Dosjet sekrete i mban Beogradi

0
851

Analistët theksojnë se Serbia përmes agjenturës së saj të sigurisë dhe spiunimit, tenton të hapë dosje, të cilat do të mund ta dëmtonin kohezionin dhe solidaritetin qytetar të shqiptarëve, për të prodhuar destabilitet qytetar dhe kombëtar në Kosovë. Ekspertë të çështjeve të sigurisë e konsiderojnë të panevojshme shtrimin e kësaj çështjeje në rrethanat aktuale politike, por gjithsesi edhe të pamundur në mungesë të dosjeve, të cilat i mban Serbia, shkruan “Kosova Sot”.

Sikurse edhe disa ish republika Jugosllave edhe Kosova nuk ka një arkiv të dokumenteve të ruajtura, duke qenë që shërbimi i atëhershëm udhëhiqej nga Beogradi. Nisur nga kjo analistë politik konsiderojnë se mund të ketë manipulime duke vënë në dilemë hapjen apo jo të kësaj çështjeje. Analisti politik Belul Beqaj thotë se realisht çdo shoqëri duhet të ballafaqohet me të kaluarën dhe aktorët, të cilët kanë pasur ndikim në jetën e qytetarëve, ndërsa kanë qenë në funksion të ideologjisë dhe interesit të caktuar që nuk përkonte me interesin e përgjithshëm. “Ballafaqimi me të kaluarën duhet të bëhet për aq sa nuk shkakton pasoja për të ardhmen, por jep sasi të informatave të cilat njerëzit që i kanë shërbyer sistemit të mos ndërrojnë “fanellat’ për të shërbyer individëve të pushtetshëm, që mund të privojnë qytetarët nga drejtat e njeriut. Kush ka dëmtuar duhet të përgjigjet para drejtësisë”, thotë ai. Nisur nga kjo, ekspertë të çështjeve të sigurisë e konsiderojnë të panevojshme shtrimin e kësaj çështjeje në rrethanat aktuale politike, por gjithsesi edhe të pamundur në mungesë të dosjeve. Ndonëse ka pasur një bum deklaratash kohëve të fundit, eksperti për cështje të sigurisë Ramadan Qehaja konsideron se janë dy arsye që pamundësojnë hapjen e dosjeve lidhur me vrasjet. “Gati është e pamundur meqë kemi çështje shumë më të mprehta me të cilat duhet të merremi në vend se si dhe në çfarë mënyrë ne të bëjmë një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe së dyti se në çfarë mënyre do t’i ngrisim kapacitetet e sigurisë në Republikën e Kosovës. Kjo, sepse, siç po shihet vendi është në një sulm të vazhdueshëm qoftë politik, diplomatik, qoftë me forca dhe mjete të Beogradit zyrtar vetëm e vetëm për ta bërë destabilizimin këtu në Kosovë. Por siç e shohim sigurimi serb kohëve të fundit është mjaft aktiv jo vetëm se në pjesën veriore të vendit tonë por edhe në Maqedoni e gjetiu. Pra është një luftë speciale që po zhvillohet kohëve të fundit për shkaqe të ndryshme”, tha Qehaja. Në gjykimin e tij më mirë është që të merremi me problemet tona se sa të hyhet në këto gjëra, të cilat nuk çojnë askund. Sa u përket dosjeve, ai shfaqi mendimin se në Kosovë nuk ka dosje. “Këto dosje i ka marrë shërbimi sekret serb dhe ai disponon me ato kështu që edhe po të dëshironte që dikush të hapte ato dosje në momentin aktual pothuajse është e pamundur”, tha Qehaja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu