“Dosja Olluri-Kajtazi” Pjesa e katërt – Dokument: Parim Olluri e Vehbi Kajtazi paditen për shantazh, vjedhje, mashtrim e shpëlarje parash

0
356
“Dosja Olluri-Kajtazi” Pjesa e katërt – Dokument: Parim Olluri e Vehbi Kajtazi paditen për shantazh, vjedhje, mashtrim e shpëlarje parash

Vazhdim…

Tashmë për keqpërdorimet e mëdha të Parim Ollurit dhe Vehbi Kajtazit janë njoftuar edhe organet e rendit në Kosovë.

Për dyshimin e bazuar për veprat e kundërligjshme të Ollurit dhe Kajtazit, ekziston edhe kallëzim penal në Policinë e Kosovës.

Dyshja janë edhe subjekt i hetimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë në Departamentin për Çështje Ekonomike.

Padia për ish-drejtorin e Insajderi.com Parim Olluri dhe ish-kryeredaktorin Vehbi Kajtazi, bëhet nën dyshimin e bazuar se kanë kryer disa vepra të rënda penale.

Olluri-Kajtazi, siç e saktëson edhe kallëzimi penal – përmbajtja e të cilit ekskluzivisht publikohet për lexuesit në këtë pjesë të katërt të serisë së shkrimeve “Dosja Olluri-Kajtazi” – dyshohen për vepra të shumta penale.

“Dosja Olluri-Kajtazi” Pjesa e katërt – Dokument: Parim Olluri e Vehbi Kajtazi paditen për shantazh, vjedhje, mashtrim e shpëlarje parash

Pra, për këtë dyshe ekziston dyshimi i bazuar se kanë përdorur shantazhin, se kanë shkaktuar vjedhje në raport me bashkëthemeluesin e Insajderit, gjithashtu se janë shmangur nga tatimi në disa raste.

Dyshimi për vepra penale vazhdon me shpëlarje të parave, blerje ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, veprën penale të mashtrimit, keqpërdorim të besimit dhe shpërdorim të pasurisë së huaj.

Këto mashtrime të pa precedent në historinë e gazetarisë së pasluftës në Kosovë, dyshohet të jenë bërë nga vitit 2016 e deri në vitin 2020.

Veprimet e jashtëligjshme të bëra përgjatë viteve dhe të dokumentuara në pjesët një, dy dhe tre të këtyre artikujve në vazhdime, tregojnë për dëmet ekonomike, por në fakt vepra të tilla penale nga dy gazetarë dëmtojnë në tërësi komunitetin e gazetarëve në Kosovë.

Por, dyshimet për veprime të kundërligjshme të Ollurit e Kajtazit nuk përfundojnë me shkëputjen e bashkëpunimit nga Insajderi me ta.

E njëjta gjuhë e shantazhit ka vazhduar edhe pas largimit të tyre, duke u munduar të krijojnë frikë dhe presion tek pjesa e mbetur e udhëheqjes së portalit.

Një ilustrim i kësaj gjuhe dhe kësaj metode frikësimi e shantazhi janë edhe mesazhet e Parim Ollurit, kur i adresohet njërit prej administratorëve të Insajderit se ose duhet t’i bindet Ollurit ose e pret burgu.

Gjuha e Ollurit në këto mesazhe nuk ngjanë në gjuhën e një gazetari, por të një ordineri që s’ka të bëjë gjë me gazetarinë.

Në një mesazh privat të 10 prillit, Olluri pos tjerash kërcënon dhe duke marrë tashmë rolin e gjykatësit shkruan: “do shkoni në burg”, apo tërheqë vërejtjen: “mos bëj gabime”, duke lënë të nënkuptohet se diçka e keqe mund t’i ndodhë.

Në një mesazh tjetër të 16 prillit, me anë të një e-maili Olluri dhe Kajtazi përsëri kërcënojnë me frazat “keni afat 24 orë…”, dhe duke përmendur përsëri se o u plotësohen kërkesat e tyre o “do ta bëni nga burgu”.

Në historinë e gazetarisë në Kosovë, është vështirë të gjendet një rast tjetër, mbase e pamundur, kur dy gazetarë kërcënojnë njerëz me burg.

Por, kjo gjuhë e Ollurit dhe Kajtazit, siç ceket edhe në kallëzimin penal për ta dhe në padinë ndaj tyre, është një gjuhë e ushtruar qysh moti, sepse ekziston dyshim i arsyeshëm se ata edhe në të kaluarën me gjuhë të njëjtë dhe përmes të njëjtave forma kanë shantazhuar, kërcënuar dhe detyruar të tjerët.

Mjafton të ceket vetëm dyshimi për një rast nga kallëzimi penal kundër Ollurit e Kajtazit.

Bëhet fjalë për shantazhimin që Kajtazi dyshohet t’ia ketë bërë një ndërmarrje publike, duke i bërë favor një kompanie private për të përfituar në një rast në të cilin kishin kontest mes vete, për qëllime të përfitimeve personale, duke dëmtuar aksionerët e tjerë.

Kajtazi merr të gjitha dosjet si burim për ta pasqyruar kontestin mes këtyre dy ndërmarrjeve dhe të njëjtat dokumente e dosje i kthen në favor të kompanisë private për të përfituar banesë.

Po ashtu ekziston dyshim i arsyeshëm se Olluri e Kajtazi kanë shantazhuar një numër të madh të bizneseve përmes emisionit “InDoks”, duke kërkuar shuma marramendëse në kompensim të kryerjes së favoreve për këto biznese.

Pra Olluri dhe Kajtazi, e kishin zhvilluar mashtrimin e tyre në dy drejtime paralelisht. Në raport me bashkëthemeluesin e Insajderit dhe në anën tjetër me njerëz nga të cilët dyshohet se përfituan me anë të shantazheve, kërcënimeve dhe ujdive të ndryshme.

Për të gjitha veprat, në të dy drejtimet, ata do të ballafaqohen me organet e rendit dhe drejtësisë.

Por, është e rëndësisë jetike që publiku dhe sidomos lexuesi besnik i Insajderit ta kuptojë saktë dhe drejtë mashtrimin eklatant të të ashtuquajturve gazetarë – Parim Olluri dhe Vehbi Kajtazi.

Insajderi.com fton edhe njëherë Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe Komisionin e Pavarur të Mediave, të reagojë për këtë deformim të profesionit fisnik të gazetarit.

Gjithashtu ftojmë kolegët që të distancohen nga gazetarë të tillë të cilët i bëjnë dëm komunitetit të respektuar të gazetarëve dhe e ulin kredibilitetin e mediave para publikut që e konsideron median si pushtetin e katërt në demokraci.

Shkrimi i radhës në “Dosjen Olluri-Kajtazi”, do të sqarojë njëherë e mirë lojën e Ollurit e Kajtazit me kopjimin e përmbajtjes së Insajderit.com, duke bërë hapjen e një portali tjetër me “.org” dhe shfrytëzimin e llogarisë në Facebook për këtë faqe.

Shënim: Meqë hetimet janë në fazën fillestare dhe për arsye që të mos dëmtohet procesi gjyqësor për disa vepra penale për të cilat Olluri dhe Kajtazi ngarkohen, në këtë fazë nuk mund t’i paraqesim të gjitha detajet e kallëzimit penal dhe padisë, rrjedhimisht nuk mund t’i publikojmë të plota.

Vërejtje: Insajderi.com përkundër posedimit të të gjitha dokumenteve për të mbështetur aludimet e veta, për shkak të profesionalizmit dhe meqë ende askush zyrtarisht nuk është shpallur i dënuar, është kujdesur që të përdorë gjuhë të saktë juridike duke përdorur fjalët “dyshime” dhe “dyshim i bazuar”. Kjo për të mos paragjykuar vendimin final të Gjykatës, rrjedhimisht fajësinë e të akuzuarve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu