Ekskluzive: Arrestimi i Sllobodan Gavriq – a u evitua një tragjedi e madhe në Prishtinë?

0
710

Makina e serbit ne prishtine

Një nga pistat më të besueshme të hetimit të Prokurorisë kundër shtetasit serb, Sllobodan Gavriqit, është një sulm i mundshëm i tij me 13 kilogram eksploziv ushtarak në Hotel Grand, ku në natën kritike mund të kenë qenë qindra persona, pasi aty ishte organizuar edhe një aheng. Hetimi i kësaj piste do të prekë Doganat, Policinë, Komunën e Prishtinës si dhe e menaxhmentin e Hotelit Grand

Një varg veprimesh të papërgjegjshme të Doganave, Policisë dhe Komunës së Prishtinës, menaxhmentit të hotel Grand rrezikuan jetën e qindra personave të enjten në Prishtinë, besojnë hetuesit që po e trajtojnë të dyshuarin për terrorizëm, shtetasin serb, Sllobodan Gavriq.

Portali raporton se deri tash pista e besueshme e hetimeve është ajo që edhe është paraqitur në kërkesën për paraburgim të të dyshuarit nga Prokuroria- sulmi në Grand Hotel Prishtina, një ndërmarrje publike nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Kjo pistë ka dalë si supozimi i hetuesve gjatë intervistimit të Sllobodan Gavriq, i cili deri tash, siç ka raportuar Express, e ka mohuar që të ketë pasur qëllim ndonjë sulm.

Ai tha para Gjykatës se Kosovën e kishte vetëm vend transit për në Shqipëri, ku kishte disa lidhje biznesi e ku afro 13 kilogramët e eksplozivit ushtarak ‘C4’ do t’i shiste atje. Ai madje tha edhe se ato do të vinte t’i merrte dikush nga Shqipëria dhe se udha e tij kishte përfunduar në Grand.

Por, hetimi i pistës së mundshme të sulmit në Grand Hotel, hetuesit do t’i çojë deri tek Doganat, Policia,në Komunën e Prishtinës që drejtohet nga Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes si dhe te inspekcioni i cili drejtohet nga Xhelal Sveçla – një seri e adresave që nuk kanë treguar përgjegjësi, duke rrezikuar kështu jetën e qindra personave që në natën kritike ishin në një aheng, në biznesin privat të hapur në Grand, në katin e 13’të të këtij hoteli.

“Për këtë është në dijeni Komuna e Prishtinës , por nuk ka ndërmarrë asnjë masë deri tash. As inspeksioni i ri me drejtorin e ri nuk ka marrë masa për këtë gjendje kaotike në Grand”, ka thënë një burim i Portalit.

Dyshimet e Policisë shkojnë atje që në rast të shpërthimit të masës prej 13 kilogramësh të eksplozivit, personat e gjendur atë natë në Grand dhe në aheng në këtë biznes ose do të vriteshin nga eksplozivi ose nga paniku, pasi që ka vetëm një derë hyrëse- lifti dhe mungojnë shkallët emergjente.

Natën kritike në këtë biznes ishte organizuar një aheng i cili pas arrestimit të Slobodan Gavriqit është ndërprerë nga Policia, kanë thënë për Portalin burime brenda Policisë.

Por, ndjekja e pistës së mundshme të hetimit- që Slobodan Gavriqi kishte si qëllim ta shpërthente “C4’shin” në Grand, nuk do ta lënë pa e prekur as Policinë e Kosovës dhe menaxhmentin e Grandit.

Menaxhmenti i Grandit nuk e kishte lajmëruar mbërritjen e qytetarit të huaj në Polici, derisa Policia nuk kishte bërë një patrullë kontrolluese për të parë mysafirët që eventualisht mund të jenë të dyshimtë në hotel, thonë burime brenda hetuesisë.

Hetimi pritet të përqendrohet edhe tek zgjidhja e pikëpyetjes kryesore: Si e kaloi Sllobodan Gavriqi kufirin Kosovë-Serbi me afro 13 kilogram lëndë shpërthyes nga më të rrezikshmet në botë, “C4”?

Mungesa e kontrollit në pikat kufitare në veri të Kosovës është kritikuar edhe më herët, por hetuesit besojnë që kësaj here kishte një koordinim që të mos kontrollohej makina e Sllobodan Gavriqit.

Ndryshe, ndaj Sllobodan Gavriqit, Gjykata në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimin me 30 ditë paraburgim, pasi që është miratuar kërkesa e Prokurorisë e cila pretendon që ai ka pasur qëllime të qarta të një sulmi terrorist- gjë që në Gjyq u mohua nga i dyshuari. I dyshuari, siç ka raportuar Portali ka pranuar fajësinë për veprën penale transportim, prodhim këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse të ndaluara sipas Kodit Penal të Kosovës.

Eksplozivi 1

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu