Të gjithë nga liderët kryesorë të shtetit, deri tek ambasadorët, kanë folur javëve të fundit për shtetin ligjor, kur i janë referuar arrestimit të Albin Kurtit në zyrën e Vetëvendosjes, raporton KTV.
Por, vetëm një vit më herët, për katër ditë Policia dhe Prokuroria nuk kishin vepruar njëjtë me Sami Lushtakun, Ismet Haxhën dhe Sahit Jasharin në ambientet e QKUK-së, por kishin negociuar me ta deri kur ata vetë patën vendosur të dorëzohen.
Partneri i PDK-së në koalicion, LDK-ja, atëkohë e kishte quajtur Policinë të kapur nga politika, veçanërisht e kishte fajësuar ish-kryeministrin Hashim Thaçi.
Organizata prestigjioze, Amnesty International, ka kërkuar që urgjentisht të nisen hetime për forcën e përdorur nga Policia gjatë aksionit për arrestimin e Kurtit
Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar për KTV-në se është duke i kryer hetimet e nevojshme për ndërhyrjen e Policisë më 28 nëntor në zyrën e Vetëvendosjes.
Por, Policia e Kosovës nuk ka pranuar se i ka tejkaluar autorizimet zyrtare kur ka intervenuar më 28 nëntor.
Vetëvendosje e kishte akuzuar se pa urdhër të Gjykatës, Policia ua kishte bastisur zyrën për më shumë se 4 orë në ditën kur ka arrestuar Albin Kurtin, që po kërkohej për një javë nga Policia dhe kishte arrestuar edhe afër 100 aktivistë.
Sami Lushtaku i dënuar me 12 vjet burgim për krime lufte, dhe Albin Kurti, që nuk ka aktakuzë, por po hetohet për veprimet e gjuajtjes së gazit lotsjellës në Kuvend, tani të dy qëndrojnë në Burgun e Sigurisë së lartë.