Dy vjet Shqipëri në dokumente sekrete

0
889

Arkivat gjermane e amerikane për periudhën e viteve 1943-1945 në Shqipëri kanë raporte me vlerë për analizat dhe statistikat që japin mbi vendin tonë në këtë kohë historike. Libri i tretë i historianit amerikan Bernd Fischer që ka objekt studimi periudhën para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore është “Shqipëria 1943-1945. Një vështrim përmes dokumenteve perëndimore”. Sepse siç sqaron ai në hyrjen e këtij botimi që sapo është hedhur në qarkullim nga AIIS, Tirana Times, Shqipëria nuk i ka lënë pas krahëve luftërat e kësaj periudhe: “Ne sot jemi ende dëshmitarë të debateve mbi këtë periudhë. Ajo është e pranishme jo vetëm në debatet lidhur me krijimin e imazhit të shqiptarëve për vete si popull dhe si shtet, por mbetet e rëndësishme edhe në debatet e sotme politike. Në njëfarë mënyre, në Shqipëri, periudha nga viti 1943 deri në vitin 1945 është ende një pjesë vitale e peizazhit kulturor dhe politik të shekullit të njëzet e një.”

Bernd Fischer trajton dy vitet e fundit të LDB-së në Shqipëri në dritën e dy dokumenteve që botohen për herë të parë: Raporti Final i Vermahtit dhe raporti i përfaqësuesit të misionit amerikan në Shqipëri. Njëri paraqet një vështrim pesimist nga ana e humbësve të luftës dhe tjetri një vështrim optimist për shtetin e ri, por kritik ndaj udhëheqësve komunistë.

I pari, Raporti Final i Vermahtit gjerman në Shqipëri, është shkruar në shkurt-mars 1945 nga një oficer i panjohur, pjesëtar i grupit të drejtimit në selinë e Vermahtit në Berlin. Nën trysninë e sulmeve të aleatëve dhe fundit të Rajhut, ai ka lënë atë që Fischeri e cilëson “një histori të shkurtër, të mrekullueshme, me pesëdhjetë faqe, të pushtimit gjerman të Shqipërisë, duke ndërthurur statistikat e gjalla me analizën”.

Oficeri gjerman trajton pavarësinë formale të Shqipërisë gjatë periudhës së pushtimit. Ai është kritik ndaj qëndrimit gjerman dhe nuk nguron të evidentojë dëmet që shkaktuan forcat gjermane duke u tërhequr nga Shqipëria jo më 28 e as më 29 nëntor 1944. Raporti i oficerit të panjohur ka diçka për të thënë edhe mbi këtë datë që vazhdon të ngjallë debat.

Dokumenti amerikan është një raport mbi përfundimet dhe rekomandimet për njohjen e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë. Është përgatitur nga misioni special i Departamentit të Shtetit në Tiranë, i kryesuar nga J. E. Xhekobs. Misioni amerikan në Shqipëri përbëhej nga katër amerikanë, ndër ta edhe Harry T. Fultz.

Kreu i misionit, Xhekobs, rekomandonte që ShBA të njihte regjimin e Enver Hoxhës, rekomandim të cilin Departamenti i Shtetit nuk e mbështeti. Dhe ky raport “ishte fundi i një marrëdhënieje në vitin 1945, ndërsa marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara u rivendosën vetëm pas 46 vjetësh, në vitin 1991”.

Dokumenti raporton për udhëheqjen e re komuniste, për sa është ajo e aftë ta nxjerrë vendin nga lufta e ta ingranojë në rrugën e rindërtimit. Në prezantimin e përgjithshëm të këtij dokumenti, historiani Bernd Fischer vë në dukje frymën kritike të kreut të misionit amerikan kur komenton “frikën që ngjallnin komunistët, përfshi edhe paralajmërimet ndaj individëve të caktuar, që në atë kohë vizitonin shumë shpesh shtëpitë e zyrtarëve amerikanë dhe britanikë”; kur përshkruan kushtet nëpër burgje dhe përdorimin e torturës; gjyqet kundër kolaboracionistëve, eliminimin e kundërshtarëve politikë dhe ekzekutimet e fshehta. Dalëngadalë Xhekobsi krijon një pamje të instalimit të regjimi të egër duke marrë parasysh edhe rolin e elitës së paraluftës. Fischeri e cilëson raportin e Xhekobsit “shumë më optimist, duke argumentuar se nëse vepronte siç duhet, qeveria dhe populli shqiptar mund të kishin qëndrueshmëri ekonomike. Raporti tregon se Shqipëria kishte pasuri të shumta minerare, që duhej të shfrytëzoheshin, para se të huajt ta merrnin atë pasuri për veten e tyre. Raporti ishte mjaft pozitiv për sa iu përket rezervave bujqësore të Shqipërisë, që i jepnin mundësi Shqipërisë të plotësonte nevojat e veta ekonomike.”

Këto dokumente unike paraqesin sipas historianit Bernd Fischer disa kufizime që e shtyjnë hulumtuesin të shtrojë disa pyetje mbi të vërtetën dhe interpretimin e historisë. Gjithsesi ato “përbëjnë një burim bashkëkohës të çmueshëm, i cili së bashku me të dhënat e tjera, do të japë një tablo më të qartë të kësaj periudhe kritike të zhvillimit historik të Shqipërisë në shekullin e njëzetë.”

 

 

Fakte

Tërheqja e gjermanëve përshkruhet me hollësi, deri te trupat e fundit gjermane që e lanë Shqipërinë më 4 dhjetor 1944, një ngjarje, data e vërtetë e së cilës vazhdon të ketë rëndësi politike në Shqipëri edhe sot. Gjermanët fajësohen për hedhjen e vendit disa dekada pas në zhvillimin e tij, për shkak të shkatërrimit të portit në Durrës dhe hedhjes në erë të shumicës së urave të Shqipërisë gjatë tërheqjes. Oficeri ka frikë për të ardhmen e Shqipërisë duke pasur parasysh mungesën relative të zhvillimit në Shqipëri dhe ndoshta krijon një pamje tejet pesimiste për të ardhmen e Shqipërisë, si shkak i kaosit të luftës. Ai argumenton se pushtimi gjerman dukej se solli dëshmi që populli shqiptar nuk ishte akoma aq i pjekur sa për të qeverisur veten.

 

Dokumenti

Shërbimi i jashtëm i Shteteve të Bashkuara

Misioni amerikan, Tiranë, Shqipëri, 16 gusht 1945

Sekret nr. 76

Lënda: Raporti final i misionit special në Tiranë

 

I nderuar Sekretar i Shtetit

Megjithëse populli shqiptar nuk është në përgjithësi kundër të huajve, ai ka preferenca të caktuara në lidhje me vendet e huaja, të cilat mund të ndahen në dy grupe: pro – perëndimore dhe pro – lindore.

Grupi pro – perëndimor, që natyrisht është më i madh, e sheh Europën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara si burime frymëzimi ekonomik dhe kulturor. Grupi pro – lindor, megjithëse më i vogël nga pikëpamja numerike, është mjaft i fortë dhe me ndikim për shkak të drejtuesve të tij të mprehtë dhe të aftë, ndërkohë që vështron nga Lindja, për shembull nga Jugosllavia dhe Bashkimi Sovjetik, për drejtim, frymëzim dhe mbrojtje.

Grupi pro-amerikan: Grupi i parë me prirje perëndimore është grupi pro – amerikan, i cili besohet të jetë grupi më i madh nga pikëpamja numerike, megjithëse nuk është dhe nuk ka qenë kurrë grupi më i fortë dhe nga pikëpamja politike.

Shpjegimi i parë i ekzistencës së këtij grupi pro-amerikan lidhet me faktin që, sipas vlerësimeve më të rezervuara, të paktën 25 % e popullit shqiptar (rreth 250 mijë individë) kanë qenë në Shtetet e Bashkuara ose kanë atje miq dhe të afërm, me të cilët kanë pasur një shkëmbim të vazhdueshëm idesh dhe mjetesh financiare deri në kohën kur Shtetet e Bashkuara hynë në luftë.

Ky grup i madh pro-amerikan jeton pothuajse në jug të vendit. Para luftës, gati e gjithë struktura ekonomike e këtij rajoni mbështetej me kontributet e miqve dhe të afërmve në Shtetet e Bashkuara dhe nga ndërmarrjet e biznesit të shqiptarëve…

 

I juaji me respekt

J. E. Jakobs

Zyrtar i Shërbimit të Jashtëm

 

 

Autori

Bernd Fischer është studiues i historisë së Ballkanit, ekspert për Shqipërinë. Ka dhënë mësim në disa universitete amerikane. Është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Është autor i librave “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri (1984), “Shqipëria në Luftë, 1939–1945” (1999) dhe i një portreti historik të diktatorit Enver Hoxha.

 

Libri

Shqipëria 1943 – 1945, një vështrim përmes dokumenteve perëndimore

Autor: Bernd Fischer

Botues: Aiis Tirana Times; shqipëroi: Jorgji Qirjako, Tonin Beci

Histori, 300 f.

 

Nga, Elsa Demo

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu