E vërteta dhe mashtrimi mbi luftën në Siri !

0
827

Lajmet e shpeshtuara mbi vrasjet e shqiptarëve që jetojnë prej kohëve në Siri si koloni shqiptare dhe mbi vrasjet e shqiptarëve që shkuan vullnetarë në Siri, me detyroj të merrem me këtë temë. Natyrisht se në këtë me nxiti edhe debati herë – herë jo parimor nga pozitat e ekstremeve të kundërta, të cilat situatën konfuze në Siri e mjegullojnë edhe më shumë me deklarata të pa përgjegjshme!

Fillimisht lufta qytetare ishte pak a shumë e çartë, sepse fjala ishte për luftë mes forcave të rezistencës dhe forcave të regjimit fashist të Diktatorit Asaad. Por, në këtë luftë qytetare pastaj, u përzien edhe duart e shërbimeve të spiunazhit global dhe luftën qytetare e shndërruan në një anarki kriminale me qellim djallëzor që të vriten sa me shumë sirianë. Ka dyshim se një pjesë mire e autobombave që vihen pranë vendeve ku lëvizin shumë njerëz, mund të jen të vendosura edhe nga agjenturat e huaja të spiunazhit diverzanto-subverziv, që atje maskohen me motive të lloj – llojshme! Pra, Populli i Sirisë është në hall të madh dhe vetëm për vetëm, pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare është i gjykuar që të shkojë drejt shfarosjes!

Deri me tani as OKB dhe as fuqitë e mëdha nuk treguan as interesim serioz dhe as gatishmëri që të bëjnë përpjekje praktike për ndaljen e kësaj lufte qytetare. Deri me tani popullit të Sirisë i dolën në ndihmë vetëm disa qindra vullnetarë nga e terë bota, në mesin e te cilëve ishin dhe janë edhe disa shqiptarë. Disa prej këtyre vullnetarëve edhe u vranë këto ditë. Unë ju shpreh ngushëllimet e mija edhe familjarëve shqiptarë të dëshmorëve që jetojnë në Siri edhe të familjarëve të dëshmorëve shqiptarë që jetojnë në mbarë atdheun tonë!

U tha dhe u shkrua mbarë e mbrapsht për ta! Për motivet e tyre të shkuarjes dhe për luftën e tyre u thuren gjithfarë legjendash, shumica e të cilave nuk kanë lidhje me realitetin. Fakt është se ata fisnikërisht po i flijojnë jetët e veta për lirinë e një populli tjetër, dhe kështu po e kthejnë një pjese të borxhit ndaj atyre dëshmorëve të huaj që ranë në luftën e UÇK për çlirimin e Kosovës! Por, këta dëshmorë po përgojohen nga ata që nuk kanë qen në gjendje të flijohen as për popullin e vet e lëre më të flijohen për popullin e Sirisë! Natyrisht se ata sirianë që janë në anën e Diktatorit Asaad, këta vullnetarë i shohin si armiq dhe synojnë t’i vrasin kudo që munden!

Deshëm apo nuk deshëm, mirë apo keq, 80% të popullsisë shqiptare janë të besimit mysliman. Në botë jetojnë mbi 1.2 miliard njerëz të besimit mysliman. Andaj kush mendon dhe dëshiron zhdukjen e tyre ka logjik kriminale. Njerëzit e qytetëruar e të civilizuar nuk mendojnë për zhdukjen e njeri-tjetrit, por për bashkëjetesë në mirëkuptim dhe në harmoni mes ideologjive, besimtarëve, ateistëve, racave e kombeve të ndryshme, sepse para zotit jemi të gjithë të barabartë.

FËMIJA SIRIAN I PLAGOSUR PËR VDEKJE THRRISTE: ”…KAM ME I TRGUA ZOTIT ÇFARË KRIMESH PO BANI JU TË RRITURIT…”!

Nuk ka dyshim se në tmerrin e kryengritjes siriane kanë gishte edhe Fuqitë e Mëdha, të cilat me gjakun e popullit sirian po i shkruajnë kufijtë e ri te sferave të tyre të interesit. Siria është vetëm një pjesë e mozaikut të hartave gjeostrategjike e politike të fuqive të mëdha. Gjak po kullon Afganistani, gjak po kullon Iraku, gjak po kullon Palestina, Libani, Izraeli etj. dhe së shpejti gjak do të kullojë edhe Irani. Fëmijët e këtyre popujve duhet të rriten në paq e jo në luftë! Mua as që më intereson as besimi as ideologjia politike e këtyre vendeve, por me intereson shumë që atje të ndalet vrasja e fëmijëve dhe e popullatës civile në përgjithësi nga industria e luftës që derdh gjakun e popujve tjerë për naftë!

Agjit-propaganda luftarake vazhdimisht akuzon popujt myslimanë për terrorizëm, ndërsa vet i terrorizojnë ata popuj me terror shtetëror, duke hedhur raketa në fshatra e qytete dhe duke kryer atentate edhe ndaj shkencëtarëve civilë për ta ndaluar zhvillimin teknologjik të këtyre vendeve. Këta popuj nuk po dërgojnë tanket e veta, aeroplanët ushtarakë vrasës, as ushtritë e veta në vendet tjera të Evropës dhe Botes, por po ndodh anasjelltas! Ka edhe akte kriminale terroriste që ushtrohen edhe nga disa grupe bashibozukesh që i takojnë besimit mysliman. Por, ata nuk mund të përdoren që të akuzohet i tër besimi mysliman për terrorizëm. Nuk ka terrorizëm të krishterë apo mysliman, por ka vetëm terrorizëm kriminal! Të gjitha besimet fetare predikojnë vetëm paq e harmoni mes njerëzve!

Nëse i merr armët që përdoren atje shihet se ato nuk janë prodhuar në ato vende fare, por se kanë shkuar atje nga bota e “civilizuar”, kryesisht nga ish-Bashkimit Sovjetik dhe nga vendet e Bashkimit Evropian e nga Kina! Me këto armë të huaja po vriten fëmijët sirianë. Në Siri ka njerëz edhe të besimit të krishterë edhe të besimit islam. Por, s´ka lidhje se cilës fe i takojnë ata, sepse ata janë njerëz të pafajshëm që po vriten, dhe kjo shfarosje e popullit sirian duhet të ndalet! Njerëzit e pafajshëm janë njerëz, pavarësisht se cilës ide, cilës fe e cilës racë i takojnë dhe ata duhet te mbrohen nga i gjithë njerëzimi! Është e pa tolerueshme që ata që dje e luftonin nazizmin e fashizmin apo që ishin viktima të tiranisë së nazizmit e fashizmit, tani t’ju lejohet që vet ata të sillen ndaj të tjerëve si Hitleri e Musolini!

Andaj, kur institucionet shtetërore dhe ato fetare bëjnë thirrje që të mos shkojnë në Siri vullnetarë nga viset shqiptare, ato kanë të drejte në thirrjet e tyre vetëm kur vet institucionet shtetërore dhe ato fetare ndërmarrin masa që t´i ndihmohet popullit sirian, ashtu si kanë organizuar popujt e gjithë botes ndihmën ndaj shqiptarëve në 1998-99 në luftë kundër diktaturës fashiste serbe të Millosheviqit. Institucionet shtetërore dhe ato fetare shqiptare e kanë edhe për obligim që të përkujdesen për fatin e kolonisë shqiptare në Siri si bashkëkombës tanë! Kështu shteti mund të kontrollojë edhe shkuarjen e vullnetarëve dhe të kontrollojë sjelljet e vullnetarëve atje, sepse mes tyre mund të mos jenë të gjithë engjëj!

LUFTA KUNDËR DIKTATURËS FASHISTE TË ASAADIT NË SIRI, NGJANË SHUMË ME LUFTËN QYTETARE NË SPANJE NË 1936 KUNDËR DIKTATURËS FASHISTE TË GJENRAL FRANKOS!

Pavarësisht nga mbulesat fetare, politike, ideologjike të majta apo të djathta të vullnetarëve shqiptarë që po marrin pjesë në kryengritjen siriane kundër diktaturës të Asaadit, ata si vullnetarë përngjajnë shumë në vullnetaret shqiptarë që morën pjese në luftën qytetare të Spanjës kundër Diktatorit Fashist Franko në vitin 1936! Ka ngjashmëri edhe në atë se në atë kohë Diktatori nazist Adolf Hitler i ndihmoi Diktatorit Fashit Franko, njësoj sikur që sot hapur apo fshehur po i ndihmon Diktatori Fashist rus Putini, Diktatorit Fashist Asaad në luftë kundër popullit të vet! Nga ana tjetër, vullnetaret shqiptarë në Siri kanë të njëjtin qëndrim që ka Obama kundër diktatorit Asaad! Pjesa tjetër e Botes po bën sehir dhe po pret që Putini të forcohet dhe të fillojë të ushtrojë rolin e Hitlerit në Evropë dhe në EUeropë! Ngjashmëri kanë mes veti edhe ata që në 1936 i shanin vullnetaret që shkuan në Spanjë me këta qe po i shajnë sot vullnetarët që shkuan në Siri!

Për këto arsye i bëj thirrje Presidentit Obama, Premierit Britanik Dejvid Kamerun, Kancelarës Merkel, Kryeministrit Erdogan dhe burrështetasve tjerë që të angazhohen në shuarjen të gjitha vatrave të luftërave, ku me së shumti po pësojnë fëmijët dhe popullsia tjetër civile, pavarësisht nga besimet e tyre fetare! Në Siri duhet të vendoset drejtësia dhe Siria të kthehet në vetëqeverisjen e vet sirianëve!

KUJTIME NGA MIKEPRITJA E ABDYL LATIF ARRNAUTI NË DAMASK, MINISTR I ARSIMIT NË SIRI !

Me referencën e Prof. Bujar Hoxhës, që ishte Këshilltar i Enver Hoxhës për Çështjen e Kosovës, në takimin tonë në Ankara të Turqisë në majin e vitit 1982, kur shkova për në Damask, u takuam me Abdyl Latif Arrnautin. U takuam në Hotelin ku isha vendosur në Damask së bashku me Faton Topallin. Zotëri Abdyl Latif Arrnauti edhe pse ishte në Siri prej kohësh nuk i kishte harrua traditat e mikpritjes shqiptare. Ai na morri nga Hoteli ku ishim dhe na beri mikpritje në shtëpinë e vet, ku u njoftuam edhe me familjen e tij. Ai kishte një vajze dhe një djalë në moshën e studimeve. Nuk dinin shumë shqip, por nga sjelljet tejete fisnike shihej se ishin rritur dhe ishin edukuar shqip! Zotëri Abdyl Latif Arrnauti pastaj na takoi edhe me shqiptarë tjerë që jetonin në Damask me të cilët biseduam për hallet e Shqipërisë së copëtuar. Ne kishim parë shumë gjurmë lufte qytetare në qytetin Hamë dhe kur u interesuam mbi atë që pamë, zotëri Abdyl Latif Arrnauti na njoftoi se aty ishte zhvilluar një lufte mes të krishterëve dhe myslimanëve para do kohe. Siria po kullonte gjak edhe në kohën e babës së Diktatorit Bashar al – Asaad, por bota bënte veshin e shurdhër! Shumë interesim kishte për shitjen e armëve dhe për blerjen e naftës në Siri, por pak interesim kishte për vuajtjet e këtij populli!

Tani vazhdimisht para syve me rri pyetja se çfarë ka ndodhur me zotëri Abdyl Latif Arrnauti dhe me fëmijët e tij dhe me gjithë ata shqiptarë që na shtruan sofrën e bukës në mes të Damaskut sikur të ishim në mes të Kosovës!
Do ta përfundoja këtë shkrim timin me apel që shqiptaret kudo që janë dhe kudo që shkojnë të mbesin shqiptarë. Nga atje të sjellin vetëm mësimet e mira dhe kurrë mos të sjellin mësimet e këqija!
Sepse FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA!

 

Nga: Abdullah Prapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu