EKSKLUZIVE: Ja pse Gani Geci e vrau Ruzhdi Shaqirin në Skënderaj

0
787

Geci

Hetimet pesë mujore të Prokurorisë së Mitrovicës, kanë ardhur në konkludimin se ish deputeti Gani Geci ka qenë në një gjendje të “tronditjes së fortë mendore” kur e ka qëlluar për vdekje Ruzhdi Shaqirin në qendër të Skenderajt.

Me cilësimin që prokuroria i ka bërë kësaj vrasjeje, Geci rrezikon të marrë deri në 10 vite burgim.

Gjykimi ndaj Gecit pritet të fillojë me 14 janar dhe kjo tash i është konfirmuar edhe mbrojtësit të Gecit Avokatit Ndrecë Doda.

“Jam ne dijeni së klientit tim Gani Gecit i është ngritur aktakuza dhe është caktuar data e fillimit të seancës fillestare e cila do mbahet më 14 janar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës”, tha Doda.

KALLXO.com ka siguruar një kopje të aktakuzës e cila pas pesë muajsh hetime është hartuar nga prokurorja Vahide Badivuku. Aty përshkruhen detajet e ngjarjes si dhe emrat e personave të cilët do të dëshmojnë në këtë rast.

Aktakuza përshkruan se motivi i vrasjes së 4 gushtit ishte konflikti i vitit 2001 ku ishin vrarë Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku dhe i plagosur kishte mbetur vetë Gani Geci. Dokumenti me 19 faqe pretendon se ditën kur ka kryer vrasjen, Gani Geci ka qenë në një “tronditje të fortë mendore”.

Aktakuza e Gani Gecit

“Atë ditë Geci kishte qëndruar në kafenenë ‘N’Qosh’ dhe në momentin kur ishte në shkallën e fundit të lokalit, papritmas kishte dëgjuar fjalën ‘Selam Alejkym’, dhe kur ishte kthyer kishte parë të ndjerin Ruzhdi i cili e kishte ngritur dorën në ajër”, thuhet në aktakuzë.

Prokurorja pretendon se ky veprim i Ruzhdiut ishte një provokim pasi që Ganiu me Ruzhdiun nuk kanë pasur raporte të mira e as që është përshëndetur me të.

“Pas përshëndetjes të cilën prokurorja e quan provokuese, Geci ishte drejtuar tek Shaqiri dhe i kishte thënë: ‘A i ke tubu pleqt me bo be, ku je kon me datë 19:10’ . Kjo fjali e Gecit ishte pasuar nga veprimet e Shaqirit, i cili e kishte shtyrë tavolinën dhe i kishte thënë Gecit: ‘Hup shko në k…se po ta q… nonën se unë ty nuk të tutna’”, shkruan në aktakuzë.

Tutje, aktakuza thotë se Shaqiri ishte nisur në drejtim të Gecit me dorën e djathtë të vendosur në brez. Këto veprime të Shaqirit, sipas Prokurorisë, e kanë vendosur në një tronditje të fortë mendore Gecin i cili në një gjendje të kërcënimit se Ruzhdiu do ta vrasë dhe fyerjet e tjera “e nxjerr pistoletën dhe shtien katër herë në drejtim të viktimës”.

Geci ka qenë në paraburgim nga 22.08.2014 deri më 21.11.2014, ndërsa nga kjo datë gjendet nën masën e arrestit shtëpiak.

Ndërrimi i masës së sigurisë kishte ardhur më kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. /KALLXO/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu