Doli prej zarfit, tash nuk del prej zyrës!

0
779

Maskarada e organizuar nga ambasadori Christopher William Dell dhe kidnapuesi i shtetit Hashim Thaçi këto ditë mori formën përfundimtare: me bekimin e Gjykatës Kushtetuese Atifete Jahjaga mund të mbajë postin e kryetares – si rezultat i një marrëveshjeje politike antikushtetuese dhe antidemokratike

1.

Së pari një lajm i mirë: më së largu në shtator nga Kosova do të largohet Christopher William Dell, i cili që nga korriku 2009 shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Kur erdhi në Kosovë, Dell ngjalli disa shpresa. Menjëherë mbajti fjalime, ku nënvizoi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit, i përmendi viktimat që me vite presin drejtësinë, kritikoi plaçkitësit e Kosovës, të cilët sillen si kapadainj. Shoqëria civile e Kosovës, gazetarët, në përgjithësi opinioni kritik e mirëpriti këtë qasje të ambasadorit. Por, në fund të mandatit bilanci i Dellit është tejet i dëmshëm: në kujtesën e opinionit iluminist ai mbetet vetëm si shkatërrues i demokracisë, i intervenimeve arbitrare dhe kurdisjeve të vendimeve. Në vazhdim do të tregohet edhe pse mbetet i tillë.

2.

Paraardhësja e Dellit, Tina S. Kaidanow, kishte lënë një nam të keq prapa, duke u marrë me mikromenaxhim të politikës, mes të tjerash, edhe me qëndisjen e flamurit të Kosovës, me të cilin vështirë të identifikohet dikush – jo pse Kosova nuk duhet të ketë flamur, por pse ky bajrak është imponuar nga lart dhe jo si rezultat i një debati publik. Një shembull tjetër: a e mban mend dikush ndonjë fjalë nga momenti kur Hashim Thaçit si kryeministër i thanë ta recitojë proklamatën e pavarësisë? Jo! Jo, sepse deklarata e redaktuar nga Tina S. Kaidanow dhe vartësit e saj tingëllonte si një ditiramb i dobët, i cili dikur zakonisht lexohej me rastin e hapjes së kooperativave bujqësore në kampin komunist.

3.

Pas deklaratave premtuese në fillim të mandatit, Christopher William Dell e vazhdoi traditën e keqe të pasardhëses së tij. Në tri vitet e fundit ai ka qenë i përfshirë në pothuaj të gjitha veprimet e ndotura, të cilat ia kanë humbur kuptimin garës demokratike. Në Prishtinë ka diplomatë të Bashkimit Evropian, të cilët ankohen se ndikimi destruktiv i Dellit shkon deri aty sa e cakton edhe orarin se kur mund të shkojnë në WC liderët lokalë dhe disa përfaqësues të huaj. Kur e gjithë Kosova fliste dhe mediet shkruanin për politikanë të dyshuar për keqqeverisje dhe korrupsion, Dell nuk ngurronte t’i merrte ngrykë ose të dilte nëpër bare të Prishtinës me ta. Kur Kuvendi i Kosovës në shkurt 2011 në një atmosferë të kërcënimeve dhe shantazhit e zgjodhi në mënyrë antikushtetuese një matrapaz në postin e presidentit të Kosovës, rolin kyç – krahas kaubojit Sami Lushtaku dhe kidnapuesit të shtetit të quajtur Hashim Thaçi – e luajti ambasadori Dell. Mesazhet telefonike, të cilat citojnë Dellin, paraqesin ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor të presidentit dhe do të mbesin në analet e historisë si moment i ndotjes së procedurave demokratike. Kur mediet i publikuan fotot me SMS, Dell inatçiu u përpoq t’u mbante ligjëratë gazetarëve për rregulla profesionale. Kjo ishte një ndërmarrje qesharake dhe e destinuar për dështim.

Kur Gjykata Kushtetuese e quajti zgjedhjen e matrapazit, i cili kishte thënë  “Srbija [je] još majka Kosova, nažalost, zla majka”, si antikushtetuese, Dell e nxori nga zarfi një emër: një police ordinere, me dije politike nën mesataren e shumë qytetarëve të zakonshëm të Kosovës, do të bëhej presidente. Atifete (kush?) Jahjaga! Një marrëveshje politike, e arritur nën kërcënimet e Dellit, caktonte afatet kohore për zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale dhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare, përfshirë edhe ndryshimet përkatëse në legjislacion. Nënshkrues të marrëveshjes ishin kryeministri, kanakari i tij dikur ish-komisar politik i Kremlinit, si dhe lideri i ngathët i opozitës. Marrëveshja caktonte afate kohore për këto reforma dhe për mbajtjen e zgjedhjeve.

4.

Ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili menjëherë pas zgjedhjes së Jahjagës presidente e citoi Kushtetutën, e cila përcakton një mandat pesëvjeçar të presidentit/presidentes. Kjo ishte një shuplakë e atypëratyshme për nënshkruesit e marrëveshjes dhe autorin e saj, ambasadorin Dell. Më vonë Krasniqi do të ankohej se me imponimin e Jahjagës si presidente ishin ulur niveli dhe profili publik që vetëkuptueshëm kërkohen për t’u zgjedhur në postin e presidentit. Këto deklarata paksa kryengritëse të kryetarit të Kuvendit bënë që Dell ta shpallte atë pothuaj armik të Amerikës – një metodë perverse kjo për luftimin e atyre që mendojnë ndryshe. Dhe kjo metodë është përdorur me bollëk të neveritshëm si nga Delli, ashtu edhe nga kidnapuesit e shtetit me Hashim Thaçin në krye, të cilët erdhën në pushtet me vota të vjedhura dhe me bekimin e ambasadorëve si Dell.

5.

Tani kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila, siç e ka nënvizuar edhe profesor Arsim Bajrami, me një formulim të paqartë bekon mandatin pesëvjeçar të presidentes – deri në vitin 2016. Sipas Gjykatës, shkurtimi i mandatit të Jahjagës “duket se pakëson” të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me Kushtetutë. Thënë më së buti, ky vendim është shkruar me hamendje, me tahmin, siç thuhet në gjuhën popullore. Ambasadori Dell sot e quan marrëveshjen politike të arritur me rastin e zgjedhjes së Jahjagës hiç më pak se – gabim, por prapë përpiqet ta mbrojë, sepse paskësh qenë e diktuar nga rrethanat. Një gabim i mirë, pra? Dellit i takon merita në shpikjen e nocioneve të reja politike. Njëkohësisht ai apelon që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe bën disa elozhe qesharake mbi “punën e shkëlqyeshme” të presidentes, ndonëse për çdo ditë ne shohim një grua që ka probleme elementare të lexojë madje edhe një fjalim të shkruar nga vartësit e saj. Ndoshta Dell si punë të shkëlqyeshme të Jahjagës e sheh edhe rrahjen e një qytetari nga gorillat e saj – për shkak se qytetari kishte kërkuar t’i hapej rruga e zënë me veturat e Zyrës së presidentes, e cila po ujdisej në një sallon bukurie para takimit me presidentin e Shqipërisë.

6.

Atifete Jahjaga e ka bërë tashmë të qartë se nuk do të largohet nga posti i kryetares – përkundër marrëveshjes politike. Mesazhi i saj është ky: “Unë kam dalë prej zarfit, tash nuk dalë prej zyrës”. Ç’të bëjë opinioni i Kosovës me një presidente të tillë? Rrethanat e zgjedhjes së saj nga një marrëveshje politike antikushtetuese e bëjnë Jahjagën presidente me legjitimitet të cunguar. Është punë e karakterit të saj nëse do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, siç ka qenë punë karakteri edhe kur pranoi postin e presidentes. Por, përgjegjësinë më të madhe për këtë katrahurë politike gjithsesi e bartin shkaktarët e saj, e në radhë të parë Christopher William Dell. Të gjithë janë shkelës të Kushtetutës. Por, kjo nuk do ta shqetësojë Dellin: ai siklet të vetëm në të ardhmen do të ketë karrierën e tij. Prej postit të ambasadorit Dell duket se do të prapakthehet në shkallët e karrierës dhe në të ardhmen do të kryejë – me gjasë – një detyrë qatipi në një zyrë në Stuttgart, ku, sipas fjalëve të tij, do të merret me ushtrinë amerikane në Afrikë. Sa për krahasim: kolegu i tij ambasador në Shkup (2008-2011), Philipp T. Reeker, para një viti u emërua zëvendësndihmëssekretar i shtetit dhe është ndër zyrtarët kyç të politikës së jashtme amerikane.

7.

Nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga Delli dhe e nënshkruar nga tre politikanët e përmendur, i laguri i vetëm del kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. I gjendur nën kërcënimet e Dellit dhe jo fort i gatshëm të përballojë presionin, ai nënshkroi një dokument të pavlerë. Edhe kësaj radhe u dëshmua vërtetësia e thënies së Ciceros: “Epistula non erubescit” (letra nuk skuqet ose letra duron gjithçka). Njëjtë ishte djegur edhe ish-kryetari Fatmir Sejdiu, i cili, ndonëse profesor i drejtësisë dhe jo i papërvojë në politikë, u kishte besuar verbërisht “marrëveshjeve orale” me “ndërkombëtarët”. Nga kjo përvojë jo vetëm Isa Mustafa duhet të nxjerrë mësime.

I pari mësim duhet të jetë ky: derisa Partia Demokratike e Kosovës është një firmë biznesi që vepron jashtë kornizës demokratike dhe derisa kryetari i saj, i cili për fatkeqësinë e Kosovës është edhe kryeministër, vazhdon të bëjë politikë sipas parimit “kujt-po-ia-lëshoj-sot”, nuk duhet të nënshkruhet asnjë marrëveshje – as me PDK-në, as me Thaçin.

Mësimi i dytë: opozita e Kosovës duhet të bashkohet rreth synimit për të shporrur nga pushteti një firmë biznesi, tenderësh dhe krimesh, e cila vepron nën siglën PDK.

Mësimi i tretë: synimi për ndryshime cilësore në qeverisjen e Kosovës nuk arrihet me shfryrje pseudopatriotike dhe djegie flamujsh të Kosovës (siç veprojnë aktivistët e Vetëvendosjes), por po aq pak arrihet me opozitë vëzhguese, siç po e praktikon Lidhja Demokratike e Kosovës, një klub pleqsh që ambicie të vetme nuk e kanë zhvillimin e Kosovës, por ruajtjen e disa privilegjeve nepotiste. (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbetet e paralizuar për aq kohë sa lideri i saj vazhdon të ndiqet nga drejtësia ndërkombëtare).

Mësimi i katërt që duhet të nxirret është ky: në të ardhmen partitë opozitare shqiptare, të cilat së bashku kanë më shumë vota se PDK-ja, duhet të fokusohen në bindjen e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje. Nëse pushtetin e zgjedhin nja 25 deri 30 për qind e votuesve, siç ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara, atëherë nuk mund të flitet për demokraci përfaqësuese. Kjo është demokraci klienteliste: në zgjedhje dalin vetëm ata që përfitojnë drejtpërdrejt nga sistemi korruptues (një vend pune, një tender, një privilegj), ndërsa 70 për qind e votuesve fishkëllejnë të zemëruar ose me vullnetin e tyre praktikojnë avashllëkun, duke e pranuar keqqeverisjen si “nafakë të keqe”. – Jo, keqqeverisja nuk është nafakë e keqe – është rezultat i apatisë, dembelizmit dhe anarkisë së vlerave.

[email protected]

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu