(E plotësuar) Doganës së Kosovës i janë “avulluar” 300 mijë euro nga pagesat për zhdoganimin e mallrave në terminalin doganor në Pejë. Kjo ka ndodhur me rastin e zhdoganimit të mallrave që kanë hyrë nëpërmjet pikëkalimit kufitar në Kullë, e cila lidh Kosovën me Malin e Zi, nga importuesit, të cilët pagesat e nevojshme ndaj Doganave i kanë bërë nëpërmjet Agjencisë për Transfere Parash, Unioni Financiar i Prishtinës (UFP), dega në Pejë.
Kjo e fundit u ka lëshuar importuesve vërtetime origjinale për pagesat e kryera, në bazë të të cilave oficerët doganorë më pas i kanë lëshuar ngarkesat me mallra nga terminali, ndërsa dega e UFP-së asnjëherë nuk i ka bartur mjetet e paguara në vlerë prej rreth 300 mijë euro në llogari të Doganave.
Pas përvetësimit të 300 mijë eurove të Doganave nga punonjësit e degës së UFP-së në Pejë, mësohet se kjo e fundit tashmë është mbyllur, ndërsa nuk dihet fati i këtyre parave që i takojnë buxhetit të shtetit.
Mbyllet zyra para se të fillojnë hetimet
Zyrtarët e Doganave të Kosovës kanë konfirmuar për “Zërin” se dega e Unionit Financiar të Prishtinës (UFP) në Pejë nuk i ka bartur në llogarinë e tyre rreth 300 mijë euro.
Prandaj, sipas tyre, kanë filluar hetimet nga Dogana, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, e cila e ka licencuar këtë institucion për transfer parash.
“Besojmë se shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete për këtë rast nga hetimet e filluara”, pohon drejtori i Doganave, Naim Huruglica.
Zyrtarët doganorë bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur në fund të muajit shtator të këtij viti, ndërsa është zbuluar para dy javëve, në momentin që e kanë vërejtur se mjetet e paguara nuk u kanë dalë në xhirollogari, me ç’rast menjëherë kanë filluar hetimet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe BQK-në.
Megjithatë, pak ditë para se Dogana dhe Policia të fillojnë hetimet, personat përgjegjës që kanë lëshuar vërtetime të pagesave dhe të cilët dyshohet se i kanë marrë 300 mijë euro e kanë mbyllur zyrën e UFP-së në Pejë.
Burimet e gazetës shtojnë se përpos 300 mijë euro të Doganave dyshohet se punonjësit e UFP-së në Pejë të kenë vepruar në të njëjtën mënyrë edhe me qytetarë tjerë që kanë bërë pagesa tjera të shërbimeve publike etj.
Gazeta “Zëri” ka tentuar t’i kontaktojë të dielën drejtuesit e UFP-së nëpërmjet numrit kontaktues, të cilin e kanë në ueb-faqen zyrtare. Në këtë numër janë përgjigjur nga shërbimi për klientë, të cilët kanë thënë se nuk mund ta japin numrin personal të drejtuesve të UFP-së për t’i kontaktuar për këtë çështje.
“Nuk mund ta japim numrin e tyre. Sot është e diel, ne jemi shërbimi për konsumatorë”, ka thënë nëpërmjet telefonit një punonjësve e UFP-së.
Ndërsa në ueb-faqen zyrtare të UFP-së thuhet se ofrojnë shërbimin Union Net (Arkëtime dhe Pagesa)-Western Union (Transfertë Parash) në më se 190 agjenci në territorin e Kosovës. Po ashtu bëhet e ditur se konsumatorët nëpërmjet tyre mund të paguajnë faturat e rrymës pa provizion, të gjitha pagesat për studentët etj.
As zyrtarët për informim në Policinë e Kosovës nuk janë përgjigjur të dielën në telefon, të kontaktuar nga “Zëri”.
Përndryshe, në vitin 2001 Doganës i kishte ndodhur që të pranojë pagesa të falsifikuara nga transportuesit, ku edhe kishin filluar hetime policore për këto raste.
Prej vitit 2002 e deri më tani Doganat nuk kanë regjistruar raste të tilla, pavarësisht se i kanë grumbulluar në buxhetin e Kosovës mbi 4.5 miliardë euro.
300 mijë euro dëmi, 200 mijë licenca
Unioni Financiar i Prishtinës (UFP) është i licencuar nga Banka Qendore e Kosovës për transfere parash, transfere hyrëse dhe dalëse.
Megjithatë, disa nga zyrtarët e BQK-së, të kontaktuar të dielën nga gazeta “Zëri”, nuk kanë qenë në dijeni për këtë rast.
Sipas Ligjit të BQK-së Nr. 04/L-093 për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucioniet financiare jobankare, shuma minimale e kapitalit të paguar për të themeluar dhe mirëmbajtur një institucion mikrofinanciar, ose institucion jobankar financiar është dyqind mijë euro, apo ndonjë shumë tjetër e cila mund të përcaktohet me rregullore të nxjerrë nga BQK-ja.
Kjo shumë e paguar nga institucionet jobankare, e cila mbahet në BQK është për 100 mijë euro më e ulët se sa dëmi që i është shkaktuar Doganave dhe atyre që kanë futur mallra në Kosovë nga institucioni jobankar.
Sipas ligjeve në fuqi, Dogana mund të kërkojë që importuesit e mallrave t’i bëjnë pagesat përsëri, pavarësisht se njëherë e kanë bërë një gjë të tillë.
Nga Lavdim Hamidi