Dy oficerë të shkolluar në Greqi do të negociojnë marrëveshjen e re të detit

0
962

Lëvizjet në krye të Forcës Detare do të sjellin ndryshim edhe në Komisionin Ndërministror të Negociimit të Marrëveshjes Detare me Greqinë. Qeveria nuk mund t’ia linte në dorë ekspertizën e kufirit detar kundëradmiralit Kudret Çela, sepse ai kishte treguar shenja mosbindjeje, ku rasti i fundit ishte konflikti me ministrin për shkrirjen e Bazës së Bisht Pallës. Duket se, Greqia bën presion që këto negociata të mos ndryshojnë marrëveshjen e arritur.

Pra, lëvizja në ekipin drejtues të Forcës Detare, përveç arsyeve të drejtpërdrejta, apo edhe shkeljeve proceduriale që janë tashmë pjesë e një procesi gjyqësor, zgjon vëmendjen edhe për sa i përket problemit të marrëveshjes së zonave detare me Greqinë. Kjo pasi së bashku me akuzat ndaj qeverisë aktuale, në listën e sulmeve u përfshi edhe Flota Detare, e konkretisht ish-kreu i saj, Kristaq Gerveni, që ishte edhe eksperti për këtë çështje.

Në të vërtetë, sikundër pohon për Shekullin, ish-drejtuesi i Flotës, Kudret Çela, “ekipi ndërministror për negocimin e marrëveshjes është i ngritur” dhe në të një përfaqësues e ka edhe Forca Detare. “Në kohën kur kam qenë unë komandant, isha unë përfaqësues, por natyrisht për të punuar mirë duhet ngritur një ekip ekspertësh. Kjo për të mos gabuar sërish si më parë”, tha Çela. Caktimi i tij në komisionin ndërministror, së bashku me praktikën e mëparshme, kur Gerveni, si komandant, ishte eksperti përgjegjës për çështjen e caktimit të kufirit,  nënkupton se aktualisht në komision do të duhet të caktohet komandanti i ri, Ferdinand Kreshpani dhe me gjasë zëvendësi i tij, që është Gëzim Koçi.

Megjithatë deri më tani, publikisht nuk ka asgjë zyrtare për përfaqësimin e Flotës në një eventualitet kur marrëveshja për detin mund të rishikohet. Nga pikëpamja e formimit profesional, dyshja që drejton sot Forcën Detare është e kompletuar për ta kryer detyrën me profesionalizëm; kështu Kreshpani përveç formimit bazë në Shkollën e Marinës në Vlorë,  ka kryer dy kurse kualifikimi në Athinë, përkatësisht Akademinë e Mbrojtjes në vitin 1998-1999 dhe Kolegjin e Mbrojtjes në vitin 2005-2006. Më tej karriera ka nisur që në themel, me drejtimin e katrit silurues, për të vijuar në si shef shtabi në regjiment (në bazën e Sarandës), për të përfshirë edhe një afat kohor në akademinë e Vlorës.

Të gjitha këto të dhëna vijnë në konsideratë për përzgjedhjen e bërë nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami, i cili në urdhrin e tij për emërimin e Kreshpanit, i është referuar ligjit nr.8671, përkatësisht nenit 19, pikës 2 dhe 13, kur ligji dikton një rol të Presidentit të Republikës.  Për t’iu rikthyer edhe njëherë problemit të marrëveshjes së ujërave, duhet nënvizuar se opsioni i caktimit në ekip të zëvendësit të tij, Koçi, mbetet i mundshëm edhe për faktin se ky i fundit ka punuar për një kohë në sektorin e hidrografisë në Flotë, ndonëse praktika në fjalë mbetet për t’u bërë publike në rrugë zyrtare.

 

Nga, Skerdilajd Zaimi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu