Edita Tahirit porositi mbi 1 mijë makiato për një muaj

0
470

Edita Tahirit porositi mbi 1 mijë makiato për një muaj

1 mijë euro e 417 euro u shpenzuan në pije për zyrën e ish – ZëvendësKryeministres Edita Tahiri në vitin 2012 vetëm për një muaj.

Ndër to, në faturën e muajit janar figurojnë 1 mijë e 384 porosi për makiato, specifikisht 625 prej tyre makiato të vogla dhe 759 makiato të mëdha.

Nga llogaritja e thjeshtë, i bie që për një ditë të jenë porositur rreth 40 makiato.
Restauranti ‘Amadeus’, i kontraktuar për të ofruar shërbime të pijeve për zyrën e Zv/Kryeministres, ka dërguar një faturë mujore të datave 01.01.2012 deri më 31.01.2012 që në total kap shumën 1 mijë e 917 euro.

Në këtë faturë me numër 10700/3819 janë të përfshirë shpenzimet për anëtarët e kabinetit të Tahirit.

KALLXO.com ka llogaritur shpenzimet specifike për zyrën e Tahirit që paraqet pjesën më të madhe të faturës së përgjithshme, saktësisht 1 mijë e 417 euro.
Ndër pijet që ishin porositur për zyrën e Tahirit  në muajin janar hyjnë edhe lloje të tjera të kafeve, pije të gazuara, lëngje frutash dhe ujë.

Në anën tjetër, shpenzimet për zyret e pesë anëtarëve tjerë të kabinetit, nuk kalojnë shifrën 99 euro për secilin.

Makiatot e Marsit 

Muaji i tretë i vitit 2012 shënoi një rënie të lehtë në numrin e makiatove të porositura për ZëvendësKryeministren e atëhershëme, Edita Tahirin.

Fatura mujore nga restauranti ‘Amadeus’, në total kapi vlerën 1 mijë 646 euro në dërgesa të pijeve.

Nga kjo faturë, në zyrën e Tahirit u shpenzuan 1 mijë e 164 euro në porosinë që përfshin 1 mijë e 74 makiato, respektivisht 625 të vogla dhe 449 të mëdha.
Fatura përfshiu edhe një sasi të kafeve, qumshtit me çokollatë, pijeve të gazuara dhe lëngjeve të frutave.

Makiatot e Majit

Muaji i pestë i vitit qëndroi konstant sa i përket nevojës për kafeinë në zyrën e Edita Tahirit.
1068 vogla dhe 432 të mëdha u porositën në zyrën e ZëvendësKryeministres.
Fatura e përgjithshme për datat 1 maj- 27 maj 2012 u pagua me 1 mijë e 746 euro në total, ndërkaq vetëm në zyrën e Tahirit u shpenzuan 1 mijë e 247 euro.
Fatura përfshiu edhe një sasi të kafeve, qumshtit me çokollatë, pijeve të gazuara dhe lëngjeve të frutave.

Makiatot e Gushtit

Në muajin e gjashtë u zvogëlua në një masë të vogël numri i makiatove të porositura dhe u rrit drastikisht numri i kafeve express.

918 makiato ishin porositur për zyrën e Edita Tahirit  për datat 29 maj deri më 29 qershor 2012, prej të cilave 421 makiato të vogla dhe 497 makiato të mëdha.
Këtë muaj shërbimi me pije u bë nga kompania  ‘Ben-af’, që në faturën e përgjithshme llogariti 1 mijë e 593 euro shpenzim.

Nga kjo shumë, 1 mijë e 131 euro u shpenzuan nga zyra e Zëvendëskryeministres dhe të tjerat nga kabineti i saj.

Edita Tahiri më vonë shërbeu si Ministre pa Protofol për Dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa momentalisht nuk ka ndonjë pozitë në qeveri.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu