Ekskluzive: Dosja e UNMIK-ut për atentatin që e la të paralizuar Fetah Rudin

0
121
Ekskluzive: Dosja e UNMIK-ut për atentatin që e la të paralizuar Fetah Rudin

Më 15 dhjetor të vitit 2000 anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, ish-deputet i kësaj partie, u sulmua me breshëri plumbash dhe nga plagët e marra pësoi lëndim të përhershëm të boshtit kurrizor.

Atentati që e invalidoi Rudin kishte ndodhur rreth orës 14:30, jashtë qytetit të Malishevës. Të dënuar e as të akuzuar ende nuk ka. Albanian Post ka siguruar disa dokumente konfidenciale të UNMIK-ut të cilat shpalosin detaje të reja rreth këtij rasti.

Sipas dosjes – e përbërë nga disa raporte – me numër MA-12-30 të policisë ndërkombëtare të UNMIK-ut, të cilën e posedon Albanian Post, Fetah Rudi ishte sulmuar nga tre persona nga një veturë e tipit Opel 1.6v me ngjyrë të kuqe. E njëjta veturë vetëm rreth një orë më vonë kishte pësuar aksident me fatalitet në Lipjan.

Në aksident kishin mbetur të vdekur tre persona – shoferi dhe dy pasagjerët – Avdush Ademaj, Ali Kastrati dhe Ramadan Blakqori. Të tre këta atë kohë ishin pjesëtarë të Trupës Mbrojtëse të Kosovës dhe truprojë të një personazhi publik dhe ish-deputet (emër i njohur për redaksinë – nuk publikohet emri i tij dhe inicialet, sepse është gjallë dhe mund të jetë pjesë e hetimeve).

Në raportin njoftues të hetuesit të UNMIK-ut, Terry Gallagher, për komandantin regjional në Prizren, thuhet se “me 17-12-00 janë pranuar informata që vetura Opel me ngjyrë të kuqe e përfshirë në të shtënat ndaj Fetah Rudit, dhe aksidenti ne aksin rrugor LipjanShtimje me fatalitet, janë të ndërlidhura”.

Gallagher shton se “besohet që ekziston një lidhje mes tre të dyshuarve meshkuj të të shtënave në Malishevë duke vozitur një veturë të kuqe Opel 1.6 dhe tre meshkujve që kanë vozitur makinën e përfshirë në aksidentin me fatalitet”.

Në dosje thuhet se pos gjërave të tjera të gjetura në veturën e të aksidentuarve ishte edhe një telefon. Kur policia arriti të ketë qasje në këtë telefon kuptoi se rreth 45 minuta pasi kishte ndodhur atentati ndaj Rudit u pranua një thirrje. Ajo vinte nga numri i njëjtë i personit, me emër dhe mbiemër në dosje, dhe i njohur për redaksinë. Për arsye se personi mund të jetë pjesë hetimeve, mbetet emër i njohur vetëm për redaksinë.

“Më 15-12-00 një oficer policie gjermane nga Prishtina ka arritur të ketë qasje në butonin e funksioneve në telefonin mobil. Telefoni ishte rikuperuar nga vendi i ngjarjes së bashku me armët dhe municionet. Ai ishte në gjendje të nxjerr disa numra telefoni nga telefoni mobil; nuk është përcaktuar se cili prej personave meshkuj ishte pronar. Përafërsisht dyzet e pesë minuta pasi të dyshuarit kanë qëlluar viktimën, një telefonatë është pranuar në telefon. Thirrja u identifikua si e ardhur nga numri i telefonit të (emri mbiemri)” i personit në fjalë (i njohur për redaksinë e Albanian Post), saktëson raporti.

Më pas vazhdohet me konstatimin se “fakti që një telefonatë u pranua pas të shtënave në Malishevë për dikë në automjetin e përfshirë në aksident nga telefoni i (emri mbiemri) – person i njohur për redaksinë, do të bënte që hetuesit të besonin se ka një lidhje”.

Në automjetin e aksidentuar nuk ishte gjetur vetëm telefoni, por edhe disa armë.

Në një nga raportet e para të dosjes tregohet se në automjet u gjet “një pistoletë gjysmë-automatike 9mm, një karikator me 15 plumba, një mbajtëse për pistoletë, dhe një karikator i armës kalibër 32 ende për t’u përcaktuar”.

Gjithashtu, “janë gjetur dy predha të kalibrit 7.65 nga një armë e llojit shkorpion”.

Tre personat që pësuan në aksident ishin pjesëtarë të TMK-së, por raporti tregon se pistoleta 9mm e gjetur në veturë “nuk është armë e autorizuar për t’u bartur nga ndonjë nga pasagjerët”.

Në të njëjtin raport thuhet se në vendin e aksidentit erdhën disa pjesëtarë të TMK-së për të pyetur nëse është gjetur arma e tipit shkorpion në automjet, para se zyrtarët hetues të ishin fare në dijeni se kishte armë në veturë.

Prandaj, hetuesi në raport konstaton se “këta individë ishin të vetëdijshëm për zinxhirin e ngjarjeve që ndodhën në atë datë që përfshinte vrasjen në tentativë të Fetah Rudit dhe ka më shumë persona të përfshirë në këtë sulm”.

Për këtë arsye hetuesit kishin kërkuar që të lëshohet një urdhër për bastisje në disa lokacione “në përpjeke për të marrë armën shkorpion e cila mungon si dhe çdo informacion tjetër që do të çonte në ndjekjen e suksesshme të të gjithë të dyshuarve në këtë rast”.

Mes vendeve që UNMIK-u kishte bastisur ishin edhe vendbanimet e të vdekurve në aksident; Ali Kastratit në Dushanovë të Prizrenit, Avdush Ademajt në Petrovë të Shtimes dhe Ramadan Blakqorit në Prishtinë.

“Në Petrovë janë gjetur një sasi e konsiderueshme e armëve”, thuhet në raportin e bastisjes dhe gjithashtu shtohet se “dhoma në shtëpi (është) e rregulluar si një dhomë për takime me propaganda paramilitare në mure”.

Dosja zbulon edhe se për këtë rast ishte tentuar që të komprometoheshin provat. Kjo ishte provuar të bëhej përmes një polici me emër dhe mbiemër në dosje (emër i njohur për redaksinë – publikohet pa inicale, sepse është gjallë dhe mund të jetë pjesë e hetimeve).

“Më 16-12-00 njeriu i TMK, që kishte një pozitë udhëheqëse në TMK, ka kontaktuar policin, një oficer patrullimi të SHPK-së dhe i ka kërkuar që të shkonte në shtëpinë e tij”, thuhet në dosje.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Albanian Post, udhëheqësi i TMK-së, i kishte thënë policit shqiptar, të shkonte në stacionin policor ku po mbaheshin gjërat personale të viktimave dhe t’i merrte ato.

Meqë proceduara në këto raste e kërkon që për tërheqjen e gjërave personale të viktimave duhet të jetë një familjar i pranishëm, atëherë personi (emër i njohur për redaksinë), e njofton policin, me një tjetër person që supozohej të ishte vëllai i njërit prej viktimave. Ky “vëlla i supozuar” do shoqërohej në stacion policor pikërisht nga ky polic.

Vetë polici, më vonë ishte marrë në pyetje nga hetuesit e UNMIK-ut. Ai kishte deklaruar se nuk e dinte as emrin a atij të cilin personi që kishte një pozitë udheheqëse në TMK, ia kishte propozuar si vëlla të viktimës.

Hetuesit shkruajnë në raport se “polici shqiptar, po përpiqej të përdorte pozitën e tij për të marrë dëshmi të mundshme në një tentativë vrasjeje të një anëtari të LDK-së”.

Polici, kishte gënjyer edhe për raportin e tij me njeriun që kishte pozitë udhëheqëse në TMK. Disa herë ishte intervistuar nga UNMIK-u për këtë gjë dhe asnjëherë nuk kishte dhënë deklarime të njëjta.

Hetuesi në dosje shpjegon; “Unë e konfrontova policin (emër i njohur për redaksinë), lidhur me numrin se sa herë ai e kishte kontaktuar personin e TMK-së. Ai më parë deklaroi se e njoh vetëm si person udhëheqës në TMK. E përkujtova atë se në intervistën tonë të tretë ai i ka thënë oficerit Nikolaus se ai kishte pirë kafe bashkë me të disa herë… Polici (emër i njohur për redaksinë), gjithashtu kishte deklaruar se ai kishte qenë në shtëpinë e personit udhëheqës të TMK-së, katër ose pesë herë, por më parë kishte deklaruar se ishte vetëm njëherë”.

Sipas hetuesve, meqë “polici, po përpiqej të përdoret pozitën e tij për të marrë prova në mënyrë të paligjshme dhe të pengonte vazhdimin e hetimit”, ai përkohësisht ishte arrestuar.

Albanian Post posedon transkriptin zyrtar të marrjes në pyetje të policit, nga hetuesit ndërkombëtarë. Intervistimi ishte realizuar në stacionin policor në Prizren me datën 20 dhjetor të vitit 2000.

I pyetur: “Perse keni pasur nevojë të shkoni me vëllain e viktimës? Përse nuk mund të shkonte ai vetë?”, polici (emër i njohur për redaksinë) ishte përgjigjur se e ka bërë “për arsye humanitare”.

Ndërsa kur pyetet se përse nuk kishin arritur t’i merrnin gjërat personale të viktimës në stacionin policor bashkë me vëllain e supozuar, polici, përgjigjet se: “hetuesi donte të dhënat personale dhe vëllai nuk i dinte ato. Kjo është hera e fundit që e pashë këtë njëri”.

Polici, shpjegon tutje se të nesërmen disa kolegë i kishin treguar se familja e vërtetë e viktimës veç i kishte marrë gjërat e familjarit të tyre tashmë të vdekur.

Ai vazhdon rrëfimin para hetuesve duke thënë se: “Ndjehem sikur njeriu i TMK-së, më ka abuzuar dhe unë jam viktimë në këtë rast, nuk dija asgjë për këtë lloj të shtënave”.

Më pas shton: “Ka qenë gabim i imi që e kam konsideruar si një person të ndershëm”.

Në fund të deklarimit të tij polici (emër i njohur për redaksinë), thotë se “shpresoj që në të ardhmen nuk do të bëj këso gabime”.

Në fjalinë e fundit polici përmbyllë apologjinë e tij: “Unë nuk e urrej LDK-në, për një kohë të gjatë ka qenë partia ime politike”.

Hetuesit kishin marrë në pyetje edhe zyrtarin policor, i cili ishte në ndërrim në ditën kur polici, kishte shkuar të kërkonte gjërat personale të njërit nga viktimat.

Polici tjetër (po ashtu emër i njohur për redaksinë) nuk deklaron se polici që po hetohej, kishte shkuar me ndonjë familjar, por i vetëm.

“Polici (emër i njohur për redaksinë), erdhi në zyrën time dhe më pyeti për provën e viktimës. I thashë se vetëm anëtarët e familjes mund t’i marrin ato”, pohon polici tjetër (po ashtu emër i njohur për redaksinë), në intervistimin para ndërkombëtarëve.

Në një raport përmbledhës të dosjes hetuesi Terry Gallagher shkruan se “është shqetësuese se njeriu i TMK-së, mund ta thërrasë në çdo kohë një oficer të SHPK-së dhe t’i kërkojë atij të shfrytëzojë pozitën e tij për të rikuperuar prova që mund të përdorën në vepra penale”.

Gallagher pohon edhe se “ekziston gjithashtu shqetësim lidhur me lidhjen e Steve Bennet, drejtori i Shkollës së Policisë të SHPK-së, që supozohet se po lëshon informata mbi personelin e policisë për njeriun e TMK-së”. Por, përveç këtij komenti, nuk thuhet diçka më tutje për këtë lidhje të supozuar te Bennet.

Dosja që posedon Albanian Post për këtë rast nuk është e plotë dhe krejtësisht e kompletuar. Dhe përfundon me këto hetime. Albanian post nuk ka dijeni se ku dhe se si kishin vazhduar hetimet.

Ajo që dihet është se tash e 21 vjet ende askush nuk është dënuar si fajtor në atentatin ndaj Fetah Rudit. Nuk ka ende as të akuzuar.

Marre nga, Albanianpost

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu