Drejtësia e munguar për krimet e luftës

0
1660

Krimet ne Kosove

Dënimi i krimeve mund të vonohet, por jo edhe të harrohet, thon shume njerz por për krimet e Serbis që beri në Kosovë, duket te jene harruar nga drejtsia e Kosovës dhe Bashksis Nderkombtare.

Me gjithë pasojat shumë të rënda që Gjakova i pati në luftën e fundit, kur popullata e këtushme përjetoi shumë masakra, edhe pse nga ajo luftë kanë kaluar më shumë se 16 vjet, ende askush nuk është përgjigjur para gjykatave për këto krime të shumta! Pse ndodh kështu?

Ai që e harron të kaluarën rrezikon që ajo t’i përsëritet, pavarësisht sa e rëndë të jetë ajo. Kjo fjalë e urtë nuk vlen vetëm për individë, por  mbase edhe më shumë, vlen edhe për popuj. Shih për këtë, kosovarët nuk duhet kurrsesi dhe nuk mundën të harrojnë atë që ndodhi në luftën çlirimtare, e cila përfundoi para më shumë se 16 vjetësh. Krimet dhe masakrat që gjatë asaj lufte i bënë forcat serbe ndaj popullatës shqiptare, kryesisht të paarmatosur, ishin të atyre përmasave saqë, edhe po të dëshironin, kosovarët nuk mund t’i harrojnë. Kështu do të duhej të ishte, mirëpo kohë pas kohe imponohet dilema se a po sillemi ashtu si duhet në këtë drejtim, apo heshtazi po i qesim në harresë këto krime?!

Dëshmitë e krimeve nuk janë pronë private

Mbase dikujt kjo do t’i duket vetëm përshtypje individuale, por fatkeqësisht nuk është. Të dhënat që kohë më parë i bëri publike Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës dëshmojnë se këto dilema nuk janë  pa vend. Në raportin e këtij fondi, mes tjerash, duke i përshkruar ngjarjet që gjatë luftës së fundit kanë ndodhur në komunën e Gjakovës dhe rrjedhat e pasluftës, mes tjerash thuhet se “edhe pse Gjakova është ndër trevat që në luftën e fundit në Kosovë ka pësuar më së shumti (1.662 viktimat e këtushme paraqesin 12,28 për qind të numrit të përgjithshëm që Kosova pati gjatë asaj lufte), nga këtu janë bërë më së paku kallëzime penale ndaj kryesve të masakrave të shumta, bile deri më tash nuk është mbajtur asnjë proces gjyqësor për ato krime”! Pse po ndodh kështu dhe a është e tolerueshme që të jemi kaq indiferentë ndaj kriminelëve që kanë bërë krime në Gjakovë, pyesin shumë gjakovarë? Kështu madje pyetën edhe disa ish-luftëtarë, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu pyetet edhe ish-luftëtarja dhe ish-eprorja e TMK-së, Shkëndije Hoda.“Nuk dua ta kërkoj e as të flas për atë se kush është fajtor që ne po sillemi kështu, por kam të drejtë të them se kjo kurrsesi nuk është në rregull. Mbase e përballur që në ditët e para të pasluftës, të lirisë, me gjetjen dhe zhvarrosjen e të vrarëve, por edhe inspektimin e vendeve të krimeve, kujtoi që të gjithë që dinë diçka, ose që kanë çfarëdo dëshmie për ato krime, e kanë obligim të flasin, të shkruajnë, por edhe të publikojnë çfarëdo dëshmie që kanë. Duhet ta kemi të qartë se dëshmitë e krimeve nuk janë pronë private”, fliste Shkëndija, e cila, siç thotë edhe vetë, mu e nxitur nga këto bindje, kohë më parë hapi një ekspozitë fotografish, përmes së cilave është munduar të prezantojë një pjesë të së vërtetës për gjithë atë që në këtë komunë ka ndodhur gjatë kohës së luftës

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu