Edi Rama në vitin 2013 do të jetë kryministri i Shqipëris ?!

0
769

Më solli Nano nga Parisi? Imagjinoni atë që zbriti Enveri nga malet. LSI e majtë? Sa një e virgjër në bordello

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha dje në mbrëmje se ai do të jetë në 2013 kryeministër i vendit me një program të qartë qeverisjeje. I ftuar në emisionin “Debat” të gazetarit Alfred Peza, Rama ka bërë vlerësimet e tij për rastin “Islami”, largimin e deputetëve Majko, Meksi dhe Seseri, etj. Rama ironizoi deklaratën e hershme të përsëritur shpesh nga Berisha se Nano e ka marrë nga Parisi dhe e ka sjellë në Tiranë. “Imagjinoni që çfarë mund t’i thuhet për Enver Hoxhën, një njeriu që ai e mori nga mali dhe e solli në Tiranë”,- tha Rama për Berishën. Lideri i opozitës e ka quajtur të parakohshme të prononcohet për aleanca të mundshme me Bamir Topin nëse ai do të krijojë parti, dhe ka rimohuar një aleancë me LSI-në. “LSI-ja sot është aq e majtë sa ç’është e virgjër njëra që bërtet nga jashtë bordellos, ndërkohë që këtë gjë e bën brenda dritares”,- tha Rama. Duke iu rikthyer çështjes së Presidentit, Rama tha se nuk do të merret me emra, por do i propozojë mazhorancës një sistem tjetër për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Gjatë rizgjedhjes së strukturave janë shfaqur dhe emra të vjetër në historinë e PS. Mos është kjo një ndryshim i shënjestrës?

Është një proces i natyrshëm brenda forcës sonë politike. Jemi një forcë e madhe ku kontributet e secilit në të njëjtën periudhë.

Pse Kastriot Islami dhe jo Ben Blushi?

Nuk ka asnjë ngjashmëri.

Islami thotë se nuk është shkak është sebep?

Nëse është sebep, është një sebep që e krijoi vetë me vullnetin e tij të lirë. Unë di të them që Gjovalin Kadeli, deputeti i Lezhës, ishte pranë shtratit të bashkëshortes në Itali, u kthye për të respektuar vendimin politik dhe për të nderuar mandatin e tij politik. Fidel Ylli ka sot e gjithë ditën një kurë, në një operacion në shtyllën kurrizore deri më 7 janar dhe është ngritur nga krevati për të ardhur për të votuar. Klodiana Spahiu ka anuluar biletën, s’bashku me burrin dhe djalin e saj, për një vizitë që kishin për votuar jashtë vendit. Kush është Kastriot Islami që paska të drejtë të sfidojë të gjithë grupin parlamentar duke ikur nga salla, pasi ishte në sallë. Nuk thyhet thjeshtë një vendim, por fyen grupin.

Ka rrjedhje të deputetëve? Kastriot Islami… Ermelinda Meksi u largua nga grupi i PS. Majko është duke shkuar drejt OKB-së…

Nëse Kastriot Islami ka rrjedhur, unë lus me gjithë zemër që Pandeli Majko të shkojë në OKB në emër të gjithë shqiptarëve. Sa i përket Meksit ka qenë një vendimmarrje e konsultuar. Ajo ka marrë një përgjegjësi të veçantë.

Kanë thënë se libri “Kurban” nuk është i sinqertë…

Them të vërtetën nuk kam lexuar reagime as pozitive dhe as negative, kam ndjekur thjesht që ka pasur reagime dhe asistentja ime është ngarkuar që të mbledhë të gjitha reagimet dhe këto ditë pushimesh i kam thënë që t’i mbledhë të gjitha dhe do t’i lexoj me vëmendje.

Kryeministri Berisha ka deklaruar se “Fatos Nano ju mori nga Parisi dhe ju solli në Tiranë”…

(qesh) Imagjinoni që çfarë mund t’i thuhet për Enver Hoxhën, atij njeriut që ai e mori nga mali dhe solli në Tiranë. Nuk ia them atij. Por më vjen keq që duke e thënë vazhdon tallet me shqiptarët. Ai gjen dhe bën. Ka njerëz që vazhdojnë ta dëgjojnë në këtë përzgjatje të marrë. Është i njëjti njeri që për Fatos Nanon nuk ka lënë gjë pa thënë, e sot vihet në pozicionin që i qan hallin.

Për Ilir Metën keni bërë një përshkrim…

Ai është Ilir Meta dhe kjo do të thotë se si e shoh unë Ilir Metën. Besoj se të gjithë ata që më kanë përgëzuar për atë portret kanë parë atë që njohin dhe kuptojnë nga portreti i Ilirit. Nuk i kam hyrë në hak askujt. Libri nuk është një libër për këto personazhe. Këto personazhe janë në libër si pjesë e një tërësie shumë më të gjerë.

Keni bashkëpunuar me Berishën për të rrëzuar Nanon?

Kush mund ta besojë këtë? Në protesta mund të ketë shkuar kushdo, por Saliu që të organizonte protestat e Mjaftit është si të thuash që pas kësaj fshihet Shaban Memia.

A keni një koment për kritikat e bëra mbi kandidaturën e Avokatit të Popullit…?!

Një arritje spektakolare e kësaj politike të re, ku të gjithë në bazë të talentit dhe të meritës të kenë mundësi të kontribuojnë. Edhe Komisioni Europian, Stefan Fyle, bëri një përgëzim nominal për të gjithë këtë proces transparent.

A përputhet axhenda e Nanos me të PS vitin e ardhshëm?

Besoj që kjo është një çështje shumë serioze dhe për këtë nuk flitet veçse seriozisht. Në këto kushte është e udhës që të përpiqemi të ndërtojmë një proces. Kushtetuta edhe pse e ndryshuar parasheh një zgjedhje konsesuale të paktën në 3 raunde. Besoj se fryma e Kushtetutës është kjo. Nuk është vendi për të kërcitur dhëmbët dhe për të thënë siç kam dëgjuar Saliun që Presidenti do të jetë politik dhe një nga figurat kryesore të PD-së. Këtu bëhet fjalë shumë më tepër se sa axhenda personale e Saliut, apo axhenda e PS dhe çdo axhendë tjetër personale. Na takon që shohim në radhë të parë interesin kombëtar për të parë Shqipërinë një orë më parë kandidate për BE.

Ju nuk jeni dakord me një President nga PD?

Kjo është afërmendsh. Duhet të jemi sa më pranë me synimin për të pasur interesin kombëtar, rrugën europiane të Shqipërisë me zgjedhjen e Presidentit. Ne nuk do të hyjmë në asnjëlloj debati të emrave të përveçëm. Do të propozojmë një proces, jemi të gatshëm të propozojmë një proces, pa dhënë asnjë emër të përveçëm, por të synojmë një kandidaturë që të mos e katandisë institucionin e presidentit në një zgjatim të PD-së.

Nëse PD jep konsensusin do ta votoni Nanon presidenti?

Kjo është një histori që është hapur mbrapsht dhe përpara kohe. Përbën një ushqim mediatik, por unë nuk do të marr pjesë në gatimin e këtij ushqimi. Ne na duhet një proces, s’kemi asnjë paragjykim dhe s’duam të imponojnë asgjë.

Zoti Topi ka lënë të kuptohet se do të krijojë një parti politike dhe do të jetë në garë në 2013. A konsiderohet Bamir Topi për të mundur Sali Berishën?

Kjo është pjesë e një kulture të përbashkët ku ne duhet të ndahemi. Unë dua të flas për politika, për zgjidhjet që i duhen vendit, për rrugën përmes të cilës ne do ta ribashkojmë vendin me Europën. Besoj se në këtë rrugë ecin të gjitha forcat politike ku ne duhet të integrohemi dhe jo të kundërtën.

Kalkulimet ju lanë në opozitë në 2009…

Në 2009 na lanë vjedhjet, grabitja.

Një aleancë me Bamir Topin?

Nuk ka asnjë gjasë sot që ne mund të parashohim një mundësi të tillë. Bamir Topi është i djathtë. Ai kthehet në skenën politikë si i djathtë. Padyshim që shtysa e rikthimit nuk është të gjejë një vend për të hyrë vetë, por për të reaguar ndaj një të djathte që s’është e djathtë. Ndërkohë që ne jemi në një pozicion tjetër, ne jemi qendër e majtë, sigurisht në një koalicion të gjerë për arsyet që shkojnë përtej një programi ekonomik, pasi këtu është në lojë demokracia.

Do bëni koalicion me LSI-në?

LSI-ja sot është aq e majtë sa ç’është e virgjër njëra që bërtet nga jashtë bordellos, ndërkohë që këtë gjë e bën brenda dritares. LSI është në pushtet. Ne kemi detyrimin që të bëjmë një program dhe t’ua vëmë përpara shqiptarëve.

Ju keni deklaruar se jeni gati të prekni sistemin zgjedhor nëse aleatët ua kërkojnë. Ndërkohë që në rekomandimet e OSBE nuk përmendet ndryshimi i sistemit…

Duhet të sqaroj qartë dhe troç se s’ka më kohë dhe mundësi për të ngrënë arra në asnjë nga temat që janë të nxehta për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne duam ndryshimin e sistemit zgjedhor përmes një dakordësie me partitë e vogla pavarësisht nëse janë në këtë anë të spektrit politik apo në atë anë të spektrit politik. PS nuk ka as votat dhe as ndonjë instrument që këtë gjë ta bëjë vetëm.

Si e doni KQZ_në?

Ashtu siç e thotë Komisioni Venecias të pa dominuar politikisht dhe të balancuar.

Jeni për numërimin elektronik?

Absolutisht po.

Lista e kandidatëve për deputetë në 2013…?

Do të bëhet kur t’i vijë moti. Respekti për të gjithë të tjerët më imponon të mos them emra.

Ju do të jeni?

Unë do të jem në listën e deputetëve, kandidat për kryeministër dhe pa dyshim bashkë më te tjerët, fituesi i zgjedhjeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu