“Don Bosko”, 2 hektarë e 6 arë, asnjë cent tatim!

0
913

Opozita kryeqytetase mbetet pranë vlerësimeve të tyre se ata janë të pakënaqur me trajtimin e pronave komunale. Kjo pasi, sipas tyre, kryetari Isa Mustafa jep në shfrytëzim pronat e Komunës pa asnjë kriter. Ndërsa pushtetarët arsyetohen se të gjitha këto i bëjnë në pajtim me dispozitat e ligjeve në fuqi që i kanë rregulluar këto çështje. Përfaqësuesi i opozitës, Shemsi Veseli, udhëheqës i grupit të deputetëve të PDK-së në KK të Prishtinë, edhe të hënën ka ripërsëritur se qëndrojnë pranë akuzave që i kanë bërë për pushtetarët e kryeqendrës se transaksionet e këtyre pronave dhe pasurive komunale janë bërë në mënyrën më jotransparente dhe më perfide. Kjo pasi, sipas deputetit Veseli, “puna e Ekzekutivit komunal në raport me llogaridhënien para Kuvendit Komunal nuk është aspak transparente”. Ai thotë se edhe kur bëhen transaksione nuk është e qartë se për çfarë qëllimesh dhe destinacioni jepen në shfrytëzim këto prona. Kjo lë vend për dyshime të mëdha se bëhet fjalë për përfitime personale nga këto transaksione. Si shembull të tillë, Veseli e përmendi ndarjen e lokacionit që i është bërë para dhjetë vjetësh, kurse kohë më parë i është zgjatur shfrytëzimi i kësaj toke Qendrës Sociale “Don Bosko”, që ka një sipërfaqe prej 2 hektarë e 67 arë tokë. Veseli thotë se kjo OJQ që nga paslufta nuk ka paguar madje asnjë cent në konton e Komunës së Prishtinës.

Ndarja e pronave, e dyshimtë

Po këto vlerësime dhe kritika në adresë të krerëve komunalë të Prishtinës dhe z.Isa Mustafa i ka bërë edhe deputeti i AKR-së, Aziz Pacolli, i cili tha se qëndron pranë vërejtjeve që ditë më parë i ka dhënë në adresë të pushtetarëve të Prishtinës. Ndarja e pronave nuk është aspak transparentë, kurse pushtetarët me punën e tyre dhe me veprimet e tyre vetëm sa po e ngjallin dyshimin se janë të përfshirë në afera korruptive. Edhe ky si shembull të tillë të ndarjes së parcelave të Komunës e përmendi OJQ-në “Don Bosko”, pasi, sipas tij, kjo OJQ, nga një organizatë humanitare është shndërruar në një shkollë që bën biznes profitabil, e për këtë nuk paguan asnjë cent në konton e Komunës. Këshilltari i PDK-së, Veseli, si raste të fundit të dhënies me qira të pronave të paluajtshmërive komunale ka përmendur pronat që janë dhënë në shfrytëzim muaj më parë nga kreu i Komunës dhe që, sipas tyre, janë disa hektarë në rajonin ku gjendet Shkolla e Mesme Ekonomike dhe ajo Bujqësore, ku dhjetë kompanive private dhe disa agjencive e klubeve sportive u janë dhënë prona komunale për shfrytëzim për një afat kohor nga 3 -10 vjet, në mesin e të cilave edhe qendrës për aftësim profesional “Don Bosko”. Veseli ka thënë se edhe pse janë opozitë nuk i kanë parë kontratat për këto raste, por në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës vetëm janë njoftuar, e asgjë më tepër.

Mst/ Nxënësit paguajnë 80 euro në muaj

Mirëpo, këto akuza të opozitës i ka mohuar të hënën koordinatori i qendrës sociale, “Don Bosko”, Don Leka, dhe ata të Komunës së Prishtinës. Sipas Lekës, “qendra e tyre është joprofitabile, e ka një hapësirë prej 2 ha e 67 arë, kurse ka në shfrytëzim për një periudhë të pakufizuar parcelën e Komunës së Prishtinës, që nga viti 2002. Zyrtari Leka ka njoftuar se shkolla aktualisht ka 570 nxënës, nga klasa X-XIII, të cilët paguajnë nga 80 euro në muaj dhe me të cilët punojnë 45 mësimdhënës. Sipas Lekës, atyre sivjet u është rinovuar kontrata me Komunën e Prishtinës. Mësohet se gjysma e nxënësve që i vijojnë mësimet në këtë shkollë nuk paguajnë fare, kurse nga të ardhurat që marrin nga pjesa tjetër e nxënësve, stafi drejtues i shkollës i paguan mësimdhënësit dhe i heq shpenzimet e pjesës tjetër të nxënësve skamnorë. Akuzat e opozitës i kanë mohuar edhe zyrtarët e dikurshëm dhe aktualë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, që udhëhiqet nga LDK-ja. Ata i kanë mohuar të hënën akuzat për transaksionet e tokës dhe të pasurisë tjetër të Komunës që e kanë bërë pas luftës pushtetarët e sotëm të Komunës së Prishtinës. Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Ismet Beqiri, ka thënë se të gjitha transaksionet me pronat e Komunës që janë bërë në kohën kur ai ka qenë kryetar, kanë qenë transparente dhe janë bërë nga institucionet kompetente komunale dhe me vendimin e Kuvendit. “Unë si kryetar komune nuk kam pasur kohë të merrem me gjëra të tilla dhe kushdo qoftë nga qytetarët apo edhe opozita mund t’u drejtohet gjykatave kompetente nëse dyshon se këto transaksione nuk kanë qenë dhe nuk janë bërë si duhet”.

Përgjegjësinë ia hedhin Kuvendit

Ndërsa zyrtari ligjor në Komunën e Prishtinës,Agim Salihu, ka ripërsëritur edhe një herë pohimet tij të para disa ditëve se të gjitha transaksionet që janë bërë pas luftës me pronat e Komunës së Prishtinës kanë qenë transparente dhe të njëjtat janë bërë në përputhjen më të madhe me ligjin”. Sipas Salihut, të gjitha këto transaksione të pronave janë bërë nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu