Edhe një “agjent i SHIK-ut” jep dëshmi në EULEX

0
604

Edhe një “agjent i SHIK-ut” jep dëshmi në EULEX

(E plotsuar) Prishtinë, 1 shkurt – Pas Nazim Bllacës, Naim Miftari është i dyti dëshmitar që deklaron veten të ketë qenë pjesëtar i SHIK-ut. Por, në dëshminë e tij, ai nuk e ngarkon veten sikur që kishte bërë Bllaca. Në anën tjetër, ish-zyrtarë të lartë të SHIK-ut mohojnë që personi me emrin Naim Miftari të ketë punuar për SHIK-un

Derisa nuk ka shkuar aq larg për të deklaruar se ka kryer vrasje, sikur Nazim Bllaca, në dëshminë e dhënë javën e kaluar, më 17 janar, Naim Miftari ka rrëfyer se si ka marrë në pyetje Nexhmedin Ajetin, ish-punëtor i sigurimit shtetëror serb, dhe se atë, madje, do ta kishte vrarë po të mos ia kishte përmendur Ajeti emrat e Hashim Thaçit e Kadri Veselit. E tëra është përmbyllur me disa shuplaka që Miftari ia kishte dhënë Ajetit.

Naim Miftari (1967) nga fshati Beçuk i Vushtrrisë pretendon se ka qenë hetues në Shërbimin Informativ të Kosovës, dhe ka folur në cilësinë e dëshmitarit para prokurorit, Maorizio Salustro, për veprimtarinë e tij dhe të SHIK-ut në përgjithësi.

Proceset gjyqësore të bazuara në dëshminë e Nazim Bllacës nuk kanë mbaruar. Të premten fillon procesi gjyqësor, i cili tashmë ka marrë emrin “Bllaca 2”. Në këtë proces, gjashtë persona akuzohen për një vrasje dhe dy tentim vrasje.

Emri i Nazim Bllacës sërish do të përmendet në sallat e gjykatës së Qarkut në Prishtinë. Një proces tjetër ku dëshmitar kryesor është Nazim Bllaca, fillon të premten.

Në rastin që tashmë është emërtuar “Bllaca 2”, akuzohen gjashtë persona: Shpresim Uka, Sadik Abazi, Fahredin Gashi, Shaban Syla, Bekim Syla dhe Driton Hajdari.

Edhe ky proces gjyqësor do të zhvillohet nën akuzën e ngritur nga prokurori italian, Mauritzio Salustro, e cila mbështetet nga dëshmia e Nazim Bllacës si dëshmitar bashkëpunues.

Të akuzuarit pritet të gjykohen bazuar në rrëfimin e Bllacës, i cili edhe publikisht ka deklaruar se ka qenë pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës, i njohur si ShIK dhe se duke qenë pjesëtar i saj ka kryer vrasje dhe plagosje pas përfundimit të luftës, në vitin 1999.

Prokuroria Speciale e Kosovës pati ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave duke e ndarë në tri pjesë rastin e njohur tashmë si “Bllaca ”: vrasja e Salih Gashit, që tashmë është dënuar Fahredin Gashi me 18 vjet burg, vrasja e Ibush Kllokoqit dhe vrasjet në tentativë të Ismet Arifit dhe Adem Salihajt si rast tjetër, si dhe krimi i organizuar e vrasja e Selim Broshës, rast i veçantë.

Në gjykimin që pritet të zgjasë deri kah mesi i vitit, dëshmitari i parë, sipas të gjitha gjasave, do të jetë Nazim Bllaca. Në këtë proces, do të dëshmojnë edhe bashkëshortja e Ibush Kllokoqit, Adem Salihaj, Ismet Arifi etj. Në mesin e dëshmitarëve, është edhe një ish-pjesëtari i SHIK-ut, i cili tregon se ka pasur për detyrë që të shkojë e ta marrë Ibush Kllokoqin për ta dërguar tek eprorët e tij për ta marrë në pyetje.

Në deklaratën e tij dhënë para prokurorit, Naim Miftari ka treguar se tek Ibushi ka shkuar së bashku me kolegun e tij, Ferki Aliun (i vdekur pas luftës), edhe ai ish-pjesëtar i UÇK-së, por nuk ka treguar nga kush është urdhëruar. Në dëshminë e tij, Miftari ka thënë se e kanë marrë disa herë në pyetje Ibush Kllokoqin, por që e kanë liruar pa i bërë asnjë të keqe. Seanca e parë që mbahet të premten, sipas avokatëve, pritet të jetë vetëm informuese. Ky gjykim është i dyti në rastin Bllaca. Në fund të vitit të kaluar, Gjykata e dënoi me 18 vjet burg Fahredin Gashin për vrasjen e Salih Gashit më 15 qershor 1999.

Aktakuza ndaj gjashtë të akuzuarve është e ndarë në tri pika. Pika e parë e aktakuzës ngarkon Sadik Abazin, Bekim Sylën, Fahredin Gashin dhe Shpresim Ukën se në bashkëpunim me Nazim Bllacën, kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë, duke vrarë Ibush Kllokoqin. “Natën e vrasjes, Fahredin Gashi ia ka dhënë Nazim Bllacës një armë zjarri të tipit Skorpion. Atë së bashku me Shpresim Ukën, Bekim Sylën dhe Sadik Abazin, kanë shkuar te shtëpia e viktimës; Shpresim Uka ka pritur afër shtëpisë, Nazim Bllaca, Sadik Abazi, Fahredin Gashi dhe Bekim Syla kanë trokitur në derën e shtëpisë së Kllokoqit. Kur viktima kishte dalë te dera, Nazim Bllaca e kishte vrarë atë me gjashtë plumba”, thuhet në këtë pikë.

Pika 2 e aktakuzës rëndon mbi Sadik Abazin, Fahredin Gashin, Shpresim Ukën, Driton Hajdarin dhe Bekim Sylën, të cilët, sipas prokurorit, në bashkëkryerje me Nazim Bllacën, kanë tentuar ta vrasin anëtarin e LDK-së, Ismet Arifin. Pika e tretë bie mbi Shpresim Ukën, Driton Hajdarin dhe Shaban Sylën, në bashkëkryerje me Nazim Bllacën për vrasjen në tentativë të Adem Salihajt, ish-kryetar i Komunës së Ferizajt.

Nga Nexhmije Ahmeti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu