Dy takimet “sekrete” të Isa Mustafës e Kadri Veselit!

0
855

Dyshja udhëheqëse e koalicionit qeverisës PDK- LDK, Isa Mustafa e Kadri Veseli kanë zhvilluar dy takime larg “syve: të mediave dhe të opinionit publik, në këto 6 ditët e fundit.

Gazeta nga burime të saja të afërta me koalicionin Qeverisës ka marrë vesh se kreu i LDK-së dhe ai i PDK-së njëherë janë takuar javën e kaluar, gjegjësisht menjëherë pas kthimit të Isa Mustafës nga Brukseli, dhe takimi i dytë ka ndodhur ditën e djeshme.

Sipas këtyre burimeve, në këtë takim janë trajtuar zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.

Mësohet se Kadri Veseli në takim me Isa Mustafën ka hapur edhe temën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe prishjen e koalicionit qeverisës.

“Pavarësisht dy takimeve, ende nuk ka asnjë marrëveshje konkrete ndërmjet dy liderëve të koalicionit qeverisës për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme”, tha ky burim.

Ndërkohë, merret vesh se pas takimit të djeshëm të Mustafës e Veselit, ishte thirrur në mesnatë mbledhja e sotme e Kryesisë.

Në anën tjetër, zyrtarisht askush as nga PDK e as nga LDK nuk ka dashur të flas për këto takime.

Gazeta ka kontaktuar me këshilltarin e Mustafës, Bajram gecaj, mirëpo ky i fundit për këtë çështja ka thënë se duhet kontaktuar këshilltari tjetër i shefit të qeverisë, Sokol Havolli.

Mirëpo, ky i fundit ka qenë i paqasshëm.

As nga PDK nuk ka dashur askush të flas për këto takime.

Ndërkohë, shefi i PDK-së, Kadri Veseli përkundër kërcënimeve  ndaj Isa Mustafës që sa më parë të dërgohet në Kuvend marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, kreu i LDK-së as që e ka përfillur këtë “selam” të kryeparlamentarit.

Shefi i Qeverisë, Isa Mustafa ka thënë se këtë marrëveshje do ta procedoj atëherë kur do t’i ketë votat e sigurta.

Në anën tjetër, është raportuar ditë më parë se PDK do të bëjë përpjekje që deri më 5 maj ta rrëzoj qeverinë, dhe që zgjedhjet e parakohshme të mbahen më datë 11 qershor. Ky plan i PDK-së parashihet që të realizohet përmes tre skenarëve.

Sipas skenarit të parë, që demarkacioni të sillet në Kuvend para datës 5 maj, të rrëzohet aty, të prishet qeveria dhe vendi të shkoj në zgjedhje.

Skenari i dytë, sipas këtyre burimeve, vije në shprehje nëse Isa Mustafa do të vazhdoj ta zvarrisë procedimin e marrëveshjes për demarkacionin. Në këtë situatë PDK do ta prish koalicionin, dhe përmes mocionit do ta rrëzoj qeverinë. Dhe opsioni i tretë, është që PDK ta mbështes mocionin e inicuar nga Nisma për rrëzimin e qeverisë dhe dërgimin  e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Mundësinë e një seance të jashtëzakonshme për ditën e premte, e ka përmendur sot shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami.

Ajo ka thënë pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, se sipas të gjitha gjasave të premten do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme, ku do të rrëzohet qeveria dhe vendi do të shkoj në zgjedhje.

Ndërkaq, sot është zhvilluar edhe një takim i kreut të Kuvendit, Kadri Veseli me kreun e shtetit, Hashim Thaqi, në një nga restaurantet e kryeqytetit, ku thuhet se temë kanë qenë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu