Dy letra: arroganca si përgjigje

0
678

Arroganca qeveritare përkthehet sidomos në mungesë të llogaridhënies. Ajo rritet proporcionalisht me rëndësinë e çështjes dhe i shtohet dëmit tashmë të shkaktuar. Sa më e madhe llogaria që e paguan Kosova, aq më e vogël llogaridhënia e Qeverisë ndaj Kuvendit dhe komisioneve të tij

E nderuara zëvendëskryeministre Tahiri,

Sipas Planit dhe Programit të Komisionit për Punë të Jashtme për vitin 2012, është paraparë që ju të paraqiteni në dëgjim publik para Komisionit gjatë muajit shkurt. Si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ju ftoj në takim për të raportuar para Komisionit lidhur me procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Sa më parë që do të mund të na e jepni një datë të takimit, aq më mirë do të ishte.

Konsiderojmë se ka kaluar një kohë e gjatë që kur Komisioni është njoftuar zyrtarisht me zhvillimet në procesin që e udhëhiqni ju, ndërkohë që janë marrë vendime thelbësore që kanë të bëjnë me interesat e shtetit të Kosovës.

Në raportimin tuaj të parë dhe të fundit para Komisionit, më 8 prill 2011, ju keni deklaruar se do të paraqiteni para Komisionit edhe në baza vullnetare sa herë që do të konsiderohet se ka lëvizje rrënjësore për t’u raportuar. Kjo gjë nuk ka ndodhur deri më sot.

Znj. Tahiri, ju ishit ftuar të raportoni para Komisionit më 24 qershor 2011. Pasi që e keni konfirmuar pjesëmarrjen në mbledhje, më pak se 24 orë para fillimit të saj keni njoftuar administratën se keni pasur një udhëtim urgjent jashtë vendit.

Shpresojmë në një përgjigje pozitive ndaj ftesës sonë.

Me nderime,

Albin Kurti

Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme

Kuvendi i Republikës së Kosovës

Prishtinë, 20 shkurt 2012

* * *

E nderuara zëvendëskryeministre Tahiri,

Në mbledhjen e mbajtur dje, më 29 shkurt 2012, nga Komisioni i Punëve të Jashtme, me pajtimin e të gjithë anëtarëve të pranishëm kemi konstatuar se Komisioni për Punë të Jashtme, për shkak të fushëveprimit, gëzon të drejtën që të ketë një kopje të marrëveshjes mbi menaxhimin e integruar të kufijve dhe të marrëveshjes mbi bashkëpunimin e përfaqësimin rajonal të arritura në Bruksel, si pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.

Për marrëveshje të tilla ne nuk do të duhej të njoftoheshim vetëm nga mediet. Kopjet duhet të na i sillni ju, bashkë me përkthimin zyrtar të tyre.

Luteni që ta na i dorëzoni kopjet në kohën më të afërt të mundshme nga data e kësaj kërkese.

Me respekt,

Albin Kurti

Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme

Kuvendi i Republikës së Kosovës

Prishtinë, 1 mars 2012

* * *

Në asnjërën prej këtyre dy letrave, as sot e kësaj dite, nuk është përgjigjur zëvendëskryeministrja Edita Tahiri. Pra, nuk është çështja se znj.Tahiri, thjesht, nuk erdhi në Komisionin për Punë të Jashtme. Ajo as që u përgjigj pse nuk do të vijë apo kur do të mund të vijë (dikur më vonë). Për më tepër, këto dy letra nuk janë dërguar vetëm në email adresën zyrtare të zëvendëskryeministres. Asistentja personale e saj, Ramize Tahiri, si dhe këshilltarja e saj politike, Elona Cecelia, po ashtu i kanë pranuar këto dy letra.

Më datën 20 mars 2012, zëvendëskryeministrja Tahiri ia ka dërguar kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, marrëveshjen për çështjen e përfaqësimit dhe bashkëpunimit rajonal në bazë të së cilës emrit të shtetit të Kosovës iu hoq fjala ‘Republikë’ e iu shtua fusnota. Kjo marrëveshje me 11 pika në një faqe tekst i është përcjellë deputetëve të Kuvendit të Kosovës më 22 mars 2012.

Marrëveshja tjetër, ajo mbi menaxhimin e integruar të kufijve, e arritur njësoj më 24 shkurt 2012 në Bruksel, nuk i është sjellë as Kryesisë së Kuvendit se lëre më Komisionit për Punë të Jashtme, ku zëvendëskryeministrja nuk ka shkelur që prej një viti.

Arroganca qeveritare përkthehet sidomos në mungesë të llogaridhënies. Ajo rritet proporcionalisht me rëndësinë e çështjes dhe i shtohet dëmit tashmë të shkaktuar. Sa më e madhe llogaria që e paguan Kosova, aq më e vogël llogaridhënia e Qeverisë ndaj Kuvendit dhe komisioneve të tij.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Zëri”)

 

Shkruan: Albin Kurti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu