E vërteta mbi Rambuilen

0
848

Sot e asaj dite gjërat kyçe rreth marrëveshjes së Rambuiles nuk thuhen. Arsyet i dinë ata të cilët janë marrë me këtë temë, madje edhe janë mbrojtur tema doktorature. Besojë se me kalimin e kohës dhe kur edhe të tjerët do ta trajtojnë këtë temë në mënyrë objektive, ata të cilët kanë përshpejtuar në këtë fushë, do të këndellën dhe ose do të kërkojnë falje ose do t’i tërheqin botimet  veta.

 

Takim apo Konferencë?

 

Po bëhen trembëdhjetë vite që kur është mbajtur Takimi i Rambuiles dhe ende trajtohet si Konferencë nga aktorët e takimit dhe atyre që në forma të ndryshme kanë qenë të përfshirë në përgatitjen e saj. Të tillë e trajtojnë edhe akëcili që është marrë me këtë temë bukur me peshën historike që ka pasur, pa marrë parasysh përfundimin.

Në Rambuile janë takuar dy palët që kanë qenë të përfshirë në luftë, ky është mendim imi, të cilin e kam thënë edhe në takim në kuadër të LBD- së, në tryezë bisedimesh, të cilën e organizuan dhe e mundësuan faktorët ndërkombëtar, sepse ishte momenti ku mund të përhapej lufta në Ballkan e regjion, si domosdoshmëri e përfshirjes së shqiptarëve, nga të gjitha trevat, të cilët ishin të detyruar të luftonin për të siguruar mbijetesën e një pjese të kombit të vet dhe territoret ku ata banonin. Tre përfaqësuesit janë munduar të mbikëqyrin rrjedhën e takimit, për të gjendur një mundësi marrëveshje për të ndërprerë luftën në mes shqiptarëve dhe serbëve. Dëshmi se ka qenë Takim e jo Konferencë është edhe nënshkrimi i përfaqësuesve ndërkombëtar si: ndërmjetësues të Takimit, e jo si garantues për të zbatuar marrëveshjes e Rambuiles. Kjo i nënkupton të gjitha ato që duhet thënë e shkruar për atë Takim, mirëpo, si Takim po del më i zbehtë dhe përçmues me situatën e krijuar në atë kohë, ndërsa si Konferencë del pesha më e madhe dhe bëhen krahasime me atë të Dejtonit.

 

Parapërgatitja për Takim

 

Takimi për në Rambuile kishte filluar herët, përmes diplomacisë së Hillit, përfaqësues i SHBA- ve, i cili  përcillte gjendjen në Kosovë. Janë të njohura propozimet e Tij, sidomos ai i fundit, që iu dha përfaqësuesve politik në Prishtinë në Shkup. Projekti, jo vetëm se nuk kishte asgjë, por edhe ishte përçmues për palën shqiptare dhe në kuadër të LBD- së (Lëvizjes së Bashkuar Demokratike) u diskutua hollësisht dhe mendimi ishte se ky projekt nuk bënë të jetë në tryezë bisedimesh. Ashtu edhe u bë. Këtë projekt e pranoi LDK- ja, por e kishte refuzuar edhe Përfaqësuesi i UÇK- së në Prishtinë, z. Adem Demaçi.

Kur u caktua vendi dhe se nga sa përfaqësues të secilit subjekt të udhëtonte për në Rambuile, edhe në kuadër të LBD- së filloi kjo të trajtohej. Sikurse të tjerët edhe ky subjekt politik duhej të përfaqësohej me pesë veta. Tre u vendosën të shkojnë nga Lëvizja Demokratike Shqiptare: akademik Rexhep Çosja, Mehmet Hajrizi dhe Hydajet Hyseni; nga Partia Parlamentare, Bajram Kosumi dhe nga UNIKOMB të shkonte Ukshin Hoti.

Ukshin Hoti ishte në Burg, mirëpo me 14 Maj të vitit 1997, Parlamenti Evropian kishte nxjerr një Rezolutë për lirimin e Tij dhe shpresonim se ishte momenti i duhur për ta shfrytëzuar që Ai të delte nga burgu.

Autori i këtij shkrimi, përfaqësues i UNIKOMB- it, me këmbëngulje pati kërkuar që të shënohej në procesverbal, të cilin e mbante Basri Musmurati, kjo:

“Kryetari i delegacionit – Rexhep Qosje të mbante një konferencë shtypi dhe të kërkonte që Ukshin Hoti t’i bashkëngjitej delegacionit për në Rambuile. Nëse ky takim me të vërtet është seriozë dhe palët ndërmjetësuese dëshirojë të arrihet një marrëveshje, do ta lirojnë Ukshin nga burgu, sepse ka një Rezolutë lirimi nga Parlamenti Evropian për Të. Konferencë shtypi të tentojë të mbaj edhe në Paris, e nëse kjo nuk i mundësohet, në një karrige të vendoset një karton dhe të shënohet emri Ukshin Hoti. Nëse këto veprime nuk ndërmerren, ky delegacion nuk e përfaqëson UNIKOMB- in”. Asnjë veprim nuk u ndërmor në këtë drejtim. Delegacioni i LBD- së ka udhëtuar me katër veta, sepse nga UNIKOMB- i nuk ka dashur askush ta zëvendësojë Ukshin Hotin.

 

Hilli kishin caktuar dy intelektual të “pavarur”

 

Për të përfaqësuar Kosovën në takimin e Ramboiles, Hili kishte caktuar edhe dy intelektual të “pavarur”. Se ku i kishte gjetur dhe kush ua ka propozuar, mbetet Ai të jep shpjegim për qytetarët e Kosovës. Në një takim në LBD, që kishin kërkuar këta dy intelektual: Veton Suroi dhe Blerim Shala, në bisedë e sipër, rashë ndesh me përfaqësuesit e LBD dhe nëse procesmbajtësi Basri Musmurati e ka shënuar, kështu kam thënë:

“Intelektuali i pavarur duhet të ketë një moshë rreth të gjashtëdhjetave. Të mos ketë anuar politikisht për asnjë subjekt politik. Veprimtaria e tij të jetë vetëm në këndvështrimin kombëtar dhe të ketë të publikuara së paku tri libra. I tillë për mua është vetëm Kadri Halimi. Ju asnjërin nga këto kritere nuk e plotësoni dhe madje jeni të varur në Beograd.”. Ua thash mendimin tim pse janë të varur në Beograd dhe për këtë kundërshtoi vetëm Bajram Kosumi, pse e ndjeu vetën të fyer nuk e kam pyetur asnjëherë.

Mendimi im se këta dy nuk kanë të drejtë votimi në mbështetje të akëcilit delegacion dhe nënshkrimi në asnjë dokument nuk u aprovua me zë, por heshtja tregonte se e kisha mbështetjen e subjektit.

 

Kush do t’i printe delegacionit?

 

Edhe kjo temë është trajtuar në kuadër të LBD. Qëndrimi ishte se delegacionit duhej t’i printe përfaqësuesi i UÇK- së. LDK- ja mundohej që përfaqësuesi i saj- Rugova ta udhëhiqte delegacionin. Dy herë patëm kontaktuar me Fehmi Aganin, mirëpo nuk e kishte mandatin të “lëshonte” pe në këtë drejtim. Atëherë u vendos se delegacionit do t’i printe ai që kishte mbështetjen edhe të një subjekti politik. Pasi LBD- ja ishte krijuar që t’i ndihmoj dhe mbështet UÇK- në në të gjitha planet, dihej se vota shkonte për ta dhe ashtu edhe u bë.

 

Mbështetje nga turqit dhe myslimanët

 

Pas udhëtimit të delegacionit unë mbeta që ta udhëheq LBD. I pata ftuar Klajiqin dhe Arif Bozagjinë për të biseduar me ta, që edhe ata të japin mendimin e vet dhe të mbështetin delegacioni në Rambuile. Arif Bozagji pranoi menjëherë dhe e bënë një deklaratë turqisht, shqip dhe anglisht. Klaiqi hezitonte, sepse ndihej i fyer pse nuk ishte në përbërje të delegacionit. Unë i pata thënë, se për ju ka qenë dashtë të jep mendimin Rugova, sepse i takoni atij spektri politik dhe jeni në “Parlamentin” e Kosovës. Duke e parë të arsyeshme që ju nuk jeni ftuar nga Ai, atëherë ju kam ftuar unë që ta mbështesni këtë delegacion dhe udhëheqësin e Tij. më vonë rashë në kontakt me Numan Baliqin, i cili menjëherë dha mendim pozitivë dhe autorizo Klajiqin që të kryente detyrën. Pasi i morra nga të dytë mbështetjet, i kemi dërguar dymbëdhjetëshes Evropiane, treshes ndërmjetësuese dhe udhëheqjes së këtij delegacioni në Rambuile. Pse heshtët edhe sot ky fenomen nuk e di.

 

Pjesëmarrës në Rambuile edhe Ukshin Hoti:!!!

 

Ishte apo jo Ukshin Hoti në Rambuile?! Siç e theksova edhe më lartë rreth kushteve të parashtruara nga Unë (sepse në atë kohë udhëhiqja UNIKOMB- in në mungesë të Hotit), Ai nuk ishte as si emër në Rambuile. Pas Takimit ua kam tërhequr vërejtjen e mos kryerjes së obligimit që kishin marr. Pas lufte kam lexuar se edhe Ukshini paska qenë në Rambuile! Se pse kalkulohet me emrin e Tij mund ta thonë vetëm ata të cilëve u ka konvenuar një kohë që të thirrën në bëmat dhe mendjen e Tij. Më vonë u pa se asnjëri nga ata më nuk u kujdes të flas e interesohet për fatin e Ukshinit, edhe pse kanë pasur takime me personalitete të mëdha të politikës e diplomacisë ndërkombëtare, të cilët edhe mund të bënin shumëçka për Ukshin Hotin. Unë deri tash kam heshtur, jo vetëm për këtë rast, duke menduar se do të dali nga burgu Hoti dhe t’i thotë vetë gjërat.

E ndershme dhe në shërbim të së drejtës e historisë është që të gjithë ata që kanë shkruar në një farë forme se Ukshini ishte në përbërje të delegacionit në Rambuile, të tërheqin emrin e Tij dhe të kërkojnë falje publike familjarëve dhe bashkëveprimtarëve të Tij.

 

Fati në fatkeqësi

 

Pas kthimit të delegacionit nga Rambuileja kam reaguar për keqpërdorimin e emrit të Ukshinit. Është analizuar e gjithë projektmarrëveshja, janë thirr edhe ekspert të fushave të ndryshme dhe përfundimi ka qenë se UNIKOMB- i nuk e mbështet këtë marrëveshje për arsye politike dhe ushtarake, e të mos flasim për ato ekonomike.

Një delegacion i ardhur nga Holanda, në përbërjen e të cilit ishin nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe atasheu ushtarak në Beograd, ndërsa nga LBD- ja ishim unë dhe Qosja. Përkthyes ishte Ilir Dugolli, tash ambasador në Bruksel.

Është pyetur Qosja rreth bisedimeve me bazën elektorale, se ashtu ishte nxjerr koha dyjavore për nënshkrim të projektmarrëveshjes së Rambuiles, Ai përgjigjet:

“Ne kemi pranuar pluralizmin politik dhe kjo demokraci te ne në LBD funksionon mirë. Morina nuk e pranon projektmarrëveshjen, mirëpo ne e pranojmë dhe si shumicë që jemi përgjigja është pozitive.”

Të interesuar se pse nuk e kishte pranuar UNIKOMB- i këtë projekt marrëveshje, dhashë përgjigjën:

“Nuk e pranojmë në dy plane, në atë politik dhe ushtarak. Plani ushtarak na bënë më këmbëngulës për të mos e pranuar.”

“Pse?”- Pyet atasheu

“UÇK- ja është krijuar nga populli dhe nuk ka mandat askush ta shuaj atë. Në projekt marrëveshje është paraparë një gjë e tillë, prandaj ne nuk e mbështesim atë. Pra kjo nuk është krijuar nga asnjë parti që i takon këtij bashkimi dhe asnjëra nuk ka mandat për ta shuar atë!” Ra një heshtje dhe pastaj është biseduar për gjëra të një rëndësie më të vogël, sa për të mbushur kohën e paraparë për takim. Pas takimit me atë delegacion Qosja shprehu mos kënaqësinë e kundërshtimit tim, por unë nuk ia varra veshin për këtë.

Për takimin e dytë në Parisë, kanë hyrë “ekspert” e “përfaqësues” të LBD- së dhe as që është bërë kërkesë për të shkuar dikush nga UNIKOMB- i, sepse kishin marrë përgjigje të prerë nga ne. Në Parisë nënshkruan edhe Veton Suro, që dikush ia mundësoi dhe u prish marrëveshja në mes LBD- së dhe të tjerave.

Sidoqoftë, ne patëm një fat në fatkeqësi për nënshkrimin e dhënë nga përfaqësuesit e delegacionit shqiptar. Kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga pala serbe, por si pasojë nxori marrëveshjen e Kumanovës, në të cilën arrihet vetëm ndërprerja e luftës dhe jo mbarimi i luftës. Në atë marrëveshje nuk bëhet fare fjalë për robërit e luftës, për dëmet që i ka shkaktuar nazifashizmi serb me aleatët e vet, dëmshpërblimin që duhet bërë dhe kjo marrëveshje nxori edhe Rezolutën 1244, që sot na rri si medaljon varur në qafë. Mu për këtë edhe janë bërë kalkulime të tmerrshme rreth Kosovës e për shqiptarët.

Qeveria e Kosovës duhet t’i ndal kalkulimet e mëtejme në dialog me Serbinë dhe të mos hyj në lojëra edhe më të pista, se ato që kanë ndodhur. Fusnotat janë rrjedhojë e strategjisë së Serbisë e cila ka mbështetje të Evropianët dhe kjo u pa edhe në takimin e përfaqësuesve të NATO- së, ku u theksua nga kryesuesi se do të ketë edhe biseda politike për veriun e Kosovës, për të cilën përgjegjësinë që nga krijimi i acarimit të situatës në veri, këtë e kam thënë edhe më herët, e mban Bajram Rexhepi.

Shqiptarët dhe bashkësia ndërkombëtare duhet menjëherë të kërkojnë shfuqizimin e Kushtetutës së Serbisë dhe të tërhiqet çështja e Kosovës nga ajo, të kundërtën të ndërpriten të gjitha takimet dhe Evropianët duhet t’i përmbahen marrëveshjes së Helsinkut, pa u zgjidh çështja e shqiptarëve Serbisë nuk duhet lejuar as fillimi i bisedimeve për t’iu bashkëngjitë kësaj bashkësie. Gabimin e parë Evropianët e kanë bërë me pranimin e Greqisë, madje edhe me të drejtë vetoje, sepse sot e asaj dite ka në fuqi Ligjin mbi luftën me Shqipërinë. Mos të përsëritet ky gabim dhe për këtë edhe diplomacia e Shqipërisë londineze duhet të ngre zërin fuqishëm për të pastruar punët me serbët e grekët, sepse që të dyja kanë të pushtuara toka shqiptare, madje edhe bëjnë krime e gjenocid mbi shqiptarët, këtë e bëjnë sepse po i shohin shqiptarët vetën në mbrojtje të asaj që mund të mbrohet ku janë me shumicë mbi absolute.

 

Prishtinë, 06.02.2012

 

shkruan: Afrim Morina

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu