Dua të behem Kryminister, Hashimi e ka boll Krytar tani

0
556

(E plotsuar)

Ish – Kryeministri Ramush Haradinaj po shfaqet i kursyer, teksa tregon skenarin për të udhëhequr një koalicion mes PDK’së dhe AAK’së.

Ai e ka të qartë se rikonfigurimi i pushtetit që mund të ndodhë gjatë javëve të ardhshme mund të përfshijë edhe ndërrimin e Presidentes aktuale, pavarësisht se këtë e elaboron kujdesshëm.

Nëse Haradinaj gjen gjuhë të përbashkët me Hashim Thaçin, ky i fundit mund ta marrë postin e Presidentit duke e larguar Atifete Jahjagën. Por, kreu i AAK’së lë të kuptohet se me postin e Shefit të Shtetit duhet të merret Lideri i PDK’së.

Këtë punë dy aktorët politikë e kanë diskutuar të mërkurën e kaluar gjatë një darke.

“Në rast se ka implikim që unë për me marrë udhëheqjen e Qeverisë, atëherë duhet me ba edhe ndërhyrje të tjera institucionale sikur rasti i institucionit të Presidentit, atëherë duhet me e rishqyrtu se a mundë të bëhet, si bëhet dhe çka vjen”, shprehet Haradinaj.

Gjatë intervistës, ai përmend 43 herë fjalën “me punu” dhe asnjëherë ndonjë akuzë për krim e korrupsion.

E për krejt këto zhvillime jo fort demokratike që mund të përsëriten me ndërrime në udhëheqjen e shtetit sikur kishte ndodhur në vitin 2006, Haradinaj ka një përgjigje.

“Është një realpolitikë e imja për gjendjen e tashme”.

Express: Si do ta mbajë në mend Ramush Haradinaj Hagën. A keni menduar ndonjëherë se dikush ua ka bërë ndonjë padrejtësi që u kushtoi me 7 vjet të jetës tuaj, pasi ju në fund u liruat. A po keni ndonjë opinion tjetër ?

R. Haradinaj: Jo, vetvetiu është padrejtësi. Edhe jo vetëm shtatë vjet, por procesi ka zgjat më shumë. Edhe pos që më është marrë jeta ime personale e familjare, e drejta ime për punë, në fakt unë jam hequr edhe prej përgjegjësive. Jam hequr prej përgjegjësisë së Kryetarit të Qeverisë të vendit tim në kohën kur kam synuar me punu. E dyta, unë prej kohës prej se e udhëheq Aleancën, gjysmën e kohës nuk kam mundur me i ushtru funksionet e mia në parti. Ndërsa rigjykimi e rrit këtë shkallë…. dhe është e çuditshme gjithçka. Nuk jam ndier mirë gjatë gjithë këtij procesi me faktin se gjitha këto po ndodhin me ne.

Express: Është folur shumë për gjakftohtësinë tuaj gjatë gjykimit në Hagë. Megjithatë, një proces kaq i gjatë sigurisht se nuk ju ka lënë emocionalisht kaq neutral?

R. Haradinaj: Po, me të thënë të drejtën unë e kam kuptuar se çka po ndodh, e kam lexu e s’e e kam pranu. Por, e kam lexuar dhe e kam parë se çka po ndodh. Natyra ime është që përballja me ato që i ke para vetes bëhet me koncentrim. Kjo s’do të thotë që ky proces në njëfarë mënyre nuk ka lënë shenja në mua. Por, mendoj se në njëfarë mënyre e kam përballuar në mënyrën e duhur, aq sa njeriu mundet me përballu. Jo vetëm kaq. Mendoj se është një lloj shkolle edhe kjo. Përballja me ligjin ndërkombëtar, njohja me gjithë ato ndërlidhshmëri të ligjit ndërkombëtar, me ligjin nacional dhe shumë aspekte tjera është njëfarë edukimi. Ndryshe thënë, një kandidat do të mundte të doktoronte në ligj në rast se gjithë këto vite ish përballë me ligjin.

Express: Keni bërë shumë deklarata pas kthimit, por pyetja qendrore mbetet tema e koalicionit. Shumëkush po e sheh si të pamundur që ju të bëheni Kryeministër…

R. Haradinaj: Po i mbetem besnik asaj që thashë edhe kur erdha, që dëshiroj më fol në punë. Më pak fjalë, më shumë punë. Po, për me fol në punë, unë jam ofruar me fillu me punu, me marrë përgjegjësi, pra koalicionin që po flasim. Kjo ka të bëjë më logjikën time të tashme se ka humb, si me thanë, ma fytyra me fol me fjalë. Mjaft është folur. Mjaft është thënë. Mjaft deklarata janë bërë në Kosovë. Po mendoj se e vetmja gjë që tani vlen është me mujt njerëzit me punu konkret, me ndryshu gjendjen në vend. Nuk mjafton më me vazhdu rrugëtimin e deklarimeve. Jemi dëshmitarë, nëse e përcjellim jetën institucionale, non-stop flitet për një organizëm, për një mekanizëm, për agjenci, se duhet me e ba këtë apo atë. Mendoj se për mu, po ju them sinqertë, nuk mund të hyj në këtë trend. Nuk mundem me u ba pjesë vetëm e deklarimeve. Unë po du me fillu me punu. Pra, edhe konkret. E kam marrë punën që më takon dhe funksionet e mia në Aleancë. Por, po ashtu konkret jam ofru me marrë udhëheqjen e Qeverisë së vendit. Nëse është e mundshme që nga dita e sotme ose nesër. Por, jo me humb ditë, jo me humb kohë.

Express: Duke i pasur parasysh pozicionet tuaja të mëhershme në raport me Thaçin, bisedat për koalicion duken gati absurde. Po bëjmë një krahasim, imagjinoni Edi Ramën dhe Sali Berisha, që janë dy kundërshtarë të përbetuar, të uleshin për të folur për bashkëqeverisje.

R. Haradinaj: E vërteta që ndoshta në largësi e këtillë tillë mes të subjekteve politike, në mes udhëheqësve të partive politike. Por, kjo është një përgjigje reale. Është një realpolitikë e imja për gjendjen e tashme. Për shembull, në rast se unë do të merrja komoditetin mos me fillu me punu, por vetëm me vazhdu funksionet në subjektin politik, atëherë ne do të jetonim edhe një vit me deklarime deri në zgjedhje, me shumë deklarata, me shumë qëndrime, të cilat gjendjen nuk do ta ndryshonin. Nuk do të fillonim me lëviz në punë. Do të thotë, unë kam kaluar nga disa aspekte të interesit personal, të interesit partiak. Unë po mendoj se është me rëndësi me fillu me ndryshu gjendjen në vend. Oferta ime është serioze dhe shumë e sinqertë. Edhe ka një qëndrim korrekt nga PDK’ja dhe nga Kryetari Thaçi, ani se në dukje duket larg ashtu. Ka një qëndrim korrekt për një partneritet të mundshëm. Në rast se ndodh, për mua do të ishte nder që më jepet besimi me udhëheq Qeverinë dhe ata që janë në qeverisje për një kohë do ta ktheja dhe do ta shpërbleja me punë për qytetarët e vendit.

Express: Keni pasur një darkë pune me Hashim Thaçin. A i keni dhënë atij ndonjë arsye të fortë pse duhet t’ua lëshojë postin e siç e quani ju të “Kryetarit të Qeverisë”:

R. Haradinaj: Nuk është, vetëm si me thanë, një kërkesë për një post. Kjo është një ofertë serioze me u qeveris vendi, por ka përgjegjësi edhe për z. Thaçi, edhe për PDK’në, përgjegjësi serioze sepse kjo do të ndodhë së bashku nga të gjithë. Në fakt, unë po ndryshoj më shumë se kaq. Jo vetëm ndryshimin e atyre që sot janë me mandat, të cilët ma besojnë mu mandatin qeverisës për më tutje, por edhe një mirëbesim te spektri tjetër politik, të cilët nuk janë pjesë e qeverisjes së ardhshme. Por, një mirëbesim sepse puna po bëhet për të gjithë.

Express: Si reagoi z. Thaçi në kërkesën tuaj?

R. Haradinaj: Ishte shumë korrekt. Ishte shumë serioz. Dëgjoi ofertën. Nuk ka ndonjë qëndrim aty për aty. Por, tha se do ta shqyrtojmë këtë. Por, tash kemi hyrë në festa dhe në pauzë institucionale. Ishte se ishte madje shumë korrekt. Ai ka thënë që do të interesohet për të gjitha këto tema dhe në të ardhmen prapë do të jemi bashkë për me diskutu.

Express: Çka do të punonte z. Thaçi në një Qeveri të drejtuar nga ju?

R. Haradinaj: Shikoni, jeta institucionale në Kosovë përbëhet prej shumë përgjegjësive, jo vetëm atyre qeverisëse dhe me siguri se ai do ta vazhdojë kontributin e vet në jetën institucionale të vendit. Edhe ky do të ishte një partneritet pastaj.

Express: Po në skenarin tuaj të ndarjes së posteve, të zbatimit të këtij partneriteti që ju keni ofruar, z. Thaçi, i cili është njëri prej aktorëve kryesorë, çfarë pozite do të kishte ?

R. Haradinaj: Ju po e thoni ndarje të posteve, mua më lejoni të them siç e shoh unë. Kjo është marrje e përgjegjësive. Ndryshe me thënë, nuk ndahen përgjegjësitë – merren përgjegjësitë. Pra, fjala post me siguri vlen për logjikën se si është punuar deri më tash. Ose si kemi jetuar në vend. Së pari postin e më vonë punën. Kjo që po synoj unë është me marrë përgjegjësinë, me marrë punë, me fillu me punu. Pra, dallon, më falni që po ndërhyj kështu. Ndërsa, realisht kryetari i një subjekti politik e ka vizionin e vet për angazhimet e mëtejme. Mund ta ketë në rast merremi vesh sepse nuk dihet a do të merremi vesh. Por, ai mund ta ketë dhe për këtë ai do të kujdeset. Ai do të bëjë plane. Unë e kam bërë një plan, që është tepër serioz. Jam ofruar për me ma dhënë mundësinë për me punu. Me udhëheq Qeverinë e vendit për përudhën e mbetur të këtij mandati. Dhe, mundësisht edhe për mandatin që vjen. Do të thotë për mandatin e ardhshëm.

Express: Po i dëgjojmë disa deklarata të zyrtarëve të PDK’së që kanë thënë se vendi e ka Kryeministrin, ndërkohë z. Thaçi nuk është prononcuar për këtë…

R. Haradinaj: Më falni, ata e kanë thënë të vërtetën. Ne e kemi Kryeministrin. Deri atë ditë që është ky, s’na duhet një tjetër në kuptimin që ata kanë të drejtë figurativisht kur flasin. Pastaj, mund ta kenë edhe bindjen, edhe simpatinë se ky është më i miri. Ajo është diçka legjitime prej tyre. Ne po flasim për një nivel tjetër të vendimmarrjes, i cili është niveli i udhëheqësve të partive dhe pastaj me siguri i forumeve të partive. Ndërsa, të gjitha deklarimet që ndodhin, ato janë shprehje e bindjen, shprehje e besimit, e interesave të caktuara politike, e kolegëve dhe unë nuk kam probleme me këtë.

Express: Shumëkush këtë ambicien tuaj për t’u bërë Kryeministër e sheh edhe mundësinë që Thaçi të bëhet President. Keni folur për këtë temë me liderin e PDK’së?

R. Haradinaj: Në rast se ndodh ai implikim, në rast se marrja e përgjegjësive për me udhëheq vendin implikon edhe atë aspekt, atëherë duhet me u trajtu. Tani për tani nuk jemi në atë etapë.

Express: Pra, jeni të gatshëm me e prek edhe postin e Presidentes për t’i ndryshuar pozicionet aktuale?

R. Haradinaj: Shikoni, ajo që unë jam i gatshëm është me marrë udhëheqjen e vendit, udhëheqjen e Qeverisë. Thash, në rast se ka implikim që unë për me marrë udhëheqjen e Qeverisë, atëherë duhet me ba edhe ndërhyrje të tjera institucionale sikur rasti i institucionit të Presidentit, atëherë duhet me e rishqyrtu se a mundë të bëhet, si bëhet dhe çka vjen. Por, ne e kemi Presidentin e vendit, e cila për fatin tonë, të paktën të këqija nuk i ka bërë vendit. Ka një imazh të mirë, pozitiv edhe është një institucion i vendit që është me rëndësi, sidomos për përfaqësimin jashtë.

Express: Pra, shihni hapësirë për manovrime kur është në pyetje posti i Presidentit?

R. Haradinaj: Tash nuk i kam ato aspekte të parapara. Ju e kuptoni, unë kam dhënë një ofertë për me marrë udhëheqjen e Qeverisë. Kjo është oferta ime, ju duket çudi, por kjo është oferta ime.

Express: Nuk është çudi, duke e ditur se z. Thaçi mund të shkojë në postin e Presidentit…

R. Haradinaj: Shihni, unë po ju flas prej këndit tim. Po ju tregoj çka jam ofruar unë me ba. Ai ndoshta ofrohet me ba diçka. Nuk është detyra ime as me përcaktu çka mundet me ba ai, por as me i dhanë drejtim asaj pune. Ai është një udhëheqës politik, që udhëheq një parti politike, që ka përvojë në politikëbërje në jetën institucionale dhe ai do ta vlerësojë – po them në rast se e vlerëson me ma dhanë udhëheqjen e qeverisë mu, atëherë ai do ta vlerësojë se çka mundet me ba.

Express: Sigurisht se keni menduar mirë skenarin si do të vini në krye të Qeverisë?

R. Haradinaj: A e kam menduar unë se si kam me u ba Kryetar Qeverie? Po. Me ma dhënë besimin partia që e ka mandatin tash me udhëheq Kryeministrin dhe me m’i dhanë votat në Parlament. Votat tjera me i mbledh unë. Kjo është çka e kam menduar unë. Pjesa tjetër, në rast se për shkak të kësaj mund të ndodhin implikime shtesë, ajo duhet me u shqyrtu.

Express: Pyetje hipotetike, ju po synoni postin e Kryeministrit, Thaçi të Presidentit. A do të ishte vështirë i realizueshëm ky skenar, pasi duhet të rrijë opozita në sallën e Kuvendit, duhet të ketë kuorum, pastaj tri raundet e votimit. A mundet të sigurohet ky ambient politik, ku do të ndodhnin këto rikonfigurime?

R. Haradinaj: Vështirë me i ditë të gjitha këto tash. Njerëzit nisen me një besim. Ata që s’nisen, nuk arrijnë. Ai që rrezikon, mundet edhe me humb. Por, ai që s’rrezikon, veç ka humbur. Ai që s’është nisur, veç ka humbur se asnjëherë s’ka me mbërri. Unë jam nis me një qëllim që mos me humb asnjë ditë. Në rast se kisha mujt me fillu sot me punu që me fillu me ndryshu gjendjen. Edhe në fund të ditës do të kishim efektet e kësaj dite të punës. Dëshira ime është që mos me humb asnjë ditë. Mundësisht të fillojmë nesër. Po e them prapë se nuk do të thotë se gjithçka që ka filluar edhe do të ndodhë. Mundet mos me ndodh. Por, unë po punoj për me ndodh.

Express: Dihet se në Kosovë politika bëhet me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. A ka në këtë fazë një rol të tyre?

R. Haradinaj: Tash po kthehemi te ajo pyetje që e keni bërë shpesh: A jeni servil të ndërkombëtarëve? Gjithë e kam dëgjuar këtë pyetje, ua keni bërë kolegëve tonë përpara. Në rast se ne e dimë çka po duam, me siguri kemi me i informu ndërkombëtarët. Në rast se ne e kemi një produkt të këtyre projekteve, një produkt serioz, real, do t’i informojmë se i kemi partnerë dhe dëshirojmë me i mbajt të kyçur në procese. Por, praktika e punës së institucioneve të zgjedhura është vetëm kjo. Nuk ka praktikë tjetër. Në rast se ne e kemi një produkt serioz, shkojmë dhe i informojmë se kemi një produkt serioz të jetë së brendshme politike, të jetës së brendshme të institucioneve edhe do të veprojmë kështu. Mirëpo, informimi është respekt edhe është po ashtu një kontribut në thellimin e marrëdhënieve. Por, vetëm kjo praktikë do të ndiqet.

Express: A është e mundur një politikan i sapo liruar nga Tribunali i Hagës të marrë një post kaq të lartë. Para disa ditësh një deputet gjerman tha se Haradinaj është mirë të rrijë një kohë jashtë politikës?

R. Haradinaj: E para, ky politikan ka shkuar prej Kryetarit të Qeverisë, i është ndërprerë puna si Kryetar Qeverie. E dyta, dy herë këtë politikan Gjykata Ndërkombëtare e ka shpallur të pafajshëm. E kuptoni, pra, e gjithë bota e civilizuar ish dashtë ta ndiejë një borxh, jo vetëm në Kosovë, por edhe të gjithë ata që besojnë në të drejtat e njeriut në disa rrethana, sidomos duke e pasur parasysh çka thotë Gjykata në Vendim. Gjykata nuk thotë se ku s’ka bërë faj, por në të kundërtën e thotë: Ky ka ndërmarrë veprime që mos me ndodh asgjë keq. E jep vlerësimin se jo vetëm s’ka bërë faj, por ka bërë mirë. Në fjalor të vendimit në gjyq nuk ndodh. Për këtë arsye, edhe mandatet politike. Unë çdoherë gjatë gjithë kësaj kohe kam marrë besim që të jem deputet në të gjitha mandatet e Parlamentit të vendit. Pra, ndonjë hezitim, ndonjë dyshim që mund ta kenë njerëzit mendoj se është për mungesë të informatave dhe të situatës.

Express: A ka dikush prej faktorëve ndërkombëtarë hezitim?

R. Haradinaj: Nuk kam shkuar me e pyet askënd. Ju thashë më herët se unë do t’i informoj. Në rast se e di çka po du me ba, e kam produkt serioz, i informoj. Ky është rregulli i demokracisë së brendshme, i jetës politike institucionale. Këtë rregull duhet ta praktikojmë të gjithë ne e jo të shkojmë kah e kundërta. Neve na është dhënë besimi, vetë miqtë që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës na kanë thënë se nuk do t’ju mbikëqyrim më.

Express: Është folur shumë për 100 ditshin tuaj në Qeveri, që pothuaj ka marrë përmasat e një miti. Çka keni bërë ju gjatë këtyre ditëve, a është kjo ende karta juaj kryesore?

R. Haradinaj: Mendoj se po, është një përvojë, bazona në te, bazona në njohjet e mia për qeverisje. Por, ajo që mundem me siguru është: Ka me fol puna çdo ditë, jo njëqind ditë, por çdo ditë. Puna ka me fol në vend dhe do t’i lëmë këto aspektet tjera. Nuk do të jetë vetëm perceptim se po punojmë ose nuk do të jetë ambalazhim i bukur, por ka me qenë punë, substancë. Edhe çdo ditë ka me fol puna.

Express: Cili është vlerësimi juaj për Qeverinë aktuale? Sigurisht se keni krijuar një vlerësim prejse keni ardhur në Kosovë?

R. Haradinaj: Gjendja në vend nuk është e mirë. Ndryshe me thënë është një gjendje jo e mirë, jo e lehtë – e ndjeshme. Ky është vlerësimi im.

Express: Më herët keni përmendur fjalën krim, korrupsion dhe tash po e zëvendësoni me fjalën “sfidë” kryesisht …

R. Haradinaj: Është interesant, gjithë vitin unë e kam përcjell sa deklarimet janë bërë. Korrupsioni i madh, duke luftuar, sa mekanizmat, sa trupat, sa agjencia, sa dokumentet, sa deklaratat, sa ajo. Kam vendos mos me u ba pjesë e kësaj, po them dinamike jo produktive, s’o ka ndërron asgjë prej saj. Unë mundem me hy edhe me ia tregu krejt këto që po ia tregojnë njëri-tjetrit, e çdo ditë që ia keni treguar njëri-tjetrit e që vesh na u kanë mbush. S’jam pjesë e kësaj më. E kam të drejtën time mos me u ba pjesë e këtij debati të varfër politik. Se është varfëri kur flitet e nuk veprohet. Çka i kanë thënë është në rregull. Po kush i bën? A ka me i ba dikush? Unë po ofrohem me punu.

Express: Në dy tre muajt e fundit jemi bombarduar prej skandaleve, ndërkohë AAK ka heshtur…

R. Haradinaj: Është bërë politika si kronikë e zezë. Çdo ditë ne marrim lajme për tronditje të caktuara, për veprime të caktuara. Çka me fol bre ma? S’kemi çka flasim. Gjërat flasin vetë. Situata nuk është e mirë, është e ndjeshme. Edhe gjendja ekonomike e sociale s’është e mirë. Mos të harrojmë këtë se shpesh po ikim prej këtij aspekti. Por, një klimë e tillë politike, këto lajme nuk ndikojnë në përmirësim të gjendjes. Këto i vështirësojnë, i frikësojnë investitorët edhe të brendshëm e lëre më të jashtëm.

Express: A ka marrë fund ai opsioni i bashkimit të opozitës, pra LDK – AAK -LDD tash kur keni ndërtuar raporte të reja me PDK’në?

R. Haradinaj: Shiko, unë s’i kam bërë ofertë LDK’së dhe Vetëvendosjes. Unë i kam bërë ofertë PDK’së sepse PDK ka mandat ose është në qeverisje. Edhe u kam kërkuar atyre që e kanë qeverisjen me ma dhënë mu. Ky është raporti, një partneritet qeverisës. Në rast se nuk ndodh kjo, ne do të shkojmë me duar të lira pa obligime ndaj partive politike, si subjekt opozitar në zgjedhjet e ardhshme. Atëherë do ta kërkojmë partneritetin jo me subjektet tjera politike, me LDK’në, me Vetëvendosjen. Por, me qytetarin e vendit. Atë që ia kërkoj sot PDK’së, Kryeministrit Thaçi që me ma mundësu që me ia nis punës, në rast se nuk ndodh për një arsye apo tjetër, atëherë mua më mbetet jo me i kërku opozitës këtë mandat se ata nuk e kanë. Por, unë do t’u kthehem njerëzve të vendit, kryesisht qytetarëve kudo që janë, me i lut me ma dhënë mundësinë me punu. Kjo do të jetë me duar të lira. Pas zgjedhjeve do të jemi duar lirë me vendos. Zgjidhjet do t’i shohim në bazë të vlerësimeve dhe në bazë të rezultatit që na e kanë dhënë qytetarët.

Express: Cili do të jetë qëndrimi juaj nëse nuk realizohet skenari i bashkëqeverisjes me PDK’në? E dimë që me këtë parti keni pasur përplasje të mëdha. Adem Grabovci pati bërë deklarata të ashpra, duke përmendur se ju keni pasuri madje edhe në Monte Carlo?

R. Haradinaj: Unë jam ofruar me marrë përgjegjësi, jam ofruar me marrë besimin e tyre që me udhëheq vendin. Kjo është një kërkesë tepër e madhe për ta. Nuk është një kërkesë e thjeshtë. Nëse ma japin këtë besim, më bëjnë një nder mua. Por, do t’ua kthej qytetarëve të vendit. Në fund të fundit i kanë bërë një nder vendit, që unë po mendoj se ajo mundësi që më jepet me kthye në punë të mira për njerëzit e vendit. Si subjekte politike, ne kemi jetën tonë tash dhe në të ardhmen ashtu siç ju thashë se do të shkojmë në zgjedhje. Të gjitha këto spekulime që janë bërë rreth pasurisë time, mendoj se tash realiteti dihet çka qëndron e ç’ka s’qëndron. E vërteta është se unë kam shtëpi në Prishtinë, shtëpi në Gllogjan. Nuk kam pronë tjetër. Në Brezovicë e kam një pllac, e kam thënë disa herë, por nuk e kam qitur në emrin tim. Por, nuk e mbajë fshehur. Nuk kam pronë tjetër mbi këtë dhe. As pare diku tjetër. As kurxho. E shëndosh jam që është me rëndësi shumë.

Express: A e keni pasur vështirë me gjithë këto akuza që ju kanë bërë zyrtarët e PDK’së, të cilët ju kanë cilësuar humbës, të frustruar, keni pasuri milionëshe?

R. Haradinaj: Qashtu kanë menduar, por qe unë e kam mendimin tim. Unë po ju them a po ma jepni mundësinë me punu. S’po u them atyre jeni kështu, jeni kështu. I kemi lënë këto sene. Qytetarët i dinë kush, kush është në këtë vend. Të paktën ata që duan me ditë sinqertë që s’janë të ngarkuar me ideologji të caktuara ose s’kanë paragjykime për shkak të përkatësive të caktuara. Qytetarët e vendit e dinë kush, kush është ose kush ka qenë, ose çka ka ndodh. Duke i tejkaluar të gjitha këto, jam ofruar me ma dhanë mundësinë PDK’ja me punu. Prapë po them është një kërkesë e madhe, nuk është e lehtë, nuk është e vogël. Në rast se ma japin këtë ndër, ma japin besimin, kam me ia ka kthye qytetarit të vendit. Në këtë rast, ata i kanë bërë një nder vendit, jo vetëm mua dhe Aleancës. Por, jam i vetëdijshëm se kjo do të ishte një situatë e re, edhe e marrëdhënieve tona me PDK’në, sepse do të ishte një situatë krejt tjetër.

Express: Disa vjet më parë patëm rikonfigurim të pushtetit, duke ndërruar figura politike si në lojën e shahut. Tash ju po e favorizoni një opsion të tillë pa e pasur gajle fort për demokracinë?

R. Haradinaj: Na e dimë që demokracia më e mirë janë zgjedhjet. Por, partitë politike janë treguar tepër të pakujdesshme që s’e kanë kryer reformën zgjedhore. Aleancës i kish konvenu sot me shku në zgjedhje. Kur s’kemi rregullativë zgjedhore të gatshme, s’kemi si me shku në zgjedhje. Tash, në rast se na i presim deri në kohën e caktuar, unë për shembull po e humbi ditën e sotme. Në vend se me qenë duke kryer punë të caktuara, për të cilat në fund të ditës kisha fol me njerëzit me punë. Unë po i bëj një pjesë të punëve që i kam në kuadër të Aleancës, por nuk janë punë. Unë kisha mundur direkt me ndërru jetën e njerëzve të vendit. Për mos me humb kohë unë po shkoj në këtë drejtim. Edhe për mua është privilegj me shku në zgjedhje. Është lehtë. Është josfiduese. Nuk të ngjiten shibla e këto paragjykime që i krijojnë njerëzit, por a kemi ne luksin që si Kosovë me vazhdu një gjendje çfarë e kemi e me komoditet me i prit zgjedhjet? Është pak më ndryshe kjo. Ne po ofrohemi, por i di përmasat e asaj çfarë po bëj. Nuk është punë e vogël me iu thënë atyre që e kanë qeverisjen: A po ma jepni mua me udhëheq? A po ma jepni besimin mua? Pak e çuditshme në fund të fundit. Disa munden me thanë çka është kjo punë? Por, duke i parë mundësitë, unë po e shfrytëzoj një mundësi, edhe po ju jepi mundësi të gjithëve edhe vetës, edhe opozitës po ia jap një mundësi me pa çka po ndodh. Për këtë po dëshiroj të krijoj një mirëbesim me të gjithë, të paktën që t’i jepet mundësia punës. Pastaj puna le të flet a është mirë apo është keq.

Express: Por, e keni mundësinë ta rrëzoni edhe Qeverinë?

R. Haradinaj: Faleminderit shumë! Për shkak të kohës e kam, jo që s’po du me u përgjigj. Kam me shku në Kaçanik.

 

Nga Shpend Limoni & Faton Ismajli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu