Drenas: Lidhja mandarinë- sprej huton të gjithë

0
734

As kimistët, por as zyrtarët e KQZ-së nuk e shpjeguan ndikimin e mundshëm të lëngut të mandarinave në reagimin e llambës ultra-vjollcë që përdoret gjatë zgjedhjeve.

Pasi një qytetari në Drenas gjatë balotazhit për kryetar të kësaj komune më 18 dhjetor iu lejua votimi në Tërstenik, edhe pse reagoi llamba ultra-vjollcë që detekton ata që kanë votuar, ngase ai u arsyetua se ka ngrënë mandarina, as kimistë, por as zyrtarë të KQZ-së nuk e shpjeguan nëse ngrënia e kësaj peme mund të lë gjurmë në gishtërinj që të nxisin reagimin e llambës.

Në Tërstenik votuesi që tha se ka ngrënë mandarina u lejua ta hedhë fletëvotimin në kuti, ndërsa anëtarët e qendrës së votimit këtë lejim e shpjeguan në procesverbal.

“Si përfundim e kemi vërtetuar se lëngu i mandarinës ka lënë gjurmë në duart e votuesve. Këtë mund ta verifikoni edhe ju,” shkroi në procesverbal komisioneri i Qendrës së Votimit në Tërstenik.

Gjatë zgjedhjeve në Kosovë të zhvilluara që nga paslufta, kur dikush voton gishti i spërkatet me UV-sprej në mënyrë që nëse ai tenton të votojë përsëri, nuk lejohet nga llamba ultra-vjollcë që reagon ndaj atyre që kanë votuar.

UV-spreji është material i lëngshëm pa ngjyrë që mund të shihet vetëm me llambën ultra-vjollcë.

Kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka nuk foli në lidhje me votimin në Tërstenik që lidhej me lëngun e mandarinave.

“Ka plot raste të ndryshme që janë raportuar për zgjedhjet, por unë jam në gjykatë dhe nuk e kam atë listën dhe nuk mundem t’i mbaj në mend të gjitha raportimet që kanë ndodhur gjatë ditës prej mediave. Nuk po e di nëse është raportuar, ose jo, ky rasti juaj,” tha Daka për KALLXO.com.

Edhe Enis Halimi nga Sekretariati i KQZ-së nuk deshi të flasë për rastin në Tërstenik.

Ndërsa shefi i Departamentit të Kimisë në Universitetin e Prishtinës, Ismet Hashani tha se përbërja e UV sprejit është sekret që ruhet nga shteti.

“Unë e kam analizuar përmbajtjen e UV sprejit që përdoret për zgjedhje. Formula e tij është sekret shtetëror dhe nuk publikohet asnjëherë,” tha profesori Hashani.

KALLXO.com ka mësuar se tenderin e KQZ-së për furnizim me UV-sprej e ka fituar kompania Sh.P.K. “Albus”

Ky tender për furnizim me UV sprej, ishte nënshkruar më 21 nëntor 2016 dhe kishte vlerë 3 mijë e 400 euro.

Drejtori i kompanisë Sh.P.K. “Albus”, Halim Muçolli tha se UV-spreji prodhohet nga katër apo pesë kompani në të gjithë botën.

Muçolli për KALLXO.com tha se kjo kompani i është përmbajtur kërkesës së KQZ-së prej disa pikash para se të nënshkruajnë tenderin për furnizim me UV sprej për zgjedhjet në Drenas.

Sipas dokumentit të siguruar nga KALLXO. com, KQZ-ja ka kërkuar nga kompania Sh.P.K “Albus” që UV spreji të ketë përmbajtje të Ethanolit dhe Fuorescent Brightener-it 184 më pak se 0.1 për qind.

KQZ-ja gjithashtu i kërkoi kompanisë që UV-spreji të jetë në shishe plastike prej 10 mililitrave, të ketë sistem pompimi, afat përdorimi një vit që nga koha e pranimit, të detektohet nga UV llampa 36 orë pas përdorimit, të ketë kapakun të pahapur dhe të mos jetë i dëmshëm për shëndetin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu