën. Po aty ishin emrat edhe datat. S’mohonim dot gjë.

E mora vesh që do na kapnin, pavarësisht gjithçkaje, kështu që u dorëzova vetë. Kur agjentët erdhën në zyrën time po talleshin me mua, aq të lehtë e patën të lexonin gjithë emailet dhe shënimet. Ishte qesharake.”

Që të mos dënohej rëndë Packouz vendosi të bashkëpunonte, po kështu edhe Podrizki. Ndërkohë Nju Jork Tajms, në mars 2008 botoi një shkrim të titulluar “Nën hetim furnizuesi i armëve për Afganistanin”. Me të dalë artikulli në NYT, të tre njerëzit e përfshirë në pazar, Packouz, Podrizki dhe Diveroli u vendosën përballë 71 akuzave për mashtrim.

Sekseri zviceran Heinrich Thomet ndërkohë u zhduk nga skena, dhe ca zëra thonë që është parë së fundmi në Bosnje. Kurse në Shqipëri, kryeministri i vendit të njohur botërisht për korrupsion e quajti Nju Jork Tajmsin, “letër higjienike” në sallën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Pjesa e dytë e artikullit të Laëson: AEY bëri 85 dërgesa municionesh në Afganistan me vlerë më shumë se 66 milionë $ dhe kishte marrë një tjetër porosi për municione me një vlerë prej 100 milionë $. Asnjë zyrtar nuk u dënua. Packouz: “Na zgjodhën si për reklamë, na bënë koka turku”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu