Edhe një fitil kroat për Bosnjen

0
985

Nga Shaban MURATI

Sikur të mos mjaftonte, që Bosnjë-Hercegovina qëndron prej 16 vjetësh e ulur mbi një minë, që quhet “Republika serbe”, e cila punon ta hedhë në erë atë shtet, një fitil i ri shpërthimi për ekzistencën e atij shteti u shfaq në skenë. Më 19 prill partitë kryesore politike të kroatëve boshnjakë, Bashkimi Demokrat Kroat, “HDZ”, dhe simotra e saj, partia “HDZ 1990”, organizuan në qytetin e Mostarit një Kuvend, ku shpallën krijimin e një Asambleje Kombëtare Kroate, dhe të një Këshilli Kombëtar Kroat. Asambleja Kombëtare Kroate miratoi edhe një rezolutë, ku kërkesa kryesore është organizimi i ri territorial në Bosnjë-Hercegovinë, në të cilin të ketë një njësi federale të re me shumicë kroate.
Kërkohet përmbysja e sistemit organizativ shtetëror të përcaktuar në Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, në bazë të së cilës Bosnjë Hercegovina duhet të kenë dy njësi administrative-territoriale, njëra Federata Boshnjako-Kroate, dhe tjetra “Republika serbe”, por që të tre popujt përbërës kanë të drejtën e shtetformimit. Tani partitë politike kroate mblidhen dhe shpallin që shteti të ndahet në tre njësi, ku edhe boshnjakët kroatë të kenë ndarjen e vet autonome institucionale dhe territoriale. Kroatët boshnjakë përbëjnë 14 për qind të popullsisë në vend dhe 20 për qind të popullsisë së Federatës Boshnjako-Kroate. Është një nismë, e cila materializon një ndërhyrje të njëanshme në sistemin e marrëveshjeve ndërkombëtare të Dejtonit, të cilat i dhanë fund luftës së përgjakshme në Bosnjë-Hercegovinë.
Situata e re e krijuar në federatën Boshnjako-Kroate paraqet një shkallëzim me pasoja të reja të krizës së gjatë politike dhe etnike në atë federatë. Që nga zgjedhjet parlamentare të tetorit të vitit të kaluar federata mbeti pa qeveri dhe vetëm në fund të muajit mars u arrit të krijohej një qeveri nga Partia Socialdemokrate Boshnjake, që ishte fituesja më e madhe e zgjedhjeve. Por në vend të dy partive më të mëdha kroate, PSD-ja boshnjake ftoi në qeveri një parti minore kroate. Kjo ishte pika, që derdhi kupën, dhe që u përdor si pretekst për të thelluar krizën në një plan shtetëror. Partitë politike kroate e shpallën qeverinë e federatës si ilegale dhe deklaruan se nuk e njohin atë qeveri. Është në fakt kriza më e rëndë në federatën Boshnjako-Kroate, që nga viti 2001, kur kemi kulmin e parë të kërkesave të kroatëve boshnjakë për të krijuar një entitet të ri, por që u fashit falë ndërhyrjes energjike të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Europian në Sarajevë, i cili ka plotfuqishmërinë e plotë juridike për mjetet dhe masat e përshtatshme për parandalimin e krizave juridiko kushtetuese. Tani shkallëzimi shfaqet më i organizuar dhe vendosmëria më e madhe, derisa Dragan Çoviç, kryetar i partisë së kroatëve boshnjakë, HDZ, dhe drejtues i Këshillit Kombëtar Kroat të sapoformuar, deklaron se “Bosnja si një shtet me dy entitete nuk ka të ardhme”.
Kriza në Federatën Boshnjako-Kroate është krizë e vetë shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, për të cilin faktorët ndërkombëtarë perëndimorë po përpiqen prej 16 vjetësh ta konsolidojnë, që të funksionojë si një shtet unik. Kjo krizë e re është një inkurajim akoma më i madh për serbët boshnjakë, të cilët separatizmin e tyre e kanë institucionalizuar në modelin e Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut në Gjeorgji. Nuk është e rastit që presidenti radikal i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodiç, e përshëndeti menjëherë lëvizjen ndarëse të kroatëve të Bosnjës.
Në të vërtetë, në qarqet diplomatike flitet prej kohësh për përpjekjet dhe ofertat e serbëve të Bosnjës, që të nxisin shkëputjen e kroatëve nga federata Boshnjako-Kroate. Madje flitet edhe për krijimin e një aleance të tyre kundër boshnjakëve dhe shtetit unik. Ky zhvillim është tepër i rrezikshëm dhe ish-presidenti dhe burrë shteti i njohur kroat, Stipe Mesiç, e kritikon këtë dhe deklaron se “kryetari i HDZ-së, Dragan Çoviç, dhe presidenti i “Republikës serbe”, Milorad Dodiç, po ndjekin politikat e kohës së luftës me aleancën mes partive nacionaliste kroate dhe serbe në nivel shtetëror”. Nisma e re e prishjes së sistemit të Marrëveshjes së Dejtonit, e ndërmarrë nga kroatët boshnjakë, nuk duket se rastësisht erdhi pas një goditje të fortë, që serbët boshnjakë i dhanë funksionimit të institucioneve të shtetit të Bosnjë-Hercegovinë. Më 13 prill Asambleja Kombëtare e serbëve boshnjakë vendosi të organizojë një referendum “për legjitimitetin e prokurorisë dhe të gjykatave në Bosnjë-Hercegovinë”, hap i cili u dënua nga faktori ndërkombëtar, dhe më 18 prill përfaqësuesit e OKB-së, BE-së, NATO-s, OSBE, KE, Euforit, UNHCR etj. Lëshuan një komunikatë të përbashkët, ku e cilësojnë referendumin e serbëve si një “kthim mbrapa i rrezikshëm dhe tërheqje nga ambiciet europiane dhe euro-atlantike të vendit”. Kundër qëndrimit të ndërkombëtarëve dhe në përkrahje të hapave separatiste të serbëve boshnjakë doli Beogradi, ministri i jashtëm i së cilës, Vuk Jeremiç, deklaroi se Serbia mbështet të gjitha vendimet e “republikës serbe”. Zelli anti-boshnjak i ministrit të Jashtëm të Serbisë duket se vjen nga kompleksi frustues i tij për t’u treguar më katolik se papa, sepse nënën e ka boshnjake myslimane. Krijimi i një fitili kroat, krahas asaj mine ekzistuese serbe, për të hedhur në erë shtetin e Bosnjë-Hercegovinës, duket se vjen edhe nga disa faktorë, që mund ta kenë stimuluar atë: Së pari, është një indiferencë në rritje e faktorit ndërkombëtar për shtetin e Bosnjë-Hercegovinës, ndaj të cilit interesimi, dhe sidomos masat konkrete për ta bërë më funksionues, nuk kanë më ritmin dhe angazhimin e disa viteve më parë. Faktori ndërkombëtar është i preokupuar me probleme më dramatike dhe me efekt më të madh gjeopolitik, si ngjarjet aktuale në Afrikën e Veriut. Nga ana tjetër, faktori ndërkombëtar nuk ka unitetin dhe kohezionin e nevojshëm për të ndikuar dhe imponuar zgjidhjen e krizës së tejzgjatur politike dhe institucionale të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Kjo klimë favorizon forcat separatiste në atë shtet.
Së dyti, nuk përjashtohet një formë ndikimi edhe nga qëndrimi i Kroacisë, dhe sidomos i presidentit kroat Ivo Josipoviç, i cili ka deklaruar hapur kërkesën për rishikimine gjendjes se kroatëve në Bosnjë. Qëndrimi i presidentit kroat mund të jetë marrë si sinjal i gjelbër nga politikanët lokalë kroatë, për ambiciet e tyre të krijimit të njësisë së tretë autonome në atë vend.
Së treti, është edhe nxitja nga serbët e Bosnjës, por si element shtesë mund të merret edhe afrimi dhe marrëdhëniet e reja të vendosura mes presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, dhe presidentit të Kroacisë, Ivo Josipoviç, si dhe afrimi i presidentit të Kroacisë me presidentin e “Republikës serbe, M. Dodiç. Sipas ekspertëve diplomatikë, tema më e lehtë, ku merren vesh dy presidentët, është çështja e Bosnjë-Hercegovinës.
Shkallëzimi i krizës politiko-juridike në Bosnjë -Hercegovinë nuk është një debat teorik apo taktikë politike. Është një prelud i përgatitjes së rrethanave për konflikte më të gjëra në atë shtet. Nuk është gjithashtu çështja për të diskutuar, nëse kanë apo nuk kanë të drejtë kroatët e Bosnjës të krijojnë edhe ata njësinë e tyre autonome. Mjafton të shohësh hartën etnike të vendit dhe të fillosh të diskutosh se ku do të jenë kufijtë e kësaj njësie të tretë, për të kuptuar se, jo vetëm ato kufij nuk do t’i pranojnë kurrë paqësisht boshnjakët, por që pretendimet territoriale janë ndezësja më e lehtë për konflikte mes popujve. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për opsionin e shkëputjes se “republikës serbe”, në të cilën serbëve të Bosnjës iu dhanë me gjenerozitet një përqindje territoresh me popullsi boshnjake, më e madhe nga sa ishte numri i popullsisë serbe.
Në gjendjen e tanishme, që ndodhen punët në Bosnjë- Hercegovinë, zgjidhja më e pranueshme nuk është ndarja dhe copëtimi, apo vrapi i njësive drejt “shteteve amë”, sepse këto të çojnë tek dhuna dhe konfliktet e armatosura. Në deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE në Sarajevë, Valentin Inzko, më 20 prill, lidhur me hapin e partive politike kroate thuhet: “Asnjë parti dhe individ nuk ka të drejtë ekskluzive të përfaqësojë ndonjë popull shtetformues. Bosnjë Hercegovina është vendi, ku kroatët, boshnjakët, serbët dhe të tjerët, duhet të shohin të ardhmen e tyre”.
Ka diplomatë, që mendojnë se çelësat e zgjidhjes së krizës së shtetit të Bosnjë-Hercegovinës kanë humbur. Mendimi im është se çelësat janë në Beograd dhe në Kroaci. Shumë vite më pare, presidentët e Serbisë dhe të Kroacisë, Sllobodan Millosheviç, dhe Franjo Tuxhman, e planifikuan zgjidhjen, duke e ndarë Bosnjën më dysh mes tyre, dhe hartën e vizatuan në një kartopecetë, ndërsa darkonin në një restorant londinez. Presidenti i tanishëm i Serbisë, Boris Tadiç, nuk ka dhënë ende prova se është shkëputur nga ai mentalitet. Mbetet shpresa që presidenti i Kroacisë të mos ketë gjetur ndonjë skelet në sirtar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu