Dr.Myrteza Ali Strugës firmëtari i Pavarësisë

0
664

Pas publikimit të informacionit lidhur me figurat e rëndësishme të historisë së shqiptarëve, ndër të tjerë, kemi trajtua edhe figurën dhe personalitetin e dr.Myrteza Ali Strugës. Për këtë figurë dhe personalitet historik, një nga firmnëtarët e Aktit të Pavarësisë  në vitin 1912 në Vlorë, kemi shfrytëzuar të dhënat dhe informacionet që kemi arritur ti mbledhim nga gojëtarët me të cilët kemi biseduar, në pamundësi që të kemi të dhëna më të hollësishme dhe më të sakta për jetën dhe veprimtarinë e ktij patrioti nga Struga.

Natyrisht, kur informacioni nuk del nga burimi, mbase edhe pa dashje bëhen gabime e lëshime në interpretim ose pasqyrim.

Megjithatë, për të verifikuar të gjitha të dhënat biografike, të dr.Myrteza Ali Strugës, firmëtarit të Aktit të Pavarësisë në Vlorë bashkë me Ismail Qemalin, ( shoqëruar edhe nga Nuri Sojliu e Zydi Ohri-që të tre delegate nga Struga e Ohri), në një nga udhëtimet e mia drejt Tiranës, më në fund kontaktuam me djalin e dr.Myrteza Ali Strugës (Dibra), Fatmir Strugën (Dibra), i datëlindjes 1934, i lindur në Peshkopi.

Gjatë takimit në Tiranë, duke pirë kafenë e parë të bashkë me z. Fatmir Struga (Dibra), ai na ofroi një shënim biografik për babain e tij, dr. Myrteza Ali Struga, dhe sqarimet më se të nevojshme pikërisht për firmën e tij në Aktin e Pavarësisë “dr.H.Myrteza”.

Për hirë të informimit të plotë dhe të drejtë të lexuesve, po e japim shënimin e plotë dhe integral, pa ndërhyrje, të Fatmir Strugës (Dibra), për babain e tij, dr.Myrteza Ali Strugën.

Dr.Myrteza Ali Struga, është një ndër firmëtarët e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, bashkë me Ismail Qemali, Kacorri(Dom Nikoll Kacorri), Abdul Aziz Vehbi (Vehbi Dibra), J.Karbunara, Elmas Boco, Vehbi Arci, Qazim Kokoshi, J.Minga, Rexhep Mitrovica, Nebi Sefa (Lushnja), Abdi Toptani, Abas Dilaver(Qelkup-a), Mi’hat Frasheri, Shefqet Daju, Zihni Abas Kanina, Xhelal Koprencka, Hajredin Cakrani, Qemal Elbasani (Karaosmani), Iljas Vrioni, Salih Gjuka, Dhimitër Berati, Dhimitër Emanuel (Mborja), Dimitri Zografi, Murat Toptani, Pandeli Cale, Luz (Luigj) Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiro (don) Ilo, Thanas Floqi, Lef Nosi, Nuri (Sojliu), Mustafa Asim Kruja, M.Ferid Vokopola, Ymer Deliallisi, Xhemaledin (Xhemal Deliallisi), A.Rruci dhe Zuhdi Ohria.

Të gjithë këta emra, të personaliteteve patriotike, do të bëhen pjesë e Monografisë, kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë, që është duke u përgatitur nga institucionet shtetërore të Shqipërisë, në rend të parë të Kuvendit të Shqipërisë.

Struga, si qytet i lindjes së dr.Myrteza Ali Strugës, e bashmë me te edhe struganët, përmes institucioneve që drejtojnë, komunës, Këshillit të komunës, e sidomos Komisioni për propozimin dhe shqyrtimin si dhe emërtimin e emrave të rrugëve, shesheve dhe objekteve, duhet të gjejë vend edhe për këtë emër të madh të historisë së shqiptarëve, që e ka përfaqësuar me dinjitet dhe e ka nderuar Strugën, ndaj një rrugë, një shesh ose një institucion shëndetësor do të ishte e udhës që të mbajë emrin e këtij personaliteti të shquar.

 

Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) 1878-1937

 

Doktor Myrteza Ali Struga, i diplomuar për teologji dhe mjekësi në Stamboll, iu dedikua krahas të therave edhe përhapjes së gjuhës shqipe  dhe mbrojtjes së interesave kombëtare që kulmoi deri në firmosjen e Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë në vitin 1912.

Ai ka lindur në Dibër, kurse shkollën fillore dhe të mesme e ka kryer në Strugë. Që në moshë të re i dedikoi shumë kohë përhapjes së gjuhës shqipe, sidomos te fëmijët e familjeve të varfëra. Kjo veprimtari u zgjerua më tej në kohën kur doktor Myrtezai së bashku me Nuri Sojliun dhe Zydi Ohrin, themeluan një shkollë shqipe, e cila kishte shtrirjen e vet në Strugë, Ohër, Pogradec dhe fshatrat për rreth.

Në vitin 1903, ai vendos të largohet për studime të larta në Stamboll, ku pas përfundimit të shkollës për teologji, mendon t’i vijojë studimet  edhe në Universitetin francez të mjekësisë të Stambollit. Emri i tij gjendet edhe në radhorin e studentëve të viteve 1909-1910 së bashku me Dr. Omer Nishanin me të cilin kishte lidhur një miqësi të ngushtë.

Gjatë viteve si student, Myrtezai bashkë me atdhetar të tjerë shqiptar, aktivizohet te klubi “Bashkimi” si dhe në organizatën e rilindjes shqiptare me emrin “Burimi”. Në programin e këtyre organizatave politike dhe kulturore ishte jo vetëm arsimimi në gjuhën shqipe me alphabet latin ( në kundërshtim me predikimet e xhonturqëve për të përdorur alfabetin arab), por edhe një hap i parë për të siguruar autonominë e Shqipërisë.

Pas diplomimit në Stamboll, Myrtezai kthehet në atdheun e tij, në qytetin e Strugës, ku fillon të ushtrojë profesionin e mjekut. Në këtë punë, spikat humanizmi i tij. Në qytetin e Strugës, ai hap edhe farmacinë e tij, në të cilën përgatiste edhe barna për të sëmurët, pasi atëherë ishte e pamundur të gjendeshin barna. Duke parë perspektivën e zhvillimit të farmacisë së tij në Strugë dhe gjetkë, ai dërgon me studime në Austri, me shpenzimet e veta, nipin e tij, Xhevat Strugën, një djalë i zgjuar i shkathët dhe energjik i cili diplomohet atje (djali i Zenel Strugës, në atë kohë tregtar, i cili së bashku me Shukri Strugën, vëllain e tij, dhe ortakun Mitre Radozhda, kishin dyqanin e tyre). Përveç punës si mjek, Myrtezai nuk rreshti së përpjekuri për përhapjen e gjuhës shqipe. Në librin e Mitrush Kutelit, “Xinxifilla”, përmendet edhe doktor Myrtezai: “ Zemërmiri doctor Myrtezai erdhui që nga Struga mes fërfëllimës për të më vizituar asi isha i sëmurë. Ai ishte mik i babait tim me të cilin  punonin për përhapjen e abetares shqipe” (Libri i Mitrush Kutelit “Xinxifilla” f. 147-148).

Shpesh herë mësimin e bënte edhe në mungesën totale të kushteve. Mësuesi i muzikës, Krasta, kujton se “doktor Myrtezai na e mësonte gjuhën shqipe duke shetitur me barkë në gjolin e Pogradecit”.

Në nëntor të vitit 1912, doktor Myrteza Ali Struga, së bashku me  Zydi Ohrin dhe Nuri Sojliun u zgjodhën delegate të Ohrit e Strugës për në Kuvendin e Vlorës ku edhe firmosën në Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë ( në numrin 31 në listë është firma e Dr.H. Myrteza Aliut, ku fjala-shkronja “H” nënkupton titullin e marrë si Hafëz në Stamboll).

Në vitin 1918, doktor Myrtezai martohet me Fadile Blloshmin, vajzën e Hajdar Blloshmit dhe motrën e vëllezërve Selaudin, Haki, Shefqet dhe Xhevdet Blloshmi, e cila fatkeqësisht vdiq pas një kohe të shkurtër duke lënë vajzën gjashtë muajshe, Ferzijen. Po atë vit, doktor Myrtezai martohet për herë të dytë dhe gruaja e tij Nebija e mban dhe ushqen Ferzijen si vajzën e vet. Doktor Myrtezai pati nga martesa e tij e dytë  gjashtë fëmijë të tjerë: Qerime Struga (Baholli), lindur në Strugë, në vitin 1923, Adli Strugën, ( më vonë me mbiemrin Dibra), lindur në Strugë, më 1925, Ervehe Strugën (Laze nga i shoqi) lindur në Strugë, në vitin 1928, Nevzat Strugën, (më vonë me mbiemrin Dibra), lindur në Strugë, në vitin 1930, Fatmir Strugën, ( më vonë me mbiemrin Dibra), lindur në Peshkopi në maj të vitit 1934. Në fund të këtij viti (1934), familja e doktor Myrtezait, transferohet në Kavajë, në fillim në një shtëpi me qira, pastaj ndërton shtëpinë e tij. Pse u largua doktor Myrtezai nga Struga për në Peshkopi? Në atë kohë, dy vëllezërit e tij, Zeneli dhe Shukriu, falimentuan në tregti. Doktor Myrtezai u detyrua të nxirrte në ankand shtëpinë e tij dhe tokat që zotëronte, për të shpëtuar të dy vëllezërit. Me sa duket, përfituesi nga ky ankand duhet të ketë qenë Mitre Radozhda!

Doktor Myrteza Ali Struga, si patriot dhe tilindës i shquar, e priti me urrejtje pushtimin e Ohrit dhe të Strugës nga ana e ushtrive sërbe në fund të nëntorit të vitit 1912. Ai vihet menjëherë në krah të çetave atdhetare si të Abdulla Rushitit, Beqir Agës, Murat Sojliut etj. Ai nuk kursen aspak mjetet e tija financiare për të mbështetur këto formacione gjatë viteve 1912-1916. Kjo ndihmë e doktor Myrtezait, ran ë sy të autoriteteve ushtarake serbe, të cilët e internuan për një vit dhe ia qethën flokët. Për këtë ka rrëfyer gruaja e tij Nebije Struga (Dibra).

Në vitin 1920, përsëri si delegate i Ohrit dhe Strugës, doktor Myrtezai merr pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku u morën vendime të rëndësishme për formimin e shtetit shqiptar dhe për mbrojtjen e territoreve të Shqipërisë nga copëtimi që kërkonin t’i bënin shtetet fqinj, si Italia, Serbia dhe Greqia. Edhe në librin e tij me kujtime të profesor Dr. Fejzi Hoxhës mbi mjekësinë shqiptare, botim i vitit 1962 në Tiranë, përmendet edhe doktor Myrteza Ali Struga si një ndër figurat e shquara të mjekësisë shqiptare dhe firmëtar i Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe delegate i shquar në Kongresin e Lushnjës. Po ashtu, në librin e Flamur tartarit (bashkë me dy autor të tjerë: Andrea Gudha e Rozeta Bezhani), “Vështrim historik i organeve drejtuese të shëndetësisë shqiptare 1912-2000”, thuhet se doktor Myrteza Ali Struga ka qenë drejtor i spitalit të Peshkopisë nga vitet 1930-1934.

Pas largimit nga Struga, në fund të vitit 1930, ai caktohet në Peshkopi drejtor i Spitalit të Peshkopisë, që numëronte vetëm 8 shtretër, një gjë e pakëndshme për atë kohë, pasi kishte pak fonde. Iu desh të punonte në kushte mjaft të vështira, për shkak se i mungonin edhe ilaçet, për të mposhtur sëmundjet aq të përhapura në rrethin e Dibrës. Për më tepër, atëherë i shkurtojnë nga organika edhe kryeinfermierin e spitalit, pasi Peshkopia siç shprehej në atë kohë prefekti i Peshkopisë, “shëndetësia nuk mund të thuhet se është e keqe, mbasi si malsina që janë këto vende përfitojnë nga ajri, ujët e mirë e i pastër”. Porn ë ato treva bënin kërdinë sëmundjet e tilla si malarja, tuberkulozi, sifilisi etj. Edhe përpjekjet e doktor Myrteza Aliut për ti dërguar barna nga Tirana dështuan njëra pas tjetrës, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë hesht’te. Pas kësaj, në vitin 1934, e transferojnë mjekun “tepër kërkues” për në qytete tjera. Fillimisht e dërgojnë në Kavajë, më pas në Lushnjë, Elbasan dhe në fund në Lezhë, me një fjalë ishte mjek që nuk e linin të zinte vend. Në vitin 1935, përfundimisht vendoset në Lezhë. Atje hap edhe farmacinë e vet, pasi ilaçe kundër sëmundjeve infektive nuk gjendeshin dhe shteti nuk i siguronte dot. Në Lezhë gëzonte respektin dhe simpatinë e lezhianëve, ku të varfërve që nuk kishin  para të blinin ilaçe ua jepte falas.  Në vitin 1935 e transferojnë në fund në Tiranë me të shtatë fëmijët Atje gjenin rast të vinin për ta pa doktorin  por edhe mbesën e tyre Ferzijen,  Hajdar Blloshmi, në atë kohë 75 vjeç dhe Hakiu në atë kohë 31 vjeç. Bisedonin për çështjet shqiptare, merrnin ndonjë libër në frëngjisht nga doktori si të Ballzakut, Viktor Hygosë etj. Doktor Myrtezai zotëronte shumë mirë gjuhët turke, franceze, serbe dhe maqedonase.

Në mars të vitit 1937, disa muaj përpara 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, vdes nga një sëmundje e rëndë, duke lënë në pikëllim gruan dhe shtatë fëmijët e tij.  U largua nga jeta një mjek zemërmirë dhe i përkushtuar për punën që bënte, një patriot, një luftëtar i paepur për çështjen shqiptare, pavarësinë dhe lirinë e atdheut, një ndër 110 mjekët e pakët që kishte atëherë Shqipëria. Ai u përcoll me dhimbje dhe nderim të thellë nga shtatë fëmijët që i la të vegjël, nga farefisi, shokët, miqtë, kolegët.

Pas çlirimit të Shqipërisë, doktor Myrteza Ali Strugës (Dibra), iu dha nga Kuvendi Popullor titulli “ Patriot” për veprimtari patriotike të çështjes shqiptare, ndërsa gruas së tij, Nebijes, iu akordua pensioni patriotik për të shoqin, pension të cilin e gëzoi deri në vdekjen e saj.

Në 70 vjetorin e Pavarësisë, në vitin 1982, merr pjesë edhe bashkëshortja e Dr.H. Myrteza Ali Strugës (Dibra), Nebija, e vetmja grua patrioti ende e gjallë deri atëherë. Asaj iu rezervua një vend i nderuar në tribunën e qytetit të Vlorës dhe në mbrëmjen e organizuar me atë rast.

Në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, disponohen fotografi të kësaj ngjarjeje të rëndësishme, në të cilën paraqitet edhe gruaja e doktor Myrteza Ali Strugës (Dibra).

 

Shkruan: Mehmet Latifi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu