Ekskluzive: A po e duan Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli dështimin e formimit të Gjykatës Speciale?

0
602

hasha

Burime të Gazetës Express brenda Grupit Parlamentar të PDK’së thonë se deri më tash as Hashim Thaçi, as Kadri Veseli nuk u kanë thënë deputetëve që të votojnë pro themelimit të Gjykatës Speciale.

Së paku nëntë deputetë të kësaj partie besohet se nesër do të votojnë kundër ndryshimeve kushtetuese – të cilat i hapin rrugë krijimit të Gjykatës që do të hetojë pohimet për trafikim organesh.

Hashim Thaçi ka dhënë fjalë të mëdha në kryeqytetet europiane, por edhe në New York se Parlamenti i Kosovës do ta themelojë Gjykatën Speciale. Por për ta arritur këtë, ai duket se nuk ka ndërmarrë asnjë hap. Madje, as që ka marrë mundin që t’i bind deputetët e tij.

Një deputet i PDK’së, në kushte anonimiteti, ka thënë për Gazetën Express se askush nuk e ka kontaktuar.

“As z. Thaçi, as z. Veseli nuk më kanë kontaktuar për këtë punë – as mua, e asnjë deputet tjetër”, tha ky deputet i PDK’së.

Sipas tij, dy udhëheqësit e PDK’së edhe për çështje shumë të vogla kanë ditur të bëjnë presion mbi deputetët.

“Për javë të tëra na kanë bërë presion edhe për tema shumë të pa rëndësishme, ndërkohë për Tribunalit s’kanë lëvizur fare”.

Ndryshe, nesër Parlamenti duhet të votojë për ndryshimet kushtetuese të cilat i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale, por duket se hapi i parë vështirë se do të bëhet.

Ndërkohë që Thaçi e Veseli nuk po merren me këtë çështje, Gazeta Express merr vesh se janë të paktën nëntë deputetë të PDK’së që pritet të votojnë kundër ndryshimeve kushtetuese.

Të sigurt se do të votojnë kundër janë: Fadil Demaku, Nait Hasani, Bekim Haxhiu, Raif Qela dhe Ganimete Musliu.

Kurse, gjasat të votojnë kundër janë Flora Brovina, Rafet Rama, Nuredin Lushtaku dhe Blerti Deliu-Kodra.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu