Donika Gërvalla zbardhjen e vrasjes së babait duhet ta kërkojë fillimisht në LDK

0
975

Askund më mirë se në ketë subjekt politik nuk mund të kanë informata se si ka funksionuar shteti jugosllav dhe UDB. Duke filluar prej Isa Mustafës…

Nuk ka dyshim se shoqëria kosovare prej sasisë së debateve – pa marrë parasysh se sa të ashpra janë ato – vetëm del fituese.

Ka shumë tema që po hapen dhe aso që nuk janë hapur, e që sigurisht do të shkaktojnë polemika të forta, e të dhimbshme.

I tillë është edhe debati i fundit që u hap nga Donika Gërvalla, e bija e Jusuf Gërvallës.

Në historinë e Kosovës pa dyshim se vrasja e Jusufit, Bardhoshit e Kadri Zekës shënon një moment të madh kthese.

Kjo ngjarje, pas demonstratave të vitit 1981, shqiptarëve të Kosovës ua hap sytë dhunshëm dhe u tregon atyre se jeta nën regjimin Jugosllav, e serb, do të jetë e pamundshme.

Prandaj, sa herë flitet për ketë krim të pa zbardhur ka shumë aktorë dhe protagonistë që dëshirojnë të kyçen.

Por kryesisht ata që dëshirojnë të flasin janë vetëm njëra anë, ish përfaqësuesit e ilegales, ose të burgosurit politik.

Kurse, pjesa tjetër, strukturat e Krahinës Autonome të Kosovës, udhëheqësit e UDB në nivel krahinor, udhëheqësit politik në nivel krahinor e federativ, zakonisht hiqen ose si të painteresuar, ose të painformuar.

Por, kjo kastë shoqërore, në variantin më të keq mund të jetë e pa interesuar, por jo edhe e pa informuar.

Së paku mund të jetë më e informuar se sa një pjesë e madhe e njerëzve që participojnë në debat.

Gazeta Express, si njëri prej mediumeve aktiv në ketë debat, do ta kishte konsideruar si tepër të rëndësishme që Donika Gërvalla të vazhdojë me ngulm zbardhjen e rastit të vrasjes së babait dhe axhës së saj.

Donikën, nuk duhet ta mundojnë aspak fotografitë me diktatorin Enver Hoxha, sepse ato fotografi nuk janë meritë e saj, por e babait të saj.

Donika, gjithashtu, nuk duhet të ndihet aspak e hendikepuar për martesën e saj me një joshqiptarë, sepse ata që ngrehin këso lloj dyshimesh ketë e bëjnë thjeshtë për shkak të injorancës së tyre.

Por, gjithashtu, Donika përpara se të zbrazë plumba qorr, duke shkaktuar konfuzion, e duke ngritur dyshime majtas e djathtas, ose duke ia lënë opinionit që zbardhjes e vrasjes ta bëjnë mbi baza të hamendjes, që ketë çështje të niste të hulumtonte mu në partinë e saj të preferuar, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Në asnjë parti tjetër, më shumë se sa në LDK, nuk militojnë ish funksionarë të lartë të Krahinës Autonome të Kosovës, duke filluar prej kreut të saj, Isa Mustafa.

Express nuk mendon se Mustafa duhet të mbahet përgjegjës për krejt ndodhitë në ish Jugosllavi, por Mustafa, si askush tjetër, mund të dijë të orientojë Donikën për të kapur fillin e të vërtetës.

Dhe jo vetëm Mustafa, pjesë e atij establishmenti politik ka qenë edhe ish Kryetari i LDK’së, Fatmir Sejdiu.

Ose tash i përfoluri si pjesë e UDB’së, njëri prej themeluesve të LDK’së, Jusuf Buxhovi.

Janë të gjithë këta zyrtarë që pa fijen e dyshimit do të mund të jepnin përgjigje shumë më të kualifikuara për të gjitha vrasjet politike të asaj periudhe kohore.

Një ndihmë të çmueshme në ketë drejtim do të mund të jepnin edhe ish udhëheqësit e UDB’së, që edhe sot e kësaj dite jetojnë normalisht dhe të qetë në Republikën e Kosovës.

Ata jetën e tyre të qetë do të duhej ta zhvillonin patjetër, por do të ishte tepër e rëndësishme për shtetin e Kosovës që ata persona të na tregonin për një numër rastesh të pashpjeguara në mënyrë që përpos tyre, të qetë jetën ta zhvillon edhe pasardhësit e atyre njerëzve që kanë vuajtur aq shumë.

 

Marre nga, Express

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu