“Dosja Olluri-Kajtazi” Pjesa e tretë: Si u Pasuruan Parim Olluri dhe Vehbi Kajtazi? –– Përfitim i kundërligjshëm i Shtëpive e Banesave

0
208
“Dosja Olluri-Kajtazi” Pjesa e tretë: Si u Pasuruan Parim Olluri dhe Vehbi Kajtazi? –– Përfitim i kundërligjshëm i Shtëpive e Banesave

Ky vazhdim i tretë i artikullit “Dosja Olluri-Kajtazi”, shpalosë rastet ku ekziston dyshim i arsyeshëm se Olluri e Kajtazi përfituan shtëpi, vila e banesa duke mashtruar, çka qoi përfundimisht në shkëputjen e marrëdhënieve me ta, dhe largimin nga Insajderi.

Vazhdim…

Fshehja e fitimeve të firmës, tërheqja e parave ilegalisht nga kontot e kompanisë dhe mashtrimi i bashkëpronarit për të hyrat reale të Insajderit, nuk ishte forma e vetme se si kishin përfituar kundërligjshëm Parim Olluri e Vehbi Kajtazi derisa ishin ende pjesë e Insajderi.com.

Kjo ishte vetëm një anë e medalje.
Më vonë, u zbulua se ekziston gjithashtu dyshim i arsyeshëm se Olluri-Kajtazi kishin përdorur edhe forma të tjera të përfitimit të kundërligjshëm.
Ky dyshim i arsyeshëm ekziston edhe për një rast të vitit 2016, kur Vehbi Kajtazi përfiton banesë të kontraktuar nga një kompani private e ndërtimit për të cilën krejt çfarë figuron se ka paguar është një shumë e vogël fillestare për lidhje të kontratës.

Kjo kompani kishte filluar reklamimin në Insajderi.com, por në transaksionet bankare e njëjta nuk figuron askund si klient reklamues në Insajderi. Kjo për arsye se ekziston dyshim i arsyeshëm se Kajtazi ishte pajtuar jashtëligjshëm që banesa e tij, të paguhet në kompensim të reklamimit në portal.

Rast pothuajse identik është edhe dyshimi për përfitimin e një vile (shtëpi luksoze banimi), po nga Kajtazi, ku ishte përdorur strategji e njëjtë operimi – vilën për reklamim në Insajder, pa dijeni të bashkëpronarit.

Ngjashëm kishte ndodhur edhe me tokën ku do të ndërtohej kjo vilë, duke shkaktuar kështu, përveç mashtrim edhe shmangie nga tatimi.
Edhe Olluri kishte vepruar me këtë “yrnek” në dy raste.

Gjithashtu, për të ekziston dyshim i arsyeshëm se kishte përfituar shtëpi në një lagje luksoze në Prishtinë dhe po ashtu një banesë në një lagje tjetër.
Shtëpia është përfituar me kompensim në reklama në faqe dhe me përkrahje të caktuar të kandidatëve të ndryshëm politikë para zgjedhjeve, ndërsa banesa gjithashtu me kompensim në reklama.
Për të dyja këto kompani nuk figuron asnjë e dhënë bankare se kanë paguar për reklamim në Insajderi.com. Këto marrëveshje ishin bërë një anshëm nga Olluri e Kajtazi, me firmat e caktuara për përfitime personale.

Për të gjitha këto mashtrime ekzistojnë prova të cilat janë mbledhur për të ndjekur në rrugë ligjore Ollurin e Kajtazin.
Duke u bazuar në këto prova dhe pas hetimit të këtyre dyshimeve të bazuara për mashtrim, Insajderi.com erdhi edhe deri tek vendimi për ndërprerjen e marrëdhënieve me ish-kryeredaktorin Kajtazi tashmë dhe ish-drejtorin Olluri.

Derisa Insajderi.com ka ndjekur rrugën ligjore, Olluri e Kajtazi kanë filluar shantazhet, siç është një e-mail i datës 16 prill, kur Olluri kërcënonte, me qëllim frikësimin, një nga administratorët e faqes Insajderi se, pos tjerash “…do të përfundoni në burg”.

Keqpërdorimet dhe mashtrimet e pashembullta janë përmbledhur në një padi të cilën Insajderi.com e ka dorëzuar në gjykatë.
Kallëzimi penal për Ollurin dhe Kajtazin dhe padia për ta në mënyrë të detajuar do të publikohet në shkrimin e radhës. /Insajderi.com

Vërejtje: Insajderi.com përkundër posedimit të të gjitha dokumenteve për të mbështetur aludimet e veta, për shkak të profesionalizmit dhe meqë ende askush zyrtarisht nuk është shpallur i dënuar, është kujdesur që të përdorë gjuhë të saktë juridike duke përdorur fjalët “dyshime” dhe “dyshim i bazuar”. Kjo për të mos paragjykuar vendimin final të Gjykatës, rrjedhimisht fajësinë e të akuzuarve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu