Dokumentet sekrete të CIA: Bisedat e Zogut me Titon në 1952

0
785

(Pjesa I)

Tito negocioi për ta tërhequr Ish-mbretin në Jugosllavi.

Zogu refuzoi ftesën për t’u vendosur në Beograd.

Dokumentet sekrete të operacioneve të CIA-s.

Bisedimet e panjohura të Zogut me Titon.

Raportet e amerikanëve për përpjekjet e ish-mbretit për të ardhur në pushtet.

Dy dokumentet e botuara sot, të zbuluara në arkivin e deklasifikuar të operacioneve klandestine të CIA-s, që flasin mbi situatën për Shqipërinë në vitin 1952, hedhin dritë mbi një temë mjaft interesante. Marrëdhëniet e Zogut me Titon gjatë viteve 1952-53. Bashkëpunimi i ish-mbretit Zog me Titon dhe palën jugosllave më qellim rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës, është një temë e panjohur më parë nga studiuesit e kësaj periudhe, të cilët e kanë studiuar atë. Duke filluar nga sot çdo të dielë gazeta “Panorama” do të botojë një cikël shkrimesh që hedhin dritë mbi këtë çështje. Mbreti Zog, i strehuar në Egjipt, përpiqej të luante një rol të rëndësishëm në planet që amerikanët kishin hartuar mbi mundësinë e rrëzimit të regjimit të Enver Hoxhës. Megjithëse e kishte të vështirë të ndërmerrte diçka konkrete kundër qeverisë komuniste, Zogu me sa duket ishte inkurajuar nga zhvillimet e fundit politike. Për këtë arsye, Mbreti Zog, me sa kuptohet nga dokumentet e kohës, mendon se një ndihmë nga pala jugosllave do ta bënte atë përsëri një faktor të rëndësishëm në të ardhmen e Shqipërisë. Për këtë arsye ai i kthehet përsëri një skenari të vjetër: bashkëpunimit me jugosllavët, një bashkëpunim i cili e kishte sjellë atë në pushtet gati 30 vite të shkuara, kur në pak ditë, me një ushtri të vogël mercenarësh të futur nga kufiri me Jugosllavinë, i rrëmbeu pushtetin Peshkopit të Kuq Noli. Dokumentet amerikane të dala nga arkivi i deklasifikuar tashmë, për studiuesit dëshmojnë se Zogu kishte kërkuar me anën e një personazhi të panjohur për amerikanët fillimin e bisedimeve me Titon në vitin 1952. Nga raportimet e amerikanëve, që i ndiqnin këto bisedime në distancë duket se jugosllavët ishin mjaft të shqetësuar mbi atmosferën anti-jugosllave që mbizotëronte në Shqipëri. Për këtë arsye, Tito e mirëpret një përfshirje të Zogut në mundësinë e një kryengritjeje, e cila do ta rrëzonte Enver Hoxhën nga “froni”.
Bisedimet e para, maj 1952
Në dokumentin e parë që po botojmë kemi një konfirmim të kohës së këtyre bisedimeve, që duket qartë se është maji i vitit 1952. Po kështu, shikohet qartë se Zyra e Operacioneve Klandestine, e njohur si OPC, ka dërguar një zyrtar të lartë të saj për të takuar ish-mbretin Zog, me kërkesën e këtij të fundit, me qëllim raportimin e ecurisë së bisedimeve me jugosllavët. Zogu është treguar mjaft i matur, duke dashur të raportojë tek amerikanët çdo hap që ai ndërmerrte për bisedimet e tij me Titon. Duke e kuptuar qartë interesimin e madh që amerikanët kanë pasur për operacionet klandestine kundër Hoxhës, Zogu është treguar një diplomat i aftë për të ruajtur marrëdhënie sa më të mira me miqtë e tij të rinj amerikanë dhe për të raportuar çdo bisedë që ai ka bërë me miqtë e tij të vjetër jugosllavë.
Plani Tito-Zogu për kryengritje në Shqpëri
Dokumenti i dytë që botohet sot për herë të parë sjell informacione shumë interesante mbi bisedimet e emisarëve të Zogut me palën jugosllave. Jugosllavët, me sa duket shumë të shqetësuar mbi situatën në Shqipëri dhe qëndrimin e fortë anti-Tito që mbante pala shqiptare në linjën e Stalinit, duket se po mendonin seriozisht një rrëzim të Hoxhës me çdo mënyrë të mundshme. Mbështetja për Zogun ishte një alternativë shumë e pëlqyer për Titon, i cili e kishte ndarë mendjen për një ndërhyrje sa më të fortë në Shqipëri, edhe nëse Zogu nuk do të kishte mundësi të përfshihej në një kryengritje të mundshme. Megjithatë, dërgimi i përfaqësuesve personalë të Titos pranë Zogut dhe ftesa për një zhvendosje të mundshme të Zogut dhe familjes së tij në Beograd duket se janë levizje të cilat janë llogaritur nga Tito për të shprehur një besim tek ish-mbreti shqiptar, por edhe për të arritur disa fitore diplomatike. Zogu, një diplomat i aftë për të nuhatur nuancat ballkanike, ka pranuar takimin me të dërguarit personalë të Titos, por duhet ta ketë refuzuar me xhentilesë ftesën për t’u zhvendosur në Beograd, të bërë nga lideri i njohur komunist i Jugosllavisë. Nëse Tito do të merrte atë që kërkonte dhe të tërhiqte Zogun në Beograd, lideri karizmatik jugosllav do të kishte arritur një fitore shumë të madhe propagandistike. E para duke e konfiguruar Zogun si një alternativë për qeverisjen e një Shqipërie pro-jugosllave, e dyta si një kërcenim potencial ndaj Hoxhës dhe e treta, si një përpjekje për të zbutur faktorin kosovar, i cili duke parë ish-mbretin Zog në krah të Titos, do të ulte tonet nacionaliste.
(vijon…)

Faksimile nr. 1 e dokumentit sekret të CIA-s

TOP SEKRET
Memorandum: Zv.drejtori për Koordinimin e Politikave, SE
BGFIEND: Raporti javor
Shtator 1952

Gjatë muajit shtator, përfaqësuesit britanikë dhe amerikanë në Romë vazhduan bisedimet me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje me të gjitha fraksionet, si dhe një ri-organizim të Komitetit si dhe zgjerimin e tij. Raportimet nga Roma bëjnë me dije se deri më tani shumë pak progres është arritur në këtë drejtim. Balli Kombëtar refuzon me këmbëngulje zgjerimin e Komitetit. Kemi gjithashtu raportime kontradiktore mbi pozicionin që tashmë britanikët duan të mbajnë mbi këtë çështje. Kemi urdhëruar përfaqësuesin tonë që të jetë i kujdesshëm në bisedime, deri sa ne të sqarojmë pozicionin e britanikëve, si dhe të shikojmë se cilët elementë të Komitetit do të përkrahin qëndrimin tonë.

Gjatë javës së parë të shtatorit ( ) bisedoi me Mbretin Zog në Aleksandri. Zogu deklaroi se përfaqësuesit e tij ishin pritur në mënyrë mjaft miqësore nga jugosllavët gjatë takimit në Shkup, në fund të gushtit. Zëdhënësi i jugosllavëve deklaroi se jugosllavët dëshironin të shikonin një rrëzim të regjimit aktual në Shqipëri nga vetë shqiptarët, me në krye Zogun, por në rrethanat e patolerueshme të vendit, jugosllavët do ta rrezonin regjimin vetë nëse Zogu dhe shqiptarët e tjerë nuk i kishin mundësitë për ta bërë një gjë të tillë.
Jugosllavet ranë dakord që të dërgonin sa më shpejt përfasqësues direktë për të biseduar me Zogun në çështje të politikave, si dhe detaje operacionale. Jugosllavët gjithashtu deklaruan se nëse Zogu dhe familja e tij dëshironin të largoheshin nga Egjipti, ata do të ishin gjithmonë të mirëpritur në Beograd.

Faksimile nr. 2 e dokumentit sekret të CIA-s

TOP SEKRET
Memorandum: Zv.drejtori për Koordinimin e Politikave, SE
BGFIEND: Progres-raporti ditor, e martë, 27 maj 1952

(Emri i zyrtarit-shënim red.) SE/PC Zëvendësi u nis më 27 maj 1952 për të biseduar me ish-mbretin Zog me kërkesën e këtij të fundit, mbi statusin e negociatave aktuale me jugosllavët.
Me mbërritjen e ( ) më 30 maj, Zogu pret që të ketë rezultatet e bisedimeve të negociuara në Turqi nga përfaqësuesi i tij, i cili kërkoi bisedimet me Titon në fillim të majit.
( ) Raporton se Komiteti i Shqipërisë së Lirë ka marrë lajm nga një prej dy grupeve që ka dimëruar në Jugosllavi se janë rifutur përsëri në Shqipëri. Komiteti po bën përpjekje për të verifikuar vërtetësinë e këtij lajmi dhe letrës që grupi ka dërguar nga Jugosllavia. Kryetari i grupit ka qenë instruktuar që të komunikojë vetëm nëpërmjet kësaj adrese.

Nga AURON TARE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu