Donatorët, shpresa e vetme për të pastrehët

0
962

Po bëhet 15 vjet që familja Kuqi vazhdon të jetojë në gjendje të mjerueshme në të ashtuquajturat “Barakat e Erenikut”, në Lug Bunar të Gjakovës. Kryefamiljarja Gjyke Kuqi thotë se është lodhur nga kjo jetë e rëndë, prandaj do të jepte gjithçka, vetëm e vetëm ta siguronte një strehë modeste për fëmijët e saj.

“Kurgja nuk dua në këtë jetë, vetëm ta kem një strehim për fëmijët e mi. Qysh po jetojmë tash nuk është jetë. Pak shi që bjen, neve na hyn brenda. Gjarpërinj, bolla e minj sa të duash, po na vijnë nga fushat. Lagështia na shkatërroi gjithçka që kemi. Po flemë në tokë të thatë”, thotë mes lotësh Gjyka, e cila bashkë me familjen e saj shtyn ditët në mjerimin që e ka mbështjellë kasollen e saj prej druri.

E, përveç kësaj familje, janë edhe 12 familje tjera në të njëjtën vend, të cilët më shumë se varfëria ekstreme dhe sigurimi i një kafshate të bukë,po vazhdon t’i mundojë mungesa e një vendstrehimi të sigurt. Për shkak të gjendjes së rëndë, kryefamiljarët e këtyre familjeve, janë “vizitorët” dhe ankuesit më të rregullt në zyrat e pushtetarëve. Por, ata thonë se në të gjitha ankesat e tyre kanë marrë vetëm premtime, por asnjëherë ndonjë lëvizje konkrete.

“Vazhdimisht jemi ankuar e vazhdimisht na kanë rrejtë, 4 – 5 vjet me radhë na kanë thënë sivjet, sivjet, por asnjëherë nuk e kanë mbajtur fjalën. Tash po presim nga ky pushteti i ri !”- thotë Osman Kuqi, një tjetër kryefamiljar në “Barakat e Erenikut”.
Por, nuk janë vetëm 13 familjet e “Barakave të Erenikut” që vuajnë në mungesë të një vendi të sigurt strehimi.

Numri i këtyre familjeve nuk dihet zyrtarisht, por mendohet që në komunën e Gjakovës janë afër 100 familje që nuk kanë kulm mbi kokë.
Këtë shifër nuk e konfirmojnë në Komunë, por thonë se, megjithatë, çështja e strehimit do të jetë pikë prioritare për ta. Kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë për gazetën se, Komuna po parasheh ndërtimin e dy objekteve të reja sociale, si masë emergjente për gjendjen e rëndë të shumë familjeve gjakovare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu