E vërteta e vrasjes së Enver Zymberit

0
442

Aksioni i korrikut të vitit 2011 për shtrirjen e sovranitetit në veri të Kosovës nuk ishte realizuar bazuar në ndonjë plan paraprak, ashtu siç ishte thënë nga faktori politik në vend. Viktima e këtij aksioni, polici Enver Zymberi po ashtu nuk ishte vrarë nga snajper, por ishte vrarë nga plumbat e serbëve që më 26 korrik e kishin bllokuar rrugën, duke penguar depërtimin e policëve të njësisë speciale në pjesën veriore të vendit.

Të vërtetën mbi atë se çfarë ka ngjarë në ditën e 26 korrikut, e tregojnë deklaratat e policëve që ia kishin mësyrë portës 31 që lidh Kosovën me Serbinë. Policët që kanë qenë në vendin e ngjarjes, tashmë janë dëshmitarë. Në lidhje me atë çfarë ka ngjarë, ata kanë rrëfyer në prokurorinë e EULEX-it, e cila edhe po udhëheq hetimet në lidhje me vrasjen e policit Enver Zymberi në veri të Kosovës. Hetimet janë të pezulluara përkohësisht ngase asnjë nga gjashtë personat e kërkuar përkitazi me këtë ngjarje, nuk është arrestuar.

Deklaratat e policëve që kanë qenë në vendin e ngjarjes në ditën kritike, përkatësisht të atyre që kanë qenë në veturë me Enver Zymberin kur ky i fundit është qëlluar për vdekje, tregojnë tërësisht të kundërtën e asaj që ishte thënë në kohën kur ka ngjarë aksioni.

Policët kishin shkuar në punë si zakonisht dhe atë pa e ditur se do ta ndërmerrnin një aksion që s’e kishin ndërmarrë asnjëherë. Polici që kishte qenë në veturën që po e voziste tashmë i ndjeri Enver Zymberi, madje kishte qenë i suspenduar nga puna por me datën 26 kishte rifilluar punën pas një kohe të caktuar.

Më 26 korrik ai kishte shkuar në punë në mëngjes. Kishte shkuar në rroba civile dhe komandanti A.D. e kishte porositur që të pajisej me uniformë dhe të fillonte punën menjëherë. Ishte pajisur me pushkë automatike dhe me një pistoletë. Kishte parë edhe kolegë të njësive të vendeve të tjera e madje po prisnin në oborr të shihnin se çfarë po ndodhte. Njëri nga komandantët iu kishte thënë të shkojnë në shtëpi dhe të pushojnë deri në orët e mbrëmjes, por në sekonda i kishte riinformuar se plani kishte ndryshuar dhe se duhet që menjëherë të nisen për tek porta 31.

Na thanë mos shkoni

“Ne i morëm pajisjet dhe dolëm në oborrin e stacionit policor. Në atë moment kolegët tanë që ishin më herët në portën 31 u kthyen dhe kolegët nga njësiti ynë dhe nga njësitë tjera kërkuan nga ne që të mos shkonim atje duke thënë se nuk keni ku të shkoni pasi që do të qëlloheni. Ata gjithashtu thanë se janë larguar nga vendi i ngjarjes nën breshëri të armëve por ne nuk ishim ata që vendosnim se a do të duhet të shkonim apo jo”, ka thënë mes të tjerash njëri nga pjesëtarët e njësisë ROSU në Mitrovicë në deklaratën e tij para prokurorit të EULEX-it, emri i njohur për redaksinë.

Komandanti i njësisë A.D, siç e përshkruan dëshmitari, kishte qenë i stresuar por megjithatë kishte kërkuar nga policët që të nisen.

“Teksa po shkoja për të hipur në makinë, u takova me kolegun tim A.K., të cilit ia mora armën Ak-47 së bashku me tre karikatorë dhe ai më tha që t’i mbaja sytë hapur pasi që nuk e dinim se ku po shkonim”.

Dëshmitari dhe policët tjerë kishin tentuar që të përgatiteshin edhe me helmeta anti-plumb, por komandanti nuk iu kishte dhënë kohë. Ata ishin nisur me makinën që po e drejtonte polici tashmë i ndjerë Enver Zymberi. Makina e tyre kishte qenë e para që po udhëhiqte konvojin. Ishin ndalur të prisnin për 20 minuta edhe një makinë tjetër që ishe nisur në drejtim të po asaj rruge. Në fshatin Zhabar edhe ishin bërë bashkë dhe kështu ia kishin mësyrë portës 31. Makina që kishte dalë e para kishte qenë makinë e blinduar dhe si e tillë kishte nisur të printe konvojin.

Në rrugë e sipër dëshmitari tregon se ishin takuar me pjesëtarë hungarezë të KFOR-it dhe atë me të kaluar fshatin Kushtovë.

“Një pjesëtar i KFOR-it kërkoi nga ne që të përdorim rrugën alternative në të majtë dhe ne shkuam andej për të dalë në rrugë kryesore pas pak kohe”, ka treguar dëshmitari.

Enveri u qëllua, unë bërtita

Pasi që kishin kaluar edhe fshatin Zupq, ata kishin hyrë në një zonë malore ku makina që po i përcillte kishte ndaluar, ndërsa dëshmitari kishte dëgjuar njërin nga kolegët në makinë që kishte, të ketë thënë që rruga është e bllokuar me makina.

“Në atë moment, Enveri e ktheu makinën në të majtë dhe doli në shiritin tjetër të rrugës… Kur dolëm në anën tjetër të rrugës, unë i pashë tri makina para nesh, një Golf3 me ngjyrë të kaltër të mbyllët dhe pa targa, ndërsa dy makina të tjera që ishin aty nuk më kujtohet por e di se njëra ishte e verdhë”, përshkuan dëshmitari vendin e ngjarjes.

Karshi me veturën ku ishte dëshmitari, kishte ardhur edhe një makinë e njësitit policor nga Peja, që të gjithë kishin ndalur aty ndërsa, dikush nga njësiti i Pejës sipas dëshmitarit doli nga makina për të folur me tre persona që po qëndronin prapa atyre tri makinave. Komunikimi sipas dëshmitarit ishte bërë në gjuhën serbe dhe sipas tij, policët kanë dhënë urdhër që të pastrohej rruga. Urdhri ishte dhënë për makinën e blinduar e cila menjëherë kishte filluar të pastronte rrugën por në atë moment kishin filluar edhe të shtënat nga mali.

“Unë pashë që koka e kolegut tim Enverit u kthye në të djathtë dhe filloi t’i rridhte gjak nga goja. Kam dëgjuar edhe të shtëna tjera prandaj kërceva nga makina dhe bërtita”, rrëfen dëshmitari momentin tragjik.

Gjuajtjet nga ana e majtë e malit në një distancë jo të madhe, kishin vazhduar edhe më tutje, ndërsa edhe policët kishin gjuajtur në atë drejtim.

“Unë nuk i kam parë të dyshuarit përveç atyre tre personave që po qëndronin prapa makinave që e kishin bllokuar rrugën, por me sa e di unë të shtënat vinin nga mali… Dhe distanca nuk ishte e madhe nga gjuajtjet që vinin nga mali. Ishim në një pozitë shumë të keqe”, ka treguar dëshmitari.

E tërë kjo ngjarje, sipas këtij dëshmitari, kishte zgjatur vetëm 20 minuta.

“Ne u larguam pasi që e futëm Enverin brenda makinës dhe pasi i kthyem makinat në drejtim të Mitrovicës, por ata personat në male vazhduan të shtënat derisa ne e kaluam kthesën e parë. Jemi kthyer në Mitrovicë përmes rrugës kryesore”, ka përfunduar ky dëshmitar deklaratën e tij.

Kjo është vetëm njëra nga deklaratat e dhëna në prokurori nga ana e policëve që kanë qenë në vendngjarje. Të tjera të tilla rreth asaj që ka ngjarë më 26 korrik në veri të Kosovës, gazeta do t’i publikojë në ditët vijuese.

 

Nga Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu