Ekskluzive: Zgjidhja me hatër apo me zor, në fund të tetorit (Video)

0
792

Kuvendi

Fundi i këtij muaji sipas të gjitha gjasave do të arrij me daljen nga kriza politike në të cilën gjendet aktualisht Kosova, ndërsa ajo sipas të gjitha gjasave do të bëhet e ditur nga presidentja me përkrahjen ndërkombëtare.

Vizita në SHBA, takimet e zhvilluara me zyrtarë të lartë amerikanë që asnjë president i vendeve të rajonit nuk i kishte, pritja me nderime të larta në West Point etj kanë pasur qëllim që pozita e Presidentes të fuqizohet deri në pikën ku të gjithë e kuptojnë se ‘ndërhyrjet’ e saj do e kenë përkrahjen e plotë të SHBA-ve.

Zgjidhja, ndonëse ka elemente që ende po i definohen, do të arrihet duke respektuar 4 rregulla të cilat tashmë u janë komunikuar të gjitha partive politike. Këto rregulla e kanë përkrahjen e plotë edhe nga Ambasada amerikane në Prishtinë, thonë burime të Indeksonline.

Partitë politike, nëse edhe javën e ardhshme nuk japin shenja të daljes nga kriza, ndërhyrja do të arsyetohet me faktin se janë disa gjëra që duhet kryer para se shkohet deri në fund të këtij viti.

Gjykata Speciale duhet sa më shpejtë që është e mundur të miratohet nga Kuvendi i ri, dhe kjo gjë konsiderohet se një nga çështje më me rëndësi për Kosovën. Parlamenti i ri duhet patjetër të miratojë edhe disa ligje që deputetët e parlamentit të fundit dështuan t’i miratojnë. Një prej këtyre ligjeve që bashkësia ndërkombëtare pret të miratohen sa më shpejtë është ligji që e ndalon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftëra të huaja.

Katër rregullat në bazë të të cilës do të arrihet zgjidhja e krizës politike janë:

1) Dialogu duhet patjetër të vazhdojë në të njëjtin format dhe intensitet dhe ai do të udhëhiqet nga kryeministrat e të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë.

2) Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet patjetër të respektohen dhe kjo nënkupton që vetëm koalicioni fitues i zgjedhjeve ka të drejtën e nominimit për kryetar të parlamentit.

3) Qeveria e re duhet të jetë gjithëpërfshirëse me minoritetet, me pjesëmarrje kualitative të Listës Serbe.

4) Integrimi Evropian nuk mund të ndahet nga marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe se Kosova duhet të fuqizojë përpjekjet për reforma, por në të njëjtën kohë të luaj rol pozitiv në lidhje me fqinjët dhe dialogun aktiv me Serbinë.

Pika 1, 3 dhe e 4 e përjashton Lëvizjen Vetëvendosje nga formula qeverisëse për shkak të qëndrimit të saj për ndryshim të formatit të dialogut dhe pamundësisë që në një kabinet qeverisës të jenë edhe Lista Serbe dhe LVV.

Lëvizje Vetëvendosje insiston që shteti i Kosovës të bëj dialog me serbët e Kosovës, ndërsa lideri i VV, Albin Kurti përmes një interviste dhënë dje një mediumi serb e konfirmon që kjo parti insiston që pajtimi arrihet vetëm atëherë kur Serbia e njeh Kosovën. Faktori ndërkombëtar insiston që ky insistim është kundër produktiv pasi ata duan që të dy vendet të vazhdojnë dialogun pa kushtëzim të atillë, pasi kryesorja është që të dy vendet të ecin para në procesin e integrimit euro-atlantik. Kjo do e nxirrte Kosovën nga një izolim i mundshëm ndërkombëtar ndërsa Serbinë e largon edhe më shumë nga Rusia.

Partia Demokratike me koalicionin e saj do të jetë e vetmja që ka të drejtën e nominimit për kryetar të parlamentit. Kjo pikë nuk vihet aspak në diskutim dhe këtu sipas të gjitha gjasave parashihet edhe arritja e zgjidhjes pasi marrëveshja e koalicionit pas zgjedhor në mes të LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën parasheh ndarjen e pushtetit në mes të Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt.

Isa Mustafa edhe publikisht e ka konfirmuar që në rast se nuk arrin të zgjedhet kryetar i Parlamentit, atëherë marrëveshja e LAN-it bie. Më 5 shtator Mustafa, në prani të Haradinajt dhe Limajt, iu kishte thënë gazetarëve që ai lëshime të tjera nuk bën dhe se projekti i këtij koalicioni do të prishej nëse nuk zgjidhet krye parlamentar.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë opsion tërësisht i përjashtuar, por atë pak kush e preferon pasi ndërkombëtaret duan ca gjëra të miratohen sa më shpejtë në parlament, koalicioni mes LDK-së, AAK-së dhe Nisma për Kosovën e dinë rrezikun e kërkimit të votës së bashku në rajone të caktuara të Kosovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu