Dodani: Banda e Ndue Bajraktarit vendosi të digjte të gjallë agjentin tonë

0
1224

Vijon dëshmia e jashtëzakonshme e legjendës së Sigurimit të shtetit komunist, Mark Dodani. Dodani është njëri prej eksponentëve kryesorë të Sigurimit komunist, të cilit i kushtoi gjithë jetën e vet, duke u përfshirë që nga periudha e luftës partizane kur u krijua ky shërbim. Ai me veprimtaritë e tij, u bë një nga njerëzit me tepër efikasitet në radhët e këtij Sigurimi, duke vendosur kështu lidhje direkte për punën e vet me drejtuesit qendrorë të Sigurimit komunist, si Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun. Biografia e tij e punës është ndërtuar kryesisht në luftën e madhe që është bërë nga Sigurimi i Shtetit me bandat e “Komitetit të Maleve” që vepronin në zonën e veriut, të cilat luftonin në një organizim të përsosur për të rrëzuar me çdo formë, mënyrë dhe mjet sistemin komunist të drejtuar nga Enver Hoxha. Nga numrat e kaluar keni lexuar pikërisht se si hyri Mark Dodani në këtë shërbim. Vrasja e babait dhe vëllait të tij, pas një aktivizimi në Kongresin e Dytë të Rinisë Antifashiste në Tiranë. Hakmarrja që vendosi ta bënte në emër të shtetit me ndihmën e Sigurimit, duke përdorur një lojë të gjatë të miratuar që nga Tirana. Kur e dëgjoi për herë të parë emrin e Kadri Hazbiut dhe si u gjend papritur ndër emrat më të besuar të Sigurimit të Shtetit për operacionet më sekrete që ndërmerrte Ministria e Brendshme. Mënyrat e Sigurimit për të përçarë dhe eliminuar bandat e maleve dhe si bënin të mundur futjen e njerëzve të vet në radhët e tyre.
*-Si u ndërtua nga Kadri Hazbiu legjenda intriguese, kur miku i ngushtë i Mark Dodanit u dërgua si i arratisur në radhët e bandave të Mirditës.
*- Historia intriguese kur Kadri Hazbiu dërgoi në radhët e bandave vetë mikun e ngushtë të Mark Dodanit dhe si vijoi ngjarja spektakolare kur, për ta bërë të besueshme legjendën e arratisjes, Dodani me forcat e ndjekjes, i dogji shtëpinë Ndue Ukës dhe internoi në zonat e thella të Lushnjës, të gjithë familjarët e tij.
*- Ngjarja e pabesueshme, kur Bardhok Biba me gjeneral Zoi Themelin vendosën që të dërgonin në radhët e bandës së Ndue Bajraktarit njeriun e rekrutuar prej tyre, të koduar me pseudonimin “Gjimnazi”.
*- Nata e tmerrshme kur Ndue Bajraktari me Ludovik Saraçin dhe Dod Mark Gjokën u njoftuan për misionin “Gjimnazi” nga njeriu i tyre në radhët e Sigurimit, që ishte vetë kreu i Degës së Punëve të Brendshme të Mirditës, Pjetër Lufi.
*- Momentet rrëqethëse kur pas “Gjimnazit”, ata mësuan se fshihej Zef Ndue Doda, të cilin e lidhën pas një trungu të thatë dhe i vunë flakën për ta djegur të gjallë.
*- Çastet më kritike të Zef Ndue Dodës, i cili ndërsa kishte marrë flakë dhe për pak minuta do takohej me vdekjen, gjeti mënyrën që e detyroi Ndue Bajraktarin të urdhëronte zgjidhjen e tij nga vendi i djegies së gjallë.
*- Si e mësoi “Gjimnazi” se kryetari i Degës së Mirditës ishte njeriu i bandave dhe njoftimi i mistershëm që bëri atë natë te Bardhok Biba, i cili arrestoi menjëherë Pjetër Lufin dhe dërgoi Sulejman Malokun për të vrarë gjatë natës, 21 pjesëtarët e bandës.
Gjithçka do të ndiqet, në intervistën e mëposhtme të Mark Dodanit.

Zoti Dodani. Do të doja që, para se të vijonim me intervistën e ditës së sotme, të rikujtonim paksa situatën e krijuar te radhët e bandave dhe të vetë Sigurimit, pas momentit kur u vendos që të infiltroheshin njerëzit tuaj në radhët e tyre. Madje ju përmendët një rast konkret, kur u vendos që të dërgohej pranë tyre si i arratisur prej jush vetë miku yt i quajtur Ndue Uka. Ajo që do të doja t’ju pyesja unë është se, ku ishte qëllimi dhe si do të funksiononte ky lloj misioni?
Bandat e maleve të asaj kohe kërkonin rrëzimin e pushtetit me çdo kusht dhe me çdo çmim që të ishte, duke mos kursyer gjakun e askujt mjaftonte që të arrihej qëllimi. Por duhet të mendosh me konceptin e kohës, që pushteti kishte dalë nga gryka e pushkës kundër pushtuesit dhe nuk mund të lejohej të rrëzohej kollaj, aq më shumë nga ata që njiheshin si bashkëpunëtorë të pushtuesit. Kështu që Sigurimi i Shtetit donte t’i jepte goditje në strofull asaj të keqeje që po përballej përditë, me qëllim që ta bënte të paefektshëm. Por ishte dhe detyra tjetër, që të bindeshin njerëzit që ishin bashkuar me “Komitetin e Maleve”, – nga frika e ndonjë hakmarrjeje komuniste pas ardhjes së tyre në pushtet, – dhe të ktheheshin në shtëpi. Pikërisht për këtë arsye, Sigurimi i Shtetit kishte filluar të operonte me strategji të studiuara dhe efikase, pavarësisht se çfarë rezultatesh mund të kishin. Në këtë mënyrë, u caktua nga vetë Kadri Hazbiu që të hynte në radhët e tyre vetë miku im i mirë Ndue Uka. Ndueja kishte qenë partizan dhe nuk ishte e thjeshtë të krijonte besim te bandat që, vërtet ai kishte tradhtuar shokët me të cilët kishte luftuar. Prandaj për të arritur këtë, vendosëm të ndiqnim një taktikë të hollë, që ne të Sigurimit e kemi quajtur “Taktika e Mashtrimit”. Atë e filluam menjëherë sa u vura në dijeni si shef i Degës. Fillimisht hapëm një thashethemnajë. Për këtë gjë angazhuam shumë njerëz. Nëpërmjet saj flitej nëpër njerëz, në miq dhe kudo në rrethe shoqërore, që me Ndue Ukën kishte ndodhur hataja. Ai kishte prerë në besë shokët e brigadës së vet partizane që luftonte në Ohër, duke i braktisur ata dhe duke u arratisur në Jugosllavi. Qëllimi i këtij veprimi ishte që të mësohej se Ndueja nuk ishte më në krahun e luftës partizane.
Nuk kishit frikë ju se kjo gjë do të verifikohej nga njerëzit e tyre dhe se e vërteta do t’ju dilte në shesh, duke rrezikuar dhe njeriun tuaj që në këtë moment do të ishte mes bandave?
Nga do ta verifikonin? Nuk vepronin aq prefekt gjërat. Besimet në njerëz krijoheshin duke vrarë njërin apo tjetrin që mund të të ngarkonin për të besuar. Kemi parasysh se rregullat e tyre ishin shumë të ashpra dhe shumë kriminale.
Më tej, si vazhdoi operacioni juaj i mashtrimit?
Që të bëhej edhe më e besueshme thashethemnaja që hapëm se Ndue Uka na kishte tradhtuar, ne vepruam me kujdes të madh dhe shumë institucionalisht. Kështu, unë mora forca të shumta të ndjekjes dhe të policisë dhe shkuam në mënyrë demonstrative dhe i vumë flakën shtëpisë së Ndues, duke lënë përjashta nënën e tij 60-vjeçare dhe të vëllain, Nikollën, që nuk i kishte bërë 16 vjeç. Kur më pyesnin njerëzit e shumtë që ishin mbledhur rreth shtëpisë që po digjej, – unë e kuptoja se ata e dinin por donin të provokonin se çfarë kishte ndodhur, – unë, sikur nuk e kisha idenë e thashethemnajës që ishte hapur, tregoja arsyen se pse e bënim një veprim të tillë. Pas kësaj, Ndueja e kishte të hapur rrugën për mal mes bandave.
Po me familjen e tij çfarë u bë?
I internuam në zonën e Lushnjës, që të ishin sa më larg syrit të njerëzve me të cilët njiheshin. Aty i integruam në jetën e zakonshme, pa bërë të ditur gjë se si e qysh e tek kishim vepruar.
Patët sukses?
Që të tregohem i sinqertë, nuk patëm shumë sukses, pasi ai nuk u besua plotësisht. Dyshimi mbi të nuk u hoq asnjë moment.
Keni pasur raste kur agjentët tuaj në radhët e bandave kanë rrezikuar?
Është një histori pikante e një shokut tonë të quajtur Zef Ndue Doda. Ai hyri në radhët e bandave me pseudonimin “Gjimnazi” dhe hiqej se ishte bashkuar me të vërtetë me ta. Por më vonë atë e morën vesh se kush ishte, për faktin se pranë pushtetit tonë kishin një agjent që punonte për ta dhe kishte jo detyrë të pakët, por ishte një prej kuadrove kryesorë. Quhej Pjetër Lufi, i cili saktësisht ishte shef i Degës së Brendshme të Mirditës. Zefi shpëtoi fare rastësisht nga ajo mesele, nga flaka që i vunë banditët për ta djegur të gjallë.
Si ka nisur kjo histori?
Pas “Gjimnazit” pra, siç të thashë, fshihej një fshatar i varfër që quhej Zef Ndue Doda.
Por Zefi kishte një konflikt të madh në fshatin e tij, si ato konfliktet që lindin shumë herë rëndom, por që më vonë ekzagjerimi i tyre kërkon jetë njerëzish. Kështu, me sa di unë, ai kishte dy vjet që nuk rrinte në shtëpi, por strehohej nëpër miq dhe njerëz të tjerë të afërt. Ka qenë viti 1947 atëherë. Në një moment Zefi u stresua shumë, duke mos qenë në gjendje më ta duronte këtë situatë, që të mos ishte i lirë të bënte jetën e tij. Kështu kërkoi strehim, apo mbështetje si mund të thuash, te njerëzit e shtetit, me qëllim që në rast se nuk do ta merrte atë mbështetje, do të detyrohej të bashkohej me bandat, duke mos i ngelur rrugë tjetër. Zefi ndërkohë ka pasur një miqësi dhe besim të madh te Bardhok Biba, po ashtu njihej mirë me dajën tim, të quajtur Ndue Mark Gjoka. Nëpërmjet tij kërkoi të më takonte mua e mandej, si u konsultua shkoi në takim te Bardhok Biba. Atij i sqaroi fill e për pe gjithë sa i kishte ndodhur dhe situatën e pazgjidhshme që kishte përpara. Bardhoku i tha që të mos trishtohej se ai ishte shumë i vlefshëm jo vetëm për veten, por edhe për gjithë njerëzit që ishin pre e bandave.
Ku e kishte fjalën Bardhok Biba?
Bardhoku, duke e parë që ishte një element i përshtatshëm dhe absolutisht i besueshëm për bandat, pasi e dinin të gjithë që gjatë viteve 1947-1948 kishte qenë vetëm i fshehur nëpër miq, s’kishte pse ta provonte më. Askujt s’do t’i shkonte mendja se ky u vu në shërbim të Sigurimit të Shtetit në këtë kohë.
Si u vu në shërbim të Sigurimit?
Bardhoku ishte përfaqësues i partisë në Mirditë dhe e lidhi Zefin menjëherë me shefin e Punëve të Brendshme të qarkut të Shkodrës, Zoi Themelin, i cili në atë kohë ishte major dhe më vonë u bë gjeneral. Pas kësaj nuk vazhdoi gjatë dhe Zefi i rekrutuar plotësisht, i ngarkuar me detyra të qarta të Sigurimit për të dhënë informacione vazhdimisht për vendndodhjen e bandave, u fut në banda, duke u vendosur në radhët e njërës prej tyre, që komandohej nga Ndue Bajraktari. Kjo gjë iu duk shumë normale të gjithë anëtarëve të bandës, pasi i kishte mbetur e vetmja rrugë, ishte para vrasjes në fshatin e tij.
Pse gjente mbështetje pikërisht vetëm te bandat?
Po kështu hynin spontanisht. Ishin shumë pak ata që kishin qëllime të pastra politike si kundërshtarë të regjimit, ndërsa të tjerët që përbënin dhe shumicën dërrmuese kishin probleme hasmërish, apo probleme frike me pushtetin e ri komunist.
Si vijoi më tej loja e “Gjimnazit”?
Nuk shkoi mirë, megjithëse Sigurimi i Shtetit dhe forcat e ndjekjes përfituan shumë. Çështja vajti e tillë, se krerët e bandave e morën vesh menjëherë dhe shumë saktësisht të gjithë lojën e “Gjimnazit” (Zef Ndue Doda).
Si arritën ta mësonin një gjë të tillë?
Nuk fusnim vetëm ne agjentë në radhët e bandave, por edhe ata nuk rrinin duarlidhur. Dërgonin agjentët e tyre në radhët tona, të cilëve ne, – ta shpjegova edhe pak më lart, – jo vetëm u besonim shumë, por u ngarkonim detyra të larta. Ishin situata aq të komplikuara sa që t’i bënin nervat ujë, pasi nuk kishe besim tek asgjë. Nuk dije kë kishe në krahë dhe si do të vente puna. Ti nisje një aksion për të kapur një kriminel dhe e pësoje nga shoku i aksionit, që kishte lidhje me kriminelin. Kështu ndodhi dhe me rastin e “Gjimnazit”, ku, sa shkoi në bandë, ata u njoftuan prej njeriut të tyre, që ishte Pjetër Lufi. Të shpjegova pak më lart, se Pjetër Lufi ishte në detyrën e shefit të Degës së Brendshme të Mirditës dhe kishte dijeni të plotë për ata që futeshin në banda. Kështu që ai i njoftoi hollësisht për rastin e “Gjimnazit”, duke u thënë se është dërguar nga Bardhok Biba, prandaj të merrnin masa.
Si vijoi më tej kjo situatë?
Ka qenë një nga momentet më të vështira për Zefin (Gjimnazin). Atë deshën ta digjnin të gjallë, por e ka shpëtuar vetëm mprehtësia e logjikës së tij, në momentet e fundit, madje në çastet më fatale do të thoja.
Shpjegohuni më qartë, ju lutem?
Ishte darkë. Errësira mbuloi gjithçka rreth vendit me pemë dhe kaçube ku qëndronte banda e Ndue Bajraktarit, në të cilën ndodhej dhe “Gjimnazi”. Vetë Ndue Bajraktari me dy shokët e tij, Ludovik Saraçin dhe Dod Mark Gjokën, u kthyen tepër të egërsuar nga një takim që kishin pasur në një vend sekret me njeriun e tyre, që të shpjegova më lart, pra Pjetër Lufin (Shefi i Mirditës), ku kishin mësuar se Zef Ndue Doda (“Gjimnazi”) ishte në shërbim të komunistëve. Me këtë zemërim që i kishte pushtuar erdhën në errësirë dhe menjëherë dhanë urdhër që të lidhej Zefi. Urdhri u zbatua menjëherë nga anëtarët e bandës. Pas kësaj, e morën pa i dhënë asnjë shpjegim dhe e lidhën pas një trungu peme të thatë. Ndërsa i kalonin litarin rreth pemës ku e kishin mbështetur, Zefit i mërmërisnin se nuk meritonte dënim të lehtë, veçse më të rëndë se ky që po i bënin. Zefi, duke kujtuar se mund të bënin shaka, fillimisht nuk tregoi ndonjë shqetësim të madh, por që dalëngadalë po kuptonte se ishte diçka shumë serioze.
Nuk ia merrte mendja Zefit se mund të zbulohej? 
Si mund t’ia merrte mendja, kur rastin e tij, që ishte vënë në shërbim të komunistëve, e dinin vetëm tre njerëz tepër të besuar të shtetit të atëhershëm, siç ishin Bardhok Biba, (sekretar i parë i partisë), Zoi Themeli (shef i Punëve të Brendshme të qarkut të Shkodrës) dhe Pjetër Lufi (shef i Degës së Punëve të Brendshme të Mirditës).
Mirëpo, kur Ndue Bajraktari i vuri flakën pemës, që Zefi të digjej bashkë me të, e pa se nuk po bëhej shaka. Situata ishte tepër e vështirë. Pema, siç tregoi më mbrapa ai, mori flakë menjëherë se ishte e thatë. Gjendja e tij po bëhej dramatike, pasi nxehtësia po i përshkonte trupin, aq sa u bë e padurueshme.
Si mundi t’i bënte ballë?
Ndërsa flakët e lisit ku ishte lidhur po i arrinin në trup, ai gjithmonë duke ruajtur gjakftohtësinë iu drejtua Ndue Bajraktarit duke qeshur, që të mos bënte shaka se po digjej. Ndue Bajraktari dhe Pjetër Lleshi (vrasësi i Heronjve të Vigut) ia kthyen se nuk bënin aspak shaka, por e kishin me të vërtetë; tani kishte ardhur momenti që ai të vdiste. Jo vetëm kaq, por kështu do ta pësonin të gjithë komunistët që do të guxonin të mateshin me ta.”
“Për çfarë e keni fjalën, – tha pas kësaj Zefi, – se nuk po ju kuptoj?”. “Trego kush je, – vazhdoi Ndue Bajraktari, – se ti nuk je me ne, por je ‘Gjimnazi'”.
Në moment Zefi e kuptoi se ishte tradhtuar dhe duhej të bënte diçka që t’i shpëtonte vdekjes, e cila do ta përlante për punë çastesh. Në moment, duke mos e humbur toruan, ia ktheu Ndues: Aaa, e keni fjalën për rastin që më ngarkuan detyrën Bardhok Biba, Pjetër Lufi dhe Zoi Themeli!? Po more, këtu nuk ka ndonjë gjë që nuk shkon. Ata me të vërtetë më kanë thënë që t’ju shërbeja, por varet se, a e pranova unë, dhe më shumë për këtë kam ardhur, që t’ju tregoj çfarë po ndodh rreth jush. Nuk jam gjë unë, por të dini ju sa ‘Gjimnazër’ keni rreth vetes, do të çuditeshit. Po t’i digjnit të gjithë nuk do t’ju mjaftonin lisat”. Pas këtij çasti, Ndue Bajraktari dhe Dod Mark Gjoka, të çoroditur nga sa dëgjuan, dhanë urdhër të zgjidhej menjëherë. Ishte momenti kur digjej trungu pas duarve të Zefit. Kështu, për punë sekondash, ai shpëtoi nga vdekja.
Pse reagoi në atë mënyrë Zefi?
S’kishte rrugë tjetër dhe e kuptoi se ata kishin informacion të plotë për detyrën që i ishte ngarkuar atij. Në këtë çast ai kuptoi menjëherë se nga dikush ishte tradhtuar.
Si veproi Ndue Bajraktari pasi e zgjidhi Zefin?
I tha që të rrinte me të tjerët dhe do të shikohej më vonë qëndrimi i tij me bandën. Për këtë, në radhë të parë, do të jepte prova të mjaftueshme, ndryshe do të përgjigjej. Por detyra e parë, – në qoftë se ishte ashtu siç pretendonte Zefi, se nuk e kishte pranuar “ofertën” e Bardhok Bibës, -ishte që urgjentisht të vriste një kuadër të lartë të komunistëve, ndryshe punën do ta kishte shumë pisk, pasi nuk do të besohej. Zefi i tha se do ta vriste patjetër, se ai do ta shikonte çfarë provash do të jepte. Pas kësaj, Ndue Bajraktari u largua po me të njëjtin nxitim që erdhi, ndërsa gjithë të tjerët rrinin në kaçube të veçanta, duke pritur një ushqim karakteristik që përdornin kur ishin në male, që quhej pulendër e që po vlonte në kazan.
Çfarë bëri Zefi, që desh e pësoi?
Dhe Zefi, ashtu si të tjerët, priste pulendrën që të ziente. Nuk e jepte veten, se binte në sy. Mendonte me veten se kush mund ta kishte tradhtuar. Kishin dijeni vetëm tre vetë për misionin e tij: Bardhok Biba, Zoi Themeli dhe Pjetër Lufi. Këtë duhej ta gjente patjetër, se ndryshe ishin punët pisk. Truri i tij i vënë në aktivitet të plotë në ato çaste, mendoi një zgjidhje të mirë për të zbuluar të vërtetën. Për këtë zgjodhi që të përdorte një nga banditët, të quajtur Ludovik Saraçi.
Pse pikërisht zgjodhi Ludovikun?
Sepse ai ishte personi më i përshtatshëm për të rënë në grackë, se ishte njeri me shkollë dhe nuk i dinte mirë hilet e banditëve…
(vijon nesër)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu