E-di s’e di, E-dita, D-ështimi = D-orëheqje

0
677

Edita Tahiri ka njoftuar se të hënën kosovarët do të mund të hyjnë me targa, letërnjoftime e pasaporta të Republikës së Kosovës në Serbi. Në qoftë se edhe kjo “marrëveshje” dështon, moralisht do të duhej të tërhiqej përfundimisht nga politika

KY MUND TË jetë viti i Edita Tahirit. O për të mirë, o për të keq. Me mrekullinë e rastit, përshtatet edhe me emrin e saj: Edita. E diti apo s’e diti, i saji do të jetë viti. Dhe s’ka si ta shmangë.

Sidoqoftë, fati duket se i ishte predestinuar. Nga shefi i saj i tashëm. Hashim Thaçi. Pasi, Editës nuk i kishte mbetur shumë hapësirë zgjedhjeje.

O të merrte detyrën e vështirë, o të përshëndetej nga politika. Zgjodhi detyrën e vështirë, por mbetet të shihet se kë do ta përshëndetë politika e saj.

E diti?

PËR TË KONTEKSTUALIZUAR këtë, duhet kthyer vetëm pakëz në histori. Disa vite pas lufte, e rebeluar ndaj kryetarit historik të LDK-së, Ibrahim Rugova, Edita doli nga partia e cila ia kishte siguruar karrierën, për të formuar parti të sajën. Alternativa Demokratike e Kosovës nuk e tregua fare si alternativë për elektoratin kosovar, pasi që nuk ia doli të fitonte as një për qind të votave në zgjedhjet e 2004-s. E mbetur askund për disa vjet, dhe e pagjasa që të bëjë diçka me ADK-në, Edita gjeti formulën e mbijetesës, duke shkrirë partinë e saj në listën e partisë që e kishte kritikuar shumë, PDK. Nuk ia doli të bëhej ministre e Jashtme në mandatin e fituar të PDK-së, por u ngushëllua me Ministrinë e Administratës Publike.

Në zgjedhjet e vitit 2010, Thaçi duke mos e vlerësuar si potencial për sjellje votash, në listën e parë e la fare jashtë, për ta kthyer më pas në një vend të parëndësishëm. Dhe vlerësimi i doli i drejtë, pasi që Edita nuk fitoi vota të mjaftueshme për të hyrë në parlament. Këtu, pas përjashtimit të radhës nga elektorati, vjen momenti, të jesh, apo të mos jesh për Editën. Zgjidhja: mbijetesa politike me çdo kusht. Kushti: negociatat e imponuara me Serbinë.

Kreu i PDK-së dhe kryeministri i Kosovës gjithsesi se do ta caktonte çmimin si shpëtimtar i shumëfishtë i Editës. Dhe pas refuzimeve që kishte marrë për postin e kryenegociatorit në bisedimet me Serbinë, kishte gati kurbanin për flijim. Në rast të suksesit, meritat do t’i merrte mbi vete, në rast të dështimit, përgjegjësinë do t’ia linte Editës dhe ADK-së.

E-dita e diti dhe me d-ëshirë e d-uartrokiti!

PROBLEMI TASH ËSHTË se Edita synon të dalë edhe më dinake se shefi i saj Thaçi dhe ta heqë fare përgjegjësinë nga vetvetja për bisedimet. Të mërkurën, Edita dorëzoi kopjet e kompromisit të saj të parë të bërë në dialogun “teknik”-politik në Bruksel. Ajo mori kopjen e librave të regjistrit civil, duke thënë se kjo është një masë e përkohshme deri te koha e kthimit të librave origjinalë. Mirëpo, në marrëveshjen e arritur me palën serbe, askund nuk thuhet se kjo është një marrëveshje e përkohshme, dhe se origjinalet do të merren në ndonjë datë të caktuar. Kjo natyrisht do të mund të ndodhë në qoftë se një ditë Serbia vendosë ta njohë Kosovën si shtet dhe të bëhet fqinj i mirë. Por, kjo mbetet ekskluzivisht në vullnetin e shtetit tash për tash armiqësor të Serbisë dhe assesi si pjesë e arritjes në dialog.

Edita, edhe muaj më parë na ka thënë se është arritur marrëveshje me Serbinë për reciprocitet ekonomik e tregtar, me marrëveshjen për vulat doganore, por edhe kjo, siç po dëshmohet çdo ditë, nuk na doli e vërtetë. Teksa mallrat nga Serbia hyjnë në Kosovë pa pengesa, mallrat nga Kosova duhet të pajisen me dokumente shtesë nga strukturat jolegale serbe, në mënyrë të të hyjnë në territorin serb.

Sido që të jetë, marrëdhëniet Kosovë-Serbi kanë një ditë shumë të rëndësishme përpara, ndoshta më të rëndësishmen që nga përfundimi i luftës. Edita ka paralajmëruar se më 26 dhjetor, të hënën pra, kosovarët do të mund të hyjnë me targa, letërnjoftime e pasaporta të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, pa asnjë problem, si rezultat i marrëveshjes së arritur. Ndonëse një premtim të këtillë e kishte dhënë me vetëbesimin shpesh komik dhe jo me fort bazë edhe për nëntorin që kaloi e që nuk doli. Tash ajo me bindje publikisht thotë se qarkullimi i lirë do të fillojë më 26 dhjetor. Por, kur pyetet se çka në qoftë se as kësaj radhe nuk ndodh, Edita tërhiqet. Kilen ua lë “garantuesve” të Bashkimit Evropian!

Nga kjo rrjedh pyetja se çfarë roli paskësh luajtur atëherë Edita në këto negociata në qoftë se nuk bart kurrfarë përgjegjësie për pasojat që do t’i ketë Kosova nga rezultatet?!

Përse paskësh nevojë të na “bindë” çdo herë që sfidohet për “epoletat patriotike e akademike”, në qoftë se roli i saj qenka aq i papërfillshëm në këto negociata, sa që të mos ndiej fare përgjegjësi për to?!

Atëherë, logjikisht Kosova paskësh mundur fare të mos përfaqësohej si palë në këto negociata, pasi që as që po marrka përgjegjësi përfaqësuesi kosovar në to!

Ose, s’paskësh pasur farë rëndësie se kush është përfaqësuesi, pasi që faturën e paguan “garantuesi”!

E di, Edita!

SIDOQOFTË, SITUATA me negociatat nuk do të duhej të ishte asnjëherë një improvizim siç po na e dëshmon Tahiri çdo ditë dhe as 26 dhjetori nuk do të duhej assesi të jetë i tillë.

26 dhjetori do të jetë dita D e këtyre negociatave. Dhe me këtë shkronjë do të duhej lidhur të gjitha veprimet e mëpastajme. D-ja do të duhej të nënkuptonte D-epërtim të rëndësishëm në qoftë se do të arrihet një qarkullim i lirë dhe me reciprocitet të plotë në mes të qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë. E në qoftë se ndodh si me marrëveshjet e deritashme, shkronja D do të duhej të lidhej me fjalën D-orëheqje.

E D-iti, apo s’e D-iti E-Dita, D-ështimi imponon D-orëheqjen.

Nga, Adriatik Kelmendi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu