Editorial: Zgjedhjet e parakohshme, kalërim me kuaj këmbëthyer

0
665

Oferta e njëanshme e VMRO-DPMNE për zgjedhje të parakohshme ia komplikon pak a shumë BDI-së punët, aq më tepër kur asaj i nevojiten motive të tjera për ta bindur elektoratin se ka ardhur koha për zgjedhje të parakohshme. Se si do të arrij ta gjejë veten BDI në këtë vrap të imponuar politik, mbetet të shihet

Zgjedhjet e parakohshme ka të ngjarë të shndërrohen në zgjedhje të rregullta. Nuk po ka nevojë të mbahenh zgjedhjet e rregullta, sepse ata që kanë zbuluar jetëgjatësinë e mbetjes në pushtet, po instalojnë përmes zgjedhjeve të parakohshme pashkëputshmërinë e mandateve. Lajmi se partia e z. Gruevski po përgatitet për zgjedhje të parakohshme, e vërteton pikërisht këtë formulë.

Triumfi kolosal në zgjedhjet lokale i ka dhënë kësaj partie impuls të ri për të vazhduar entuziazmin e mbetjes në pushtet, duke e shkurtuar mandatin  e rregullt në favor të zgjedhjeve të parakohshme. Në anën tjetër, iniciuesit e kësaj ideje mbështesin argumentin e tyre për zgjedhje të parakohshme në faktin se ato ishin kërkuar me ngulm edhe nga partia opozitare – LSDM. ‘Ju kërkuat, ne po u japim’, kështu do të tingëllonte slogani i VMRO-DPMNE si arsyetim për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërkohë që askush nga kampi politik opozitar ende nuk iu përgjigj kësaj sfide që po vjen tani nga pushteti.

Përgjigja po mungon edhe nga BDI, e cila në retorikën triumfuese të partnerit të saj të koalicionit si duket nuk po e gjen vetveten, sepse objektivat e saj ndryshojnë diametralisht nga ato të partisë së Gruevskit sa i përket zgjedhjeve të parakohshme. Nëse për VMRO-DPMNE zgjedhjet e parakohshme mund të konsiderohen si instrumenti më efikas për të  konsoliduar jetëgjatësi të pushtetit, duke siguruar madje edhe një dominim të konsiderueshëm në parlament, kjo me automatizëm nuk do të kënaqte ambiciet politike edhe të partive të tjera, përfshi edhe BDI-në.

Agjendat politike të partnerëve të koalicionit nuk mund të konfrontohen sa i përket çështjeve fondamentale që rregullojnë drejtimin e përbashkët të shtetit, por udhët ndahen në momentin kur zgjidhen udhët e veçanta për ardhjen në pushtet. Tani për tani VMRO-DPMNE ka zbuluar se vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme mund të neutralizojë oponentët, por edhe të sfidojë, në njëfarë mënyre, edhe partnerin e saj të koalicionit – BDI-në. Vetëmjaftueshmëria e Gruevskit për të dominuar të gjitha segmentet e pushtetit, pa mbajtur shumë llogari edhe për partnerin e koalicionit, flet për një mendësi pak a shumë rigjide politike.

Nëse është kështu, atëherë duhet pritur një mobilizim më i madh i faktorëve politikë në Maqedoni, por është pikëpyetje e madhe se sa do të ketë kohë për këtë mobilizim. LSDM aktualisht po merret me riformatimin e lidershipit dhe askush nuk e ka të qartë se sa do të ketë kohë kjo parti të punojë në dy plane – në konsolidimin e brendshëm dhe në përgatitjet për zgjedhje të parakohshme. VMRO-DPMNE, duke e ditur pikërisht këtë handikap të oponentit politik, ka shtuar orekset për garë të parakohshme zgjedhore, e vetëdijshme se në atë garë konkurrenti politik do të ‘kalërojë’ me kalë këmbëthyer.

BDI, nga ana e saj, ndodhet në situatë specifike. Ajo e ka vështirë të projektojë interesin e saj politik, në kushtet kur nuk është në duart e saj të zgjedhë se cila është rruga më efikase për t’i siguruar asaj ardhmëri në kuadër të kombinatorikave të pushtetit. Oferta e njëanshme e VMRO-DPMNE për zgjedhje të parakohshme ia komplikon pak a shumë BDI-së punët, aq më tepër kur asaj i nevojiten motive të tjera për ta bindur elektoratin se ka ardhur koha për zgjedhje të parakohshme. Se si do të arrij ta gjejë veten BDI në këtë vrap të imponuar politik, mbetet të shihet.

 

Redaksia “Zhurnal plus”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu