Dosiet e Wikiliks për Shqiprin

0
891

Në këto ditë të nxehta afrikanërisht, qytetarët shqiptarë janë njohur me mijëra faqe informacionesh që ambasada amerikane në Tiranë e konkretisht ambasadori Withers, i pat dërguar Departamentit të Shtetit për ngjarjet, bëmat, sherret, intrigat, paudhësitë, paturpësitë, fjalorin e ndyrë, korrupsionin e makutërinë e personazheve kryesorë; me një fjalë, për kulisat e kulishët e kuturumtë të politikës shqiptare. Është e vërtetë: Të gjitha sa thuhen e përshkruhen me një hollësi të habitshme nëpër kabllogramet sekrete të ambasadës amerikane nuk janë as të panjohura, as sensacionale e as të paditura për publikun shqiptar, ndaj duket sikur përshfaqja e tyre po kalon rrëshqanthi, jo si një tërmet i ububushëm, si do ta lypte normaliteti në çdo shoqëri demokratike, po si një shi i beftë freskonjës që bie papritur në mes të vapës…E pikërisht këtu qëndron jo vetëm mrekullia, por edhe dobia e pazëvendësueshme e Wikiliksit shqiptar!
Dobia e parë e më e prekshme është se shqiptarëve u jepet mundësia të kuptojnë e të binden se këtu tek ne gjithçka është e monitoruar dhe nuk i shpëton vëmendjes, syrit dhe veshit të shtetit më të fuqishëm të botës. Jo vetëm Gërdeci dhe rruga Durrës-Kukës e proceset e lidhura me to, po edhe persona më periferikë, si komandot që patëm nisur në Afganistan, apo si Pango e si ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, etj, etj…janë përfshirë në vëzhgimin e imtësishëm të kabllogrameve që niseshin fshehtas nga Tirana në Washington. Atë që nuk e bëjnë dot, për shumë arsye objektive, tribale e tradicionale institucionet e pavarura, media, shoqëria civile, gjykatat, prokuroria, etj. E bëka, me durim e skrupulozitet, me paanësi e saktësi të habitshme, ambasada amerikane. Kjo provon jo vetëm që ne nuk kemi institucione që mund të ushtrojnë në mënyrë të pavarur kontrollin e disiplinimin e pushteteve e të pushtetarëve, por dëshmon edhe se shqiptarët nuk janë të braktisur e nuk kanë për të mbetur gjatë në pusin e harresës apo edhe në “tenxheren me presion”, të cilën ndryshe ne kemi filluar ta quajmë “tranzicion”…Kësisoj dobia e këtyre dokumenteve shkon në favor të arsyetimit se çështja dhe hallet shqiptare nuk kanë për të mbetur në dorë dhe nën hyqëm të budallallëkut e të marrisë së shqiptarëve që luftojnë kundër shqiptarëve, as të miopisë apo të drogës “lazaratase” të partive e kryetarëve të tyre, madje as të sherreve dhe përçarjeve të një klase politike sa të papërgjegjshme, aq edhe makute…
Por ç’do të ndodhë më pas?
Sigurisht kjo nuk do të thotë që pas publikimit të këtyre dokumenteve tek ne do të vendoset demokracia e drejtësia, se do të ndodhë përmbysja, ngaqë u zbardh më në fund e vërteta e lakuriqtë…Jo, asgjë e tillë nuk ka për të ndodhur. Nuk ka naiv të besojë se mbas sodit do të bëhet hataja, katarsisi, lustracioni, zëvendësimi i kryetarëve  ”historikë”, sepse afërmendsh, askush nuk do të japë dorëheqje, asnjë udhëheqës i cituar për keq e për turp nuk do të skuqet e as do të zverdhet; madje askush syresh nuk do të pranojë të komentojë, gjë që do të thotë se kurrkush nuk do të japë shpjegime e sqarime para publikut, nj’ashtu si bëri edhe ambasadori i tanishëm amerikan, zoti Arvizu, pasardhësi i autorit të kabllogrameve, Withersit…Por edhe qëndrimi i ambasadorit Arvizu nuk ka për të ndryshuar; nuk ka dyshim që edhe ai do të vazhdojë refrenin e njohur: Bëni reforma, bëni dialog, uluni në tryezë, zgjedhjet ishin me defekte, por ama më të mira se të kaluarat dhe…dhe se “Berisha është burrë shteti”, paçka se ky dhe qeverisja e tij cilësohen e vlerësohen në këto raporte me ngjyrat më të zeza e më groteske…
Natyrshëm lind pyetja që ka munduar jo pak shqiptarë vitet e fundit, pas qëndrimeve “të habitshme” të ambasadorit Arvizu: A mos ka një kontradiktë mes raporteve që shkojnë nga ambasada e Tiranës në Washington dhe qëndrimeve që përcillen nga Washingtoni në Tiranë? Jo, kurrsesi jo! Por edhe në Washington, edhe në Bruksel një gjë e dinë fort mirë: Në asnjë rast nuk ka ndodhur që Berisha të dorëzojë pushtetin me votë, në mënyrë demokratike e të qetë, përveç se me “kryengritje të armatosur”, si në vitet ‘97-98…Zyrtarët e këtyre kancelarive që formulojnë qëndrimet e qeverive nuk mund të ndryshojnë bindje nga çfarëdolloj raportesh që u përcillen atyre nga ambasadat përkatëse, pasi ata, më mirë se ne, e dinë se çmontimi i një sistemi kleptokrat e autokrat si ai i Berishës, tanimë kur familja e tij dhe klani i tij krahinor kanë zaptuar institucionet dhe janë të armatosur me interesa, d.m.th, me prona e pasuri të dukshme e të padukshme, të tundshme e të patundshme, të deklaruara e të padeklaruara, (ndryshe nga vitet e mbrapshta kur ishte President), do të jetë një proces tejet i vështirë, sa më s’ka i rrezikshëm. Ndaj një skenar si ai viteve ‘97-të, e aq më pak si ai i Tunizisë, i Libisë e i Egjiptit, për një vend anëtar i NATO-s, në një rajon të pastabilizuar si Ballkani, do të ishte jo vetëm i padëshiruar, por edhe ndjellakeq! Prova që u bë para Kryeministrisë më 21 janar ishte dëshmi që këto kancelari, thuajse në një zë, me qëndrimin që mbajtën, provuan se i tremben një përshkallëzimi të tillë të situatës në Shqipëri, ndaj kanë bërë e po bëjnë të pamundurën të mos vihen fitila të tillë pranë fuçisë me barut, sado ogurzeza e ndjellakeqe të përcillen raportet për gjendjen politike e sociale në Shqipëri.    
***
Por jo gjithmonë heshtja është flori, sidomos kur bëhet fjalë për dokumente sekrete, shtetërore, të arkivuar në kancelaritë e shteteve më të mëdha të botës, në bazë të të cilave këto shtete formulojnë politikat e tyre afatshkurtra e afatgjata…Prandaj as heshtja dhe as shtirja, sikur medemek nuk ka ndodhur gjë në këtë vend, kurrsesi nuk do të shuajnë dot efektin dhe sidomos vlerën afatgjatë e të patjetërsueshme të Wikiliksit shqiptar.
Duhet se historikisht në Ballkan e veçanërisht në Shqipëri veprimet e mosveprimet e liderëve janë komanduar më së shumti nga jashtë, nga ndërkombëtarët, nga fqinjët, nga më të mëdhenjtë, nga ata që ndodhen jashtë dritares, jashtë gardhit…Por kur është fjala për fuqi të mëdha, si SHBA, kjo fuqi e kjo trysni ndikuese as nuk mund të vihet në diskutim. Prandaj pyetja është  akoma më e thjeshtë: a kanë ata, ndërkombëtarët, një platformë e një synim për çmontimin e  këtij sistemi që nuk është as demokraci dhe as diktaturë, po një paçavure-sistem? Nuk ka dyshim se janë raportet e përcjella që kanë bërë izolimin e pashembullt të Berishës si një udhëheqës jo vetëm “qesharak”, por edhe të pandreqshëm. Jo vetëm Gruevski i Maqedonisë, por edhe Thaçi i Kosovës janë ftuar dhe pritur në nivelet më të larta të Washingtonit dhe BE-së, kurse Berisha ka shkuar në Evropë ose për të ngrënë ndonjë Krokodil, ose në tubime ndërkombëtare partiake…Asnjë ftesë zyrtare nuk i ka ardhur jo nga Brukseli e Washingtoni, por as nga kryeqytetet periferike të vendeve të BE-së. E jo vetëm kaq, po zyrtarë të lartë, si Barroso e Merkel vijnë në të gjitha vendet fqinjë më Shqipërinë dhe jo vetëm që nuk shkelin në Shqipëri, por anulojnë vizitat e paralajmëruara, në minutat e fundit…
Raportimet që botoi Wikiliksi për Shqipërinë e sqarojnë dhe e paralajmërojnë indirekt edhe këtë  ”precedent”…
***
Wikiliksi na ka dhënë edhe një tjetër mundësi-mrekulli: Të zbulojmë emra konkretë politikanësh shqiptarë që “punojnë” për ambasadën amerikane si bashkëpunëtorë, apo si quhen sot, si “agjentë të influencës”… Na janë dhënë nga Wikiliksi vetëm “të preferuarit” e ambasadës amerikane, po kjo nuk do të thotë që ambasadat e tjera, si ajo italiane, greke, ruse, serbe apo edhe rumune, për qëllimet e tyre, nuk kanë “raportuesit” e tyre të përhershëm, të zellshëm e besnikë…Por e reja që del nga Wikiliksi është se këta u përdorkan jo vetëm për të çuar informacion të freskët e të besueshëm, por edhe për të ndërtuar e shpërndarë opinione, për të krijuar “mjedise influence”, duke krijuar përshtypjen se “janë vetë shqiptarët” ata që kërkojnë këtë e atë…Pikërisht me “kontributin” e tyre u bë çmontimi i Nanos, më pas i Metës, pse jo edhe i Ramës e më në fund do të realizohet “butë dhe ëmbël”, pa e trembur, edhe çmontimi dhe largimi përfundimtar i Berishës…Në këtë kontekst duhet parë edhe dalja e beftë e “plakut të urtë” Godo me propozimin për Bashën kryetar partie dhe kryeministër, e Berishën President të Republikës…Nëse ndoshta Bashës do t’i jetë thyer krahu nga paralajmërimi i Allahut (me që bëri kurban te dera e Bashkisë), që prej ngutit e padurimit të mos ngjitë më shumë shkallë se ç’i lejohet, kjo nuk do të thotë që ai nuk është planifikuar si një silur i mundshëm për çmontimin nga brenda e pa shumë kosto të Berishës. Prandaj nuk ka dyshim që oferta për president që i hidhet Berishës në këtë kohë, kur Bashës “i është thyer krahu”, ka për të shërbyer si një karrem për të futur peshkaqenin në rrjetë, pasi në Shqipërinë e sotme, sipas pasqyrës së Wikiliksit, ndonëse synohet, ka për të qenë e pamundur të realizohet “modeli Putin”, gjë që do të thotë se Berishës i është prerë bileta, kësaj here jo vajtje-ardhje!

 

Nga Kiço Blushi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu