Do të ketë protesta gjithëpopullore

0
757

(Intervista, Pjesa II) Lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, thotë se pakënaqësia qytetare po rritet në vijimësi, dhe kjo pakënaqësi do ta çojë vendin në protestat gjithëpopullore. Ai në vazhdim të intervistës për “Zërin” shprehu pakënaqësi edhe ndaj faktorit ndërkombëtar, për të cilin tha se po e lejon korrupsionin dhe krimin para “hundëve të veta”. “…nuk është korrekte që të vazhdojnë me këtë mënyrë ku ia tolerojnë korrupsionin qeverisë, ndërkaq nuk ia tolerojnë as protestat opozitës”, tha Kurti.

Lideri i “Vetëvendosjes” po ashtu ka vërejtje në sistemin e drejtësisë, sidomos në Gjykatën Kushtetuese. Kurti tha se nuk pret nga kjo gjykatë që të marrë vendim që bie në kundërshtim me politikën e kryeministrit Hashim Thaçi.

Kurti në vazhdim të intervistës është prononcuar edhe për zgjedhjet e fundit në dy komuna, Ferizaj dhe Kaçanik, ku kandidatët e partisë së tij nuk arritën të fitojnë. Ai tha se rezultatit të dobët i ka kontribuuar mosdalja e qytetarëve në zgjedhje…

Zëri: Ku bazoheni se do të ketë protesta më të mëdha. Në protestat e fundit që i organizoi VV-ja s’kishte edhe aq shumë protestues…

Kurti: Pakënaqësia është rritur shumë. Ajo nuk i ka vetëm shkaqet politike, por edhe sociale. Dhe, në anën tjetër, qytetarët e Kosovës, edhe ata të cilët ia kanë dhënë një shans këtyre bisedime, e kanë parë tash se dialogu teknik paska qenë vetëm një mashtrim, paska qenë përgatitje para dialogut politik me Serbinë, ku është në pyetje integriteti dhe sovraniteti dhe vetë mbijetesa e shtetit të Kosovës.

Në të njëjtën kohë po shihet që liberalizimi i vizave në njërën anë dhe demek fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë, janë pikërisht në funksion të dialogut për veriun. Është bërë e qartë për qytetarët se ky është një mashtrim i radhës, i cili rrjedhimisht nuk do të mund të ketë sukses.

ICO-ja shkonte bashkë me Planin e Ahtisaarit, tash kjo minus ICO është uverturë për Ahtisaari Plus. Kjo është bërë e qartë për të gjithë se tash duhet të përfundojë njëherë e përgjithmonë ky dialog me Serbinë. Ju e dini se Kosova është shteti më i rrezikuar në Evropë, sepse nuk ka ushtri.

Tash rrymat ekstreme militariste në Serbi janë në pushtet dhe mendoj që do të shpërfaqet gjithnjë e më shumë brishtësia e shtetit të Kosovës, të cilit i mungojnë dy shtyllat kryesore të shtetit: Ushtria dhe Ekonomia. Këtë gjë VV-ja e ka thënë prej se ekziston. Dhe në këtë aspekt ne u bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që nuk është korrekte që të vazhdojnë me këtë mënyrë ku ia tolerojnë korrupsionin qeverisë, ndërkaq nuk ia tolerojnë as protestat opozitës, ndërkohë që po dobësohet shteti i Kosovës.

Gjatë veprimtarisë sonë, edhe kur nuk ishim në institucione edhe tash kur jemi, e kemi shumë të qartë se shumica e faktorëve ndërkombëtarë, kanë shprehur shumë më tepër tolerancë për korrupsionin e opozitës se sa për protestat e opozitës. Duket që edhe pse u shpall pavarësia e Kosovës, faktori vendës mbetet i defaktorizuar.

Mungesa e të drejtës për vetëvendosje për popullin u përkthye në mungesë të sovranitetit për shtetin. Të gjithë e dinë se për deklaratën e pavarësisë, me rastin e katërvjetorit të pavarësisë, personi që u intervistua më së shumti ishte Shyqyri Nimani, profesor i artit, i cili e kishte shkruar deklaratën e pavarësisë për 16 orë radhazi me bukurshkrim. D.m.th. kjo ishte një lloj indikacioni se sa ishte roli vendës në këtë deklaratë të pavarësisë. Përveç leximit të saj kishim bukurshkrimin.

Dhe madje te leximi i saj i bërë nga kryeministri, atë ditë ai e lexoi atë gabimisht, meqenëse nuk e lexoi fare fjalën“sovran”. Duke e parë në televizor, thashë me vete, prit pak pse nuk e përmend fare fjalën “sovran” kjo deklaratë e pavarësisë?! Mandej e shikova tekstin e deklaratës të nesërmen dhe e pashë se aty paska qenë fjala “sovran”, por ky kryeministri qëllimisht nuk e ka përmendur, ndoshta me idenë t’i pëlqej dikujt edhe përtej imagjinatës së atij dikuj. Pra, roli ishte bukurshkrimi dhe leximi. Mbase bukurshkrimi u bë mirë, por jo edhe leximi.

Zëri: Gjatë kësaj jave Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankesën e deputetëve të VV-së për Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe atë për Hoqën e Madhe. Cili është komenti i juaj për këtë çështje?

Kurti: Nuk kam besim në paanësinë e kësaj gjykate, e cila aq shumë herë është dëshmuar se është e politizuar dhe, për më keq se kaq, është edhe e partizuar. Pra, edhe kësaj radhe nuk pati diçka ndryshe. Kur e patëm dërguar në Gjykatë Kushtetuese kundërmocionin e PDK-së dhe ajo na e hodhi poshtë një gjë të tillë, u bë një lloj demaskimi fundamental i kësaj gjykate.

Nuk pres që kjo gjykatë do të marrë ndonjë vendim i cili është në kundërshtim me linjën kryeministri aktual – ambasadori amerikan. Gjykata Kushtetuese nuk do të ndërmarrë ndonjë vendim që është në kundërshtim me këtë linjë. Prandaj, kjo gjykatë ka Zot, ky Zot nuk është ai në qiell, por ky në tokë.

Zëri: Kush do t’i mbrojë atëherë të drejtat e qytetarëve, kur këtë nuk e bën as instanca më e lartë gjyqësore në vend? Kujt t’i drejtohen qytetarët?

Kurti: Gjykata Kushtetuese është bazuar në këtë Kushtetutë, e cila në zemër të saj e ka ofertën që na e refuzoi Serbia – Planin e Ahtisarit. Qytetarët nuk duhet të kenë iluzione për Gjykatën Kushtetuese, por ata do të duhej që të organizohen dhe ta thonë fjalën e tyre zëshëm në aktivitete publike të mëdha e të vogla, anekënd Kosovës, sa më shpesh e sa më shpejt, aq më mirë.

Ndryshimet e vërteta, sikurse demokracia e mirëfilltë, nuk vijnë prej lart, por prej poshtë. Ata që janë lart janë aty si rezultat i kësaj situate që është shumë e rëndë, e nga e cila ata po përfitojnë. Nuk ka njerëz në maje të institucioneve, prej cilitdo kryetar të komunës e deri te kryetari i Gjykatës Kushtetuese, prej cilitdo ministër e deri te kryeministri e presidentja, që nuk po përfitojnë prej kësaj situate të rëndë në Kosovë.

Këta njërëz që po përfitojnë nuk kanë as vullnet e as interes e aq më pak gatishmëri që të bëjnë ndryshime. Atyre po iu levërdis kjo gjendje, dhe rrjedhimisht forcat që mund ta ndryshojnë këtë gjendje nuk mund t’i gjejmë në mesin e tyre.

Zëri: Z. Kurti, t’i kthehemi pak zhvillimeve në lëvizjen tuaj. Në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Ferizajt dhe të Kaçanikut, PDK-ja i fitoi zgjedhjet, derisa subjekti i juaj nuk arriti që të shkojë as në balotazh. Pse mendoni se ka ndodhë një gjë e tillë?

Kurti: Ndoshta këtu nuk do të mund ta kisha lokalizuar një shkak për atë që ndodhi në Kacanik dhe në Ferizaj. Por, jam shumë i bindur që programi ynë dhe kandidatët tanë kanë qenë më të mirët. Dhe, është evidente që qytetarët nuk dolën në zgjedhje prandaj edhe nuk pati ndryshime. Mosdalja e qytetarëve në zgjedhje është rezultat i një droje të përgjithshme që ekziston sot në Kosovë nga regjimi.

Sot shumë më lehtë mund ta humbësh një vend pune, se sa të punësohesh nëse nuk e ke. Në vend se populli të jetë punëdhënësi e qeveria i punësuari, këtu tek ne është e kundërta. E kemi qeverinë që punëson dhe popullin që bëhet argat ose pret në radhë për t’u bërë.

Shantazhet dhe kërcënimet e shumta kanë bërë që populli të abstenojë. Ne çdo herë jemi të gatshëm si për pjesëmarrje në zgjedhje po ashtu edhe për protesta e demonstrata dhe inkurajojmë qytetarët që të bëhen aktivë, sepse në këtë botë nuk ka drejtësi për njerëzit pasivë. Dhe, të gjithë dhe secili duhet ta kuptojmë që shumë më e rëndësishme është që ta kemi shtetin e fuqishëm sesa të orvatemi të jemi privatisht më të pasur.

Zëri: Qeveria e Kosovës këto ditë privatizoi edhe Distribucionin e KEK-u vetëm për 26 milionë euro. Madje u përfol që kompania që e fitoi tenderin është e afërt me dhëndërrin e kryeministrit turk, Taip Erdogan. Cili është vlerësimi i juaj për privatizimin e distribucionit?

Kurti: Sa më lirë që këta i shesin ndërmarrjet publike të Kosovës, aq më shumë para marrin për veten e tyre. Por, në anën tjetër, ka mundësi që këta dikujt t’i kenë borxh, ama këtë borxh ata duhet ta lajnë vetë, e jo këtë ta bëjë populli i Kosovës. Nuk po e bëjnë privatizimin e furnizimit, por po e shesin rrjetin. Ky është një krim, për të cilin herë do kur këta qeveritarë do të japin llogari.

Veç ndërtesat e distribucionit, pa përfshirë aparaturat, kabllot, trafostacionet dhe potencialin, e kanë vlerën e shumëfishit të 26 milionëshit për të cilin u shit distribucioni i KEK-ut. Ne nuk po ia japim korporatës që po e blen këtë ndërmarrje vetëm distribucionin, por po ja japim edhe mundësinë për zhvillim të Kosovës edhe punëtorët. Ajo po i merr asetet, mundësinë për zhvillim që e kishim dhe punëtorët, prandaj ky është një krim i trefishtë për të cilin këta herdokur do të japin llogari.

Sido që të jetë privatizimi në Kosovë paraqet një krim politik dhe institucional të vazhdueshëm i cili ka nisur që nga përfundimi i luftës dhe vetëm sa po intensifikohet me këtë qeverinë e sotme. E gjithë kjo në emër të tregut të lirë. Por, më thoni, cili treg i lirë e bënë aksionar një politikan në një ndërmarrje?

Cili është ai treg i lirë, i cili i shndërron politikanët në biznesmenët më të mëdhenj të vendit? Siç thotë Visar Ymeri ne jemi për tregun e lirë, por nuk jemi për lirinë e tregut, sepse liria e tregut është robërimi i qytetarëve. Tregu duhet të jetë në shërbim të ekonomisë dhe ekonomia në shërbim të shoqërisë. Liria e tregut dhe liria e këtyre pushtetarëve ka rezultuar me shpërdorimin masiv të pasurisë së Kosovës.

Në Kosovë nuk ekziston shteti i së drejtës. Për dallim nga shtetet e zhvilluara demokratike ku kriminelët e vegjël lirohen në shkëmbim të informacioneve dhe dëshmive për kriminelët më të mëdhenj, në Kosovë, edhe në rastin më të mirë, ngjan dhe praktikohet e kundërta: ai që është në maje të korrupsionit i jep të korruptuarit më të vegjël përfundi tij vetëm dhe vetëm që të mbetet vetë ai në liri, në këtë liri të tregut e të pushtetit.

Zëri: Kur jemi te privatizimi. Pak ditë pas vrasjes apo vetëvrasjes së shefit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga amerikanët që ta hetojnë këtë rast?

Kurti: Ne jemi të parët që kërkuam që hetuesit amerikanë të vijnë të hetojnë të ashtuquajturën vetëvrasje të Dino Asanajt. Nuk mund ta besoj që 11 goditje me thikë ndonjë mendje e shëndoshë dhe racionale mund t’i besojë për vetëvrasje. Kur kësaj i shtohet fakti se e varrosën menjëherë, pra shpejt e shpejt të nesërmën, dhe kur dihet që Dino Asanaj ka qenë në postin më të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës, atëherë sigurisht që ka nevojë për një hetim të hollësishëm e të gjithëmbarshëm.

Le të mos harrojmë që Dino Asanaj pat provuar që të jap dorëheqje në shtator të vitit të kaluar, mirëpo pas një muaji ai u tërhoq nga dorëheqja e tij. Duhet të hulumtohet kush dhe si e bindi atë që të heq dorë nga dorëheqja e paralajëmruar.

Besoj se edhe publikimi i qëndrimit të mjekëve të forenzikës ishte jashtëzakonisht i papërshtatshëm dhe joprofesional. Në vend se të kemi një raport me shkrim të konzorciumit ku marrin pjesë shumë mjekë, ajo u dha në formë të një interviste televizive, ku lihej përshtypja se më shumë kemi hamendësime individuale se sa studime profesionale.

Ishte tepër shpejt dhe tepër i paktë ai sqarim që të jetë i bindshëm. Në anë tjetër, është shumë e çuditshme qysh kryeministri Thaçi i vazhdonte vizitat nëpër botë, sikur mos të kishte ndodhur asgjë në Kosovë.

Zëri: Megjithatë ai akuzoi kinse grupet kriminale përmes shantazhe publike kanë ndikuar në vetëvrasjen e tij…

Kurti: Këtë e ka bërë gati pas një jave. Tash jetojmë në epokën e komunikimit të shpejtë elektronik dhe digjital. Kur e kemi ditur ne të gjithë që ka ndodhur kjo, ai e ka ditur po ashtu, në mos më herët. Sikur kryeministri t’i kishte marrëdhëniet e mira me Dino Asanajn ai do të kthehej nga Arabia Saudite pa e përfunduar vizitën me avashllëk atje, siç veproi.

E po ti kishte kryeministri Thaçi marrëdhëniet mesatare me Asanajn, prej Arabisë Saudite nuk do të shkonte në Bullgari. Prandaj, përshtypja ime është se ai nuk i kishte marrëdhëniet as të mira e as mesatare.

Edhe hetimet për këtë vdekje të dhunshme, në një rrafsh subjektiv, më duket se kanë nisur mbrapsht. Në vend që të mos përjashtohet vrasja derisa të mos dëshmohet e kundërta, u nis hetimi nga një lloj presupozimi, i cili tingëllonte edhe si konstatim, i vetëvrasjes.

Për bindjen time kjo jashtëzakonisht problematike. Ka nevojë për një hetim të detajuar, sepse pa u sjellur drejtësia për këtë rast, do të rritet padrejtësia kriminale.

Zëri: Kryeministri Thaçi pas kthimit nga vizita në Bullgari në mbledhje të Qeverisë, siç thashë edhe më herët, akuzoi kinse grupet kriminale përmes shantazheve publike kanë ndikuar në vetëvrasjen e tij. Pse mendoni se ai ka bërë akuza të tilla?

Kurti: Kjo dëshmon që kryeministri Thaçi nuk zgjedh mjete për përfitime vetjake në kuadër të politikave ditore. Me atë deklaratë kryeministri Thaçi e luante rolin edhe të hetuesit, edhe të prokurorit, edhe të gjykatësit e gati edhe të drejtorit të burgut.

Por, kjo është edhe shprehje e mënyrës së tij autoritare. Besoj se edhe këto deklarata të Thaçit do të duhej të ishin objekt i hetimeve.

 

Intervistoi

Adrian Çollaku

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu