“Dosja Olluri-Kajtazi” Pjesa I: Dokument – E vërteta e pronësisë së insajderi.com dhe mashtrimi që olluri dhe kajtazi ia bënë publikut

0
212
“Dosja Olluri-Kajtazi” Pjesa I: Dokument – E vërteta e pronësisë së insajderi.com dhe mashtrimi që olluri dhe kajtazi ia bënë publikut

Artikulli i parë në serinë e shkrimeve për “Dosjen Olluri-Kajtazi”, sjellë marrëveshjen themeltare të mediumit online Insajderi.com. Në këtë marrëveshje të nënshkruar nga vet Parim Olluri dhe Vehbi Kajtazi, sqarohet se kush ishin themeluesit e portalit Insajderi, kush është financuesi i projektit fillestar dhe si ishin ndarë përgjegjësitë e aksionet. Gjithashtu në këtë artikull përgënjeshtrohet Parim Olluri, i cili deklaronte se dikush e ka hakuar faqen e Insajderit, kur në fakt krejt çfarë kishte ndodhur ishte ndërprerja e bashkëpunimit me Ollurin e Kajtazin, nën dyshimin e bazuar për manipulim për përfitime personale dhe mashtrime të tjera.

Të hënën e një (1) shkurtit të vitit 2016, në tregun medial në Kosovë u shtua edhe një medium online. Insajderi.com vinte si nevojë e kohës, por dhe dëshirë e lexuesve për të pasur një dritare informative e cila nuk informon sipërfaqësisht për ngjarjet, por i hulumton ato në thellësinë e tyre.

Nga 2016 Insajderi përbënte pikën referuese për lexuesit, kur shfaqej nevoja për të kuptuar më shumë më qartë dhe më shpejtë.

Katër vjet më vonë Insajderi.com po përballet me një situatë edhe të pazakontë edhe të paplanifikuar për shkak të dyshimit të bazuar se përgjatë punës një pjesë e menaxhmentit udhëheqës të portalit kishte devijuar trajektoren fillestare të misionit tonë gazetaresk.

Meqë situata e krijuar është e pazakontë, na obligon që mbase në një formë të pazakontë edhe ne të prezantojmë para publikut dhe lexuesit besnik të Insajderit, se si u ndërtua kjo faqe informative, nga kush dhe në çfarë rolesh.

Problemet Brenda menaxhmentit kishin filluar më herët, por për lexuesit paqartësia u shfaq më 30-të prill në orën 12:35 kur Olluri-Kajtazi kishin kopjuar në mënyrë tinëzare Inajderi.com në një domein tjetër me “.org” dhe kur faqja e Facebook-ut e Insajderit u bë e pa-qasshme për bashkëthemeluesit dhe për një pjesë të administratorëve, nga Drejtori i deriatëhershëm Parim Olluri, duke u përdorur më pas për nevojat e një faqeje tjetër, të sapokrijuar dhe duke e bërë të pamundur që faqja të shfrytëzohej nga portali Insajderi.com. Me këtë akt, Olluri-Kajtazi kishin për qëllim ikjen dhe shmangien përfundimtare nga përgjegjësia.

Kjo situatë e krijuar po shpërfaqte për herë të parë para publikut, një problem që kishte filluar më herët në mes të menaxhmentit të Insajderit, kur kishin nisur dyshimet e bazuara se Olluri e Kajtazi, prej kohësh po keqpërdornin besimin e bashkëpronarit dhe po përfitonin kundërligjshëm, ku përpos të tjerash, po fshihnin shifrat reale të fitimeve te Insajderit.

Olluri dhe Kajtazi rrejshëm në publik e paraqitën situatën ndryshe. Ata pretendonin se portali Insajderi.com është pronë e tyre dhe se dikush ilegalisht kishte hakuar Insajderin.

Në një status të Parim Ollurit në Facebook, të datës një (1) maj, thuhet se “një sulm kibernetik është kryer ndaj Insajderit”, derisa shtohet se “është bllokuar faqja jonë”.

“Dosja Olluri-Kajtazi” Pjesa I: Dokument – E vërteta e pronësisë së insajderi.com dhe mashtrimi që olluri dhe kajtazi ia bënë publikut

Ky status i rrejshëm ishte shkruar për të krijuar huti tek lexuesit dhe për të shkaktuar deformim të situatës reale. Statusi i Ollurit vuri në lajthitje më pas edhe disa media të cilat raportuan se Insajderi u hakua.

Situatë që shpejt u qartësua nga Policia e Kosovës, duke njoftuar se Insajderi nuk ka qenë subjekt i ndonjë sulmi.

Çfarë realisht kishte ndodhur është se pas dyshimit të bazuar për keqpërdorime Ollurit dhe Kajtazit, u ishte pamundësuar qasja në faqen e portalit.

Për të qartësuar gjithçka para lexuesve, Insajderi fillon këtë seri shkrimesh duke startuar me vet marrëveshjen e nënshkruar për themelimin e mediumit e cila fillimisht ishte arritur me 27.01.2016 dhe më pas përfundimisht u zyrtarizua me 02.02.2016.

Marrëveshja përfshinte pajtimin për mediumin Insajderi, brendin dhe adresën e internetit që do të mbante faqja.

Kjo marrëveshje arrihej mes Florim Alaj, bashkëthemelues edhe i disa mediumeve të mëhershme në Kosovë dhe Shqipëri, Parim Ollurit e Vehbi Kajtazit të cilët punonin si gazetarë në mediume të tjera në vend.

Ashtu siç saktësohet në pikën dy të marrëveshjes së përbashkët, të gjithë investimin për hapjen e mediumit do ta bënte Florim Alaj.

Alaj, përveç se me para të gatshme do të investonte edhe në infrastrukturë të prezencës në internet, si dhe “financim aq sa ka nevojë deri në krijimin e të hyrave financiare për mediumin“.

Ndërsa Olluri dhe Kajtazi – saktëson marrëveshja – “si investim në medium do të sillnin burimet, angazhimin dhe aktivitetin e tyre“.

Vetëm kjo pikë e marrëveshjes, pa u lëshuar fare në pikat tjera, përgënjeshtron aludimet e Ollurit se faqja është hakuar nga dikush tjetër dhe në fakt Florim Alaj, të cilin Olluri e akuzon si “kriminel”, është investitori i vetëm financiar i Insajderit.

Olluri vazhdon me tentime për ta mashtruar publikun, duke shkruar se Insajderit po i bëhet një sulm me direktiva politike dhe se kinse po ndërhyjnë ata që të mos arrestohet Alaj, kur në fakt për Alajn, asnjëherë nuk ka ekzistuar kurrfarë flet-arresti nga policia.

Për të sqaruar edhe me shumë situatën e themelimit të Insajderit, mjafton t’i referohemi përsëri marrëveshjes fillestare të formimit të mediumit.

Në pikën gjashtë (6) të marrëveshjes Olluri, Kajtazi dhe Alaj ishin pajtuar që Florim Alaj ta kryesojë bordin. Pika shtatë (7) precizon se Kajtazi emërohet Kryeredaktor dhe pika tetë (8) Olluri Drejtor Ekzekutiv.

Marrëveshja vazhdon me pikën nëntë (9) ku theksohet se Alaj “merr përsipër investimin dhe zhvillimin multimedial, udhëheqjen e politikave dhe strategjive kryesore të kompanisë“.

Gjithashtu në pjesën e investimeve, marrëveshja tregon se Alaj merr përsipër investimet financiare.

Një pikë tejet e rëndësishme e marrëveshjes që qartëson rolin dhe funksionin e Ollurit e Kajtazit në Insajderi.com është pika e dymbëdhjetë (12), në të cilën – e zeza në të bardhë – thuhet se “Kajtazi dhe Olluri paguhen për punën”, duke qartësuar përfundimisht se kjo dyshe ishte angazhuar për shërbimet e tyre në fushën e gazetarisë, prandaj edhe janë përjashtuar kur kanë pushuar se kryeri këtë funksion me ndershmëri e si profesionistë.

E njëjta pikë thekson se Alaj me vet-dëshirë, tërheq mjetet e investuara vetëm pasi kompania në të ardhmen të arrijë bilanc pozitiv.

Insajderi.com, përveç dokumentit të marrëveshjes zyrtare në mes të Ollurit, Kajtazit e Alajt, posedon edhe fakte të tjera shtesë, të cilat sipas nevojës mund të publikohen.

Vlen të theksohet se në marrëveshje ishte arritur pajtim që pas themelimit të mediumit, aksionet të ndahen në tri pjesë të barabarta me nga 33.33 për qind.

“Dosja Olluri-Kajtazi” Pjesa I: Dokument – E vërteta e pronësisë së insajderi.com dhe mashtrimi që olluri dhe kajtazi ia bënë publikut

Kjo është edhe marrëveshja e plotë për themelimin e Insajderit, e cila publikohet në funksion të qartësimit përfundimtar se kush në fakt janë themeluesit dhe financuesit e portalit Insajderi.com.

Gjithashtu, kjo marrëveshje e publikuar e vë në gjumë njëherë e mirë gënjeshtrën se Insajderi.com është hakuar dhe se pronarët po ndihmohen nga ndonjë strukturë politike e caktuar për ta dëmtuar Ollurin e Kajtazin. Në fakt, e kundërta është e vërtetë.

Pas kësaj pjese të parë të qartësimit të pronësisë dhe zbulimit të marrëveshjes themeluese, Insajderi.com në tekstin e radhës do të sjellë dokumente se si Olluri e Kajtazi fshehën të ardhurat reale të kompanisë para bashkëthemeluesit Alaj dhe si manipuluan me numra – gjë që çoi edhe në përjashtimin e tyre./Insajderi.com

Vërejtje: Insajderi.com përkundër posedimit të të gjitha dokumenteve për të mbështetur aludimet e veta, për shkak të profesionalizmit dhe meqë ende askush zyrtarisht nuk është shpallur i dënuar, është kujdesur që të përdorë gjuhë të saktë juridike duke përdorur fjalët “dyshime” dhe “dyshim i bazuar”. Kjo për të mos paragjykuar vendimin final të Gjykatës, rrjedhimisht fajësinë e të akuzuarve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu