E mbyllin në shtepi

0
864

EULEX organizoi shpejt e shpejt një seancë kundër Fatmir Limajt mbrëmjen e së enjtes, posa Gjykata Kushtetuese lëshoi aktgjykimin për imunitetin e deputetëve. Aty iu shqiptua masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh, iu konfiskuan dokumentet e udhëtimit dhe në shtëpi u shoqërua me vetura të misionit europian. Limaj akuzohet për krime lufte.

Kjo masë e arrestit kundër deputetit  dhe nënkryetarit të PDK-së, Fatmir Limaj u propozua nga prokurori lidhur me  akuzat e instruktuara për të ashtuquajturin,  “Rasti Kleçka”. Vendimi i prokurorit të EULEX-it përnjëherë u  miratua nga Gjykata e Qarkut.  Avokatët mbrojtës të Fatmir Limajt deklaruan se nuk do të ushtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi.

 

Tashmë janë bërë 17 muaj qyshkur Prokuroria e EULEX-it kishte ndërhyrë në mënyrë mujshare dhe spektakolare në MTPT, me qëllim për ta arrestuar,  asokohe ministrin më të suksesshëm të Qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj,  të dyshuar për korrupsion. Në mungesë të provave relevante, Limaj u la i lirë, por autoritetet e EULEX-it në bashkëveprim me qarqe të ndryshme ia mohuan të  drejtën për të qenë pjesëtar i saj, edhe pse ishte ndër tre politikanët  më të votuar në zgjedhjet e fundit, në Kosovë.

 

Të përkujtojmë me këtë rast se Fatmir Limaj, i njohur gjatë luftës së Komandant Çeliku, është mbajtur afër tri vjet në Burgun e Hagës dhe në fund të procesit gjyqësor, në vitin 2005,  është shpallur i pafajshëm në të gjitha pikat e akuzave për krime lufte, që kishte ngritur UNMIK-u në bashkëpunim me Prokurorinë e Serbisë, duke u mbështetur në dosjet e sajuara gjatë kohës së regjimit të Milosheviqit. Autoritetet e EULEX-it, të ndikuara nga Beogradi zyrtar kanë rihapur dosjen Limaj, me qëllim të diskreditimit të luftës së UÇK-së, në zonën ku kishte mbijetuar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Qeveria e Kosovës, Institucionet informative të luftës dhe dhjetëra mijëra të zhvendosur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu