Ekipi Negociator i Ahmetit e Limajt – rrogat, deri 1,000 euro

0
363
Ekipi Negociator i Ahmetit e Limajt – rrogat, deri 1,000 euro

Caktimi i rrogave është gjëja e parë që kanë bërë Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, kur kanë bërë një listë të njerëzve që duan t’i punësojnë në Zyrën e Koordinatorit Administrativ të Ekipit negociator.

Në një propozim-vendim të cilin e ka siguruar KTV-ja, Ahmeti e Limaj kanë propozuar kryesisht bashkëpartiakë dhe militantë të Nismës e PSD-së për t’u bërë pjesë e ekipit.

Lëvizja e Ahmetit dhe Limajt, për të rehatuar njerëzit e tyre, vjen në kohën kur Ligji për Dialogun është dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk ka asnjë shenjë të vazhdimit të procesit.

Të dy liderët e dialogut kanë bërë përpjekje që ta ndajnë përgjysmë hisen, duke propozuar numër përafërsisht të barabartë të militantëve në ekip.

Zëvendës-koordinator i zyrës është propozuar Ilir Cacaj, anëtar i PSD-së, të cilit paga bruto i është caktuar 1 mijë e 50 euro.

Përmes një përgjigjeje elektronike, Cacaj shkurt ka thënë se nuk mund të deklarohet për këtë çështje, ngase akoma nuk është formalizuar emërimi i tij në këtë pozitë.

“Sapo u informova që procesi i formalizimit të këtyre pozitave në këtë zyrë nuk ka përfunduar ende, por pritet të përfundojë së shpejti. Kështu që, derisa kjo të ndodhë nuk është etike të deklarohem në lidhje me këtë çështje, pasi ende nuk e përfaqësoj dhe nuk mund të flas në emër të kësaj zyreje”, ka thënë Ilir Cacaj.

Ndërkaq, 5 këshilltarët politikë që janë quajtur profesionalë, do të marrin pagë secili nga 800 euro.

Kurse, zyrtari për media, asistentët dhe shoferët do të paguhen nga 580 euro.

Shkodran Hoti, zëri i partisë PSD, është propozuar për t’u emëruar zyrtar për media në Zyrën e Koordinatorit Administrativ.

Dy bashkëkryesuesit e Ekipit negociator Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkaq, anëtari i Ekpit negociator dhe njëherësh zëvendëskryeministri Dardan Gashi, ka thënë se gjatë javës së ardhshme do të zgjidhet edhe koordinatori i kësaj zyreje, për t’u propozuar më pas edhe në njërën prej mbledhjeve të qeverisë.

Gashi ka thënë se të punësuarit në Zyrën e Koordinatorit Administrativ do të vendosen në objektin e Ministrisë së Diasporës.

Me t’u votuar Ekipi i dialogut në Kuvend, Qeveria e Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar, ndau nga rezervat shtetërore 300 mijë euro për funksionimin e këtij ekipi negociator.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu