Diversioni antiatlantik i Rusisë

0
728

Nga Shaban MURATI:

Një ngutje jo normale shfaqi diplomacia ruse në prag të mbledhjes së Këshillit NATO-Rusi, që u zhvillua në Berlin më 15 prill. Pa pritur që shefi i diplomacisë ruse,  Sergej Lavrov të shkonte për të marrë pjesë në punimet e Këshillit, Moska nxori më 14 prill përfaqësuesin e Rusisë në NATO, Dimitri Rogozin, i cili shpalli në publik propozimin e ri, që Rusia dhe BE të ngrenë një grup të posaçëm ekspertësh për të biseduar lidhur me mburojën antiraketë, të cilën NATO dhe Rusia kanë vendosur më parë të bashkëpunojnë për ta ndërtuar në të ardhmen si një sistem të përbashkët.
Logjika më e thjeshtë diplomatike do të kërkonte që çdo propozim i ri, që synon avancimin e tratativave mes NATO-s dhe Rusisë për mburojën raketore, të hidhet në tavolinën e bisedimeve në kuadër të Këshillit NATO-Rusi, që mbahej në nivel ministrash të Jashtëm. Moska mund të kishte pritur një ditë dhe Sergej Lavrovi mund t’ua paraqiste homologëve të NATO-s atë propozim. Por, diplomacia ruse me sa duket nuk ishte e interesuar për tavolinën e NATO-s dhe as nuk e kishin ndër mend t’ia parashtronte NATO-s. Kjo vjen ngaqë qëllimi i propozimit është kundër NATO-s dhe që të bëjë diversion në radhët e Aleancës Atlantike.
Karakteri diversiv provohet menjëherë nga formati i propozuar, nga palët për të cilat bën fjalë oferta ruse. Ai i drejtohet Bashkimit Europian, dhe jo NATO-s, ndonëse objekti për të cilin kërkohet të ngrihet grupi i ekspertëve, është ekskluzivisht çështje ushtarake e NATO-s. Bashkimi Europian, as nuk ka pasur ndër mend dhe as nuk ka diskutuar ndonjëherë brenda tij që të ndërtojë ndonjë sistem të BE-së për mburojën raketore.
Nga ana tjetër, projekti i një sistemi të përbashkët raketor është një vendim i marrë në nëntorin e vitit të kaluar në Lisbonë, gjatë samitit të Këshillit NATO-Rusi, ku Moska u përfaqësua nga presidenti Dimitri Medvedev. Pra ka një marrëveshje të nivelit të lartë për të filluar negociatat për krijimin e një sistemi të përbashkët antiraketë, në të cilën e ka vënë firmën vetë presidenti rus. Tani bëhet sikur harrohet që palët në çështjen e mburojës raketore janë NATO dhe Rusia; bëhet sikur harrohet se ka qenë presidenti rus personalisht, që i ka vënë vulën nisjes së kësaj etape të rëndësishme të bashkëpunimit NATO-Rusi për krijimin e një sistemi të përbashkët antiraketë, dhe i drejtohet Europës një propozim pak si i çuditshëm. I çuditshëm, sepse çvleftëson firmën shtetërore të presidentit rus për bashkëpunimin NATO-Rusi, dhe jep një sinjal jo pozitiv lidhur me nivelin e seriozitetit të përfaqësuesit më të lartë të shtetit rus në samitin dhe në partneritetin NATO-Rusi.
Diplomacia ruse niset nga një start klasik strategjik i saj, që është ai i një diversioni brenda Aleancës Atlantike dhe i nxitjes së përçarjes në radhët e saj. Tehu i këtij diversioni është krijimi i një ndarjeje dhe i përplasjes mes SHBA-së dhe vendeve europiane, anëtare të NATO-s sepse, me një stil bizantin i drejtohet propozimi Bashkimit Europian, në një kohë që sistemi i mburojës antiraketë po negociohet që të ndërtohet bashkë me NATO-n.
Përfaqësuesi i Rusisë në NATO, Rogozin e shprehu hapur këtë strategji të diplomacisë ruse, kur më 14 prill, deklaroi sipas radios “Zëri i Rusisë”, se Bashkimi Europian nuk duhet të jetë një vëzhgues pasiv i bisedimeve ruso-amerikane për mburojën raketore. Sado naive që tingëllon, diplomacisë ruse i duket se i shërben që të dalë me pozicionin, sikur po e mbron Bashkimin Europian nga Amerika, dhe sikur po vë në vend një padrejtësi që po i bëhet Europës.
Është një lojë e vjetër e diplomacisë ruse, që nga koha e Stalinit, për t’u përpjekur që të krijojë çarje mes Europës dhe SHBA-së. Dhe kjo synohet sidomos në drejtim të Aleancës Atlantike, e cila mbetet themeli i vetëm i garancisë dhe i sigurisë së kontinentit europian dhe i paqes ndërkombëtare.
Motivet, nga të cilat niset Rusia në këtë sipërmarrje të re të diversionit anti-atlantik, kanë të bëjnë dhe me zhvillimet më të fundit në arenën ndërkombëtare, dhe sidomos me ngjarjet në Libi, ku po zhvillohet një operacion i një koalicioni ndërkombëtar, i drejtuar nga NATO, kundër regjimit të kolonelit Gadafi, dhe në zbatim të rezolutës 1973 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në gjirin e NATO-s, jo të gjithë anëtarët manifestuan shkallë të njëjtë të kuptimit të zhvillimeve në Libi dhe të efektit ndërkombëtar të tyre, dhe jo të gjithë anëtarët shprehën angazhimi në këtë operacion ushtarak të drejtuar nga NATO. Gjermania dhe Polonia, dhe ndonjë shtet tjetër nuk marrin pjesë me forcat e tyre ushtarake në këtë angazhim atlantik, në një kohë që edhe një shtet klasik neutral dhe etalon demokracie si Suedia, ka dërguar një njësi prej 8 gjuajtësish për t’u bashkuar me operacionin e NATO-s në Libi. Ndarja dhe dallimet e mendimeve dhe të qëndrimeve janë një dukuri e njohur në gjirin e Aleancës Atlantike, e cila, duke qenë një organizatë e shteteve demokratike dhe të lira, ka edhe hapësirën e debatit dhe të qëndrimeve individuale të secilit anëtar.
Rusia, e cila si shoqëri dhe si shtet ende nuk ka rritur nivelin e pjekurisë demokratike, nuk mund ta kuptojë këtë situatë pluralizmi politik dhe shtetëror në gjirin e NATO-s, dhe e interpreton si një rast të mirë për të bërë diversion dhe për të dërguar mesazhe përçarëse brenda në NATO. Pikërisht për këtë nxiton t’i ofrojë propozimin Bashkimit Europian, që të krijojë një grup më vete ekspertësh për bisedimet me Rusinë për mburojën raketore.
Diplomacia ruse duket është nxitur edhe nga një koordinim, që po rritet mes shteteve, të cilat kanë dalë kundër politikës së SHBA dhe ndërhyrjes së NATO-s në Libi, si Kina, India, Brazili, të cilat zhvilluan një samit më 14 prill në Kinë. Diplomacia ruse kërkon të joshë në vijën antiamerikane ndonjë vend europian, me pretekstin e mospajtimeve me amerikanët për Libinë.
Propozimi i diplomacisë ruse për të krijuar një grup të veçantë ekspertësh Rusi-BE, për bisedimet e çështjes së mburojës antiraketore, nga një pikëpamje mund të quhet numri i ri i radhës në veprimtarinë krijuese të makinës diplomatike ruse. Diplomacisë ruse nuk mund t’i mohohet aftësia dhe fantazia, e trashëguar që nga koha e Bashkimit Sovjetik komunist, për të paraqitur propozime e projekte në skenën ndërkombëtare, të cilat pavarësisht nga bilanci fatkeq që kanë në kuotën e pranimit ndërkombëtar, prapë se prapë arrijnë të bëhen një objekt propagandistik. Por nga ana tjetër, propozimi i ri rus shtron një pikëpyetje jo të vogël lidhur me vetëpërmbajtjen dhe gjakftohtësinë diplomatike, që sugjeron dinamika e qëndrimeve dhe e veprimeve të politikës së jashtme ruse në Europë.
Sigurisht është pozitive që NATO dhe Rusia vendosën të negociojnë për krijimin e një sistemi të përbashkët raketor, por nëse Moska qysh të nesërmen harron se kush është partneri dhe i drejton propozim një organizate apo grupi tjetër vendesh, kjo nuk mund të mos provokojë një dyshim. Një lëvizje e tillë jep një sinjal se Moska nuk e ka shumë seriozisht se është e interesuar të ndërtojë një sistem të përbashkët antiraketor me NATO-n. Zyrtarisht, në doktrinën e saj të sigurisë, Rusia e konsideron NATO-n një kërcënim për interesat e saj. E ka shpallur hapur se çdo zgjerim i NATO-s konsiderohet kërcënim për Rusinë. Dhe pyetja e thjeshtë, si ajo e përrallës së mbretit lakuriq, është se si do të pranojë realisht Rusia të ndërtojë një sistem të përbashkët mburoje antiraketë me një NATO, të cilën Moska e quan të kapërcyer dhe që nuk duhet të ekzistojë, dhe që e klasifikon si një kërcënim për interesat e saj. Kështu duket se të dyja palët presin që dikush do të ndryshojë. NATO pret që të ndryshojë Rusia, dhe Rusia pret që të ndryshojë NATO.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu