Ekskluzive / Roli grek në takimin Berisha-Bullatovic

0
395

Ekskluzive / Zbulohen dokumentat që provojnë ndërhyrjen e kryeministrit grek Micotaqis, në përgatitjen e takimit mes presidentit shqiptar Berisha dhe kryeministrit jugosllav Bullatovic në shtator 1993, i cili i hapi rrugë kontrabandës së karburanteve drejt fqinjit tonë verior. Përse Athina interesohej për një afrim shqiptaro-jugosllav në mesin e luftës për shpërbërjen e Federatës?!

 

Një pistë greke në kontrabandën e naftës mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë në mesin e viteve ’90?! S’mund të thuhet me siguri, por dokumenta origjinale që ne po botojm në këtë numër flasin për një mbështetje të fortë politike të Athinës zyrtare në drejtim të forcimit të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Beogradit. Një material i hartuar nga Ministria e Punëve të Jashtme i shtatorit 1993, pak ditë para se kryeministri jugosllav Momir Bullatovic të vizitonte Tiranën, hedh dritë edhe rreth qëndrimit grek ndaj këtij afrimit mes dy vendeve tradicionalisht në konflikt. Duhet nënvizuar se Ministria e Jashtme e asaj kohe e ka hartuar këtë material, me qëllimin e vetëm, motivimin e nevojës së një vizite të Bullatovic në Shqipëri. “Takimi me Berishën në Shqipëri është miratuar në nivel të Federatës dhe për këtë takim ka dhënë mendim shumë pozitiv edhe kryeministri Micotaqis”, shkruhet në material. Pra, e thënë më fjalë të tjera, si nga ana e Milloshevic (federata), ashtu edhe nga ajo e palës greke (Micotaqis), takimi shihet si “shume pozitiv”.

Fakti i mësipërm inkuadrohet në fakt në një kontekst më të gjerë zhvillimesh rajonale. Në librin e tij “Si është shkatërruar Jugosllavia”, botuar së fundi në shqip, presidenti aktual i Kroacisë Stipe Mesic, numri një i Federatës Jugosllave në fillim të viteve ’90, hedh dritë mbi furnizimet në karburante që kishte Jugosllavia e kohës. Në faqen 293 të këtij libri Meci shkruan se “…Serbia, me një përdorim me kursim të naftës, kishte rezerva edhe për 45 ditë”.

Pra sic shihet situata në Jugosllavi në fillim të viteve ‘90, në momentin kur Milloshevic po “ngrohte” motorrët e luftës kundër republikave rebele, ishte e dëshpëruar. Nevoja për lëndë naftë dhe lëndë djegëse në kushtet e embargos që Kombet e Bashkuara vunë ndaj Jugosllavisë më 1991, e shtyu Beogradin që të hidhte sytë përreth tek fqinjët, për të marrë në formë kontrabande sasi karburantesh. Dëshmia e kryeministrit Bullatovic e botuar muaj më parë në revistën MAPO, zbulonte sesi presidenti shqiptar i kohës Sali Berisha pati rënë dakort me të për të tranzituar nëpërmes liqenit të Shkodrës sasi të konsiderueshme karburantesh. Vetë zoti Berisha, i pyetur pas botimit të dëshimisë së Bullatovic në MAPO, e pranoi se kishte lejuar me ndërgjegje një aktivitet të tillë përmes tokës shqiptare.

Për t’iu rikthyer tek roli grek në përgatitjen e këtij mekanizmi, duhet thënë se dokumenti i MPJ rreth pëlqimit të Micotaqis për vizitën e Bullatovic, zbulon interesin e Athinës për një afrim mes dy shteteve. Pa e lidhur këtë ndërmjetësi direkt me ceshtjen e kontrabandës së naftës, duhet thënë megjithatë se në periudhën në fjalë, nga Greqia për në Shqipëri importoheshin sasi të konsiderueshme nafte, një pjesë e të cilave shkonte drejt veriut. Pikërisht drejt kufirit me Malin e Zi, prej ku kalohej në tokën jugosllave. Nga ana tjetër, roli grek në këtë afrim mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë së Milloshevicit, nuk përbën një risi në politikën greke, tradicionalisht pozitive ndaj Beogradit dhe interesave të tij.

Biseda, që i hapi rrugë…karburantit

Dëshmia e Bullatovic

U krijuan kushtet të kalonim në punë. Unë kisha nevojë për naftën, dhe jo vetëm për kujtime të bukura të përbashkëta. Zyrtarisht kjo ishte formuluar në mënyrën si vijon: I parashtrova që të hiqet “perdja e hekurt”, e cila gjatë gjithë kohës mbulon tërë kufirin tonë. Duhej të zhvillohet bashkëpunimi ndërkufitar dhe t’i jepej mundësia njerëzve, që të takohen dhe të vizitojnë njëri – tjetrin. I kujtova që ka farefise të afërta, që nuk ishin parë për mbi gjysëm shekulli. Që të shkonte çdo gjë më thjeshtë, ishte e nevojshme që si njëra anë, ashtu dhe ana tjetër – të mbyllnin sytë gjatë zbatimit të rreptë të rregullave dhe që në tregtinë ndërkufitare të përfshihen edhe ato gjëra, që zakonisht nuk janë të përfshira. Atëhere përmenda dhe naftën, d.m.th. derivatet aq të nevojshme për ne. “Zoti President, a kërkoni Ju që Shqipëria të shkeli sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj vendit tuaj?” më pyeti ai. Duke qenë se bisedat regjistrohen (dhe sigurisht dhe janë përgjuar), kjo nënkuptohet, sepse hynte në korrektësinë diplomatike bazë.

“Zoti na ruajtë,- u përgjigja i gatshëm. Vetëm propozoj që t’i respektoni në mënyrë të ngjashme, siç vepron p.sh. ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Nëqoftëse do të pranohet kjo që kërkoj unë, çdo qytetar i pjesës veriore të Shqipërisë mund të siguronte një fitim të mirë. Nuk është e vështirë që ta llogarisësh atë, nëqoftëse nisesh nga supozimi që është minimumi një pfening për litër”. E përsëris, këtë do ta bënin qytetarët dhe jo shteti, kështu që sanksionet formalisht do të respektoheshin…. Nuk ishte nevoja të vazhdoja. Ishte më mirë që disa argumenta të mos përmendeshin. Gjendja e atëhershme ekonomike në Shqipëri, nga pikëpamja jonë, ishte krejtësisht shqiptare. Pjesa qendrore e shtetit, mbështetja e pushtetit të presidentit Berisha, jetonte në sajë të ndihmës humanitare dhe donacioneve të varfëra. Pjesa jugore u mbështet tek Greqia, ku shumë persona punonin në mënyrë legale ose në të zezë. Rajoni verior shkodran, nuk kishte perspektivën tjetër, përveç, në bazë të propozimit tim, t’i kushtohej tregtisë së naftës me Liqenin e Shkodrës. Sidoqoftë, unë e dija që ai e di që unë këtë e di.

Dhe, kjo ishte gjithçka! Thellë në vete isha i sigurt, që ai do ta pranonte ofertën. E dija që një fuqi e huaj, para së gjithash Amerika nuk do ta ndalonte të vepronte kështu. Sepse, megjithëse dukej paradoksale, shkelja në mënyrë të tillë e sanksioneve ishte pikërisht në frymën e tyre. Qëllimi i kreatorëve të tyre nuk ishte që në të mbeteshim me çdo kusht pa pikë nafte, por vetëm ta paguanim shtrenjtë dhe ta gjenim atë në mënyrë të mundimshme.

Përveç kësaj, sasia më e madhe e parave do të kalonte nga Jugosllavia në Shqipëri. Këtu gjente shprehjen e vet pragmatizmi i njohur amerikan. Përse të harxhonin paratë e veta duke ndihmuar Shqipërinë, kur mund të krijonin kushtet që në vend të tyre të punonte dikush tjetër? Prandaj Amerika, e cila sheh dhe di çdo gjë që ndodh në botë, nuk tentoi kurrë ta pengonte në mënyrë serioze “naftësjellësin”, i cili u nis me të vërtetë së shpejti nëpërmjet Liqenit të Shkodrës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu