Dobësitë e mëdha të kryengritjes shqiptare më 1912

0
701

Bajram Curri

Dokumentat që botohen sot janë tri letra që tra jtojnë të njëjtën temë : atë të bashkërendimit të veprimeve, programeve e vendimeve që merreshin në qendrat e ndryshme të kryengritjes, e cila shtrihej në treva të ndryshme të vilajeteve shqiptare. Kemi theksuar më parë se mungesa e komunikimit intensiv mes atyre qendrave ka qënë një nga dobësitë më të mëdha të kryengritjes shqiptare të 1912 – s. Arsyet duhet t’i kërkojmë në faktorë objektivë, por edhe subjektivë, siç del edhe nga letrat e sotme. Arsyet objektive janë të lidhura me vështirësitë e mungesës së mjeteve moderne të komunikimit, gjë që shkaktonte zbrazëti në kontaktet njerëzore mes krerëve e, për pasojë, marrje vendimesh të njëanëshme, pa u këshilluar me njëri tjetrin. Por ndoshta, për objektivitet gjykimi, duhet të pranojmë se, në këtë drejtim, ka ndikuar dhe sëmundja e përjetëshme kronike e ne, shqiptarëve, paaftësia për t’u marrë vesh me njëri tjetrin edhe në çastet më të brishta të historisë sonë. Duke bërë një parantezë të shkurtër, një nga shembujt më flagrantë e gjejmë në ditët tona, në ngërçin politik që po vazhdon prej gati dy vjetësh, megjithë veçanësinë e një gjëndjeje optimale, përsa i përket kontekstit ndërkombëtar të favorshëm të çastit politik, gjë që nuk e kemi patur asnjëherë në të kaluarën, aq më pak në periudhën për të cilën flasim.
Letra e parë niset nga Oroshi, qendra e familjes princore të Mirditës, e Gjomarkajve. Letra është shkruar nga Mustafa Kruja dhe firmosur nga Avdi Toptani, Kryetar i Komitetit të Vilajetit të Shkodrës. I drejtohet Riza beg Gjakovës dhe Bajram beg Currit, përfaqësues të shquar të kryengritjes së Kosovës. Letra thekson dëshirën për të vajtur në Kosovë e për të bashkërenduar veprimet “ … me sigurue kombsín t’onë e me shpëtue Shqipnín nga mjerimet e derisoçme gjithnjí nën flamurin othoman.”
Letra e dytë niset përsëri nga Avdi Be Toptani dhe i drejtohet Hasan Be Prishtinës. Toni tepër kritik i letrës nuk le mëdyshje: mes dy komiteteve nuk ka patur bashkërendim programesh e veprimesh, madje kanë munguar edhe kontaktet me anë të letrave.
“Qëllimi ynë dihej: me luftue për shpëtimin e kombit t’onë nga mizorija e robnija e huej. Veçse për sendërtimin e këtij qëllimi ishte nevoja t’u merrshim vesht mbi mjetet qi do t’u përdorshin, t’i diftojshim botës se të tâna pjesët e kryengritjes ishin të lidhuna ngusht njâna me tjetrën dhe kështu të bâjshim mbi tê efektin qi lypej.” Kështu shprehej Avdi Toptani. Në pamje të parë nuk mund t’i hiqet asnjë presje këtij mesazhi, por për të dhënë një gjykim të saktë duhet të kemi përgjigjen nga Hasan Prishtina, gjë të cilën nuk e kemi.
Letra e tretë është një dokument me shumë vlerë, mbasi dëshmon vendosmërinë dhe largpamësinë e drejtuesve kryesorë të kryengritjes, Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, në hartimin e strategjisë së saj. Letra i drejtohet vëllezërve Toptani, veprimtarë të orës së parë të kryengritjes në Shqipërinë e mesme. Nëpërmjet saj i kërkohet drejtuesve të kryengritjes zgjuarsi e vendosmëri, për të mos rënë në kurthet e premtimeve të pambajtura dhe të prirjes për marrëveshje të veçanta mbasi “ …në qoftë se do të ngulim kâmbë në kërkimet t’ona e do të mbahemi të fortë e të lidhun njêni me tjetrin, do të fillojmë e do të mbarojmë deshiret t’ona pa derdhun gjak tjetrë; për ndryshe do të na shkojnë kot mundimet qi hoqëm.”

Nga: Eugjen Merlika

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu