Ekslusive: Kompania “Colored Films” shpall aktorët e roleve të filmit “Eagle” (Shqipe)

0
1018

foto 1 shqipe posterMotrat Zenelaj, themelueset e kompanisë “Colored Films” (Filmat me Ngjyra), njihen si shqiptaret e famshme që mahnitën Hollivudin dhe kanë fituar disa çmime për filmat që kanë bërë në Amerikë. Greta aktore dhe drejtuese, dhe Vilma skenariste, regjizore, dhe drejtuese kombinojnë ankthin me një histori gjeniale për të krijuar “Eagle” (Shqipe), një film me metrazh të gjatë që pritet të dalë në ekranin e madh këtë vit.

 

Filmi “Eagle” (Shqipe), një film politik plot emocione, që të mban në ankth, fillon me trazirat që hodhën poshtë komunizmin në Shqipëri në prill 1991. Protagonistja, Helena, (roli luhet nga Greta Zenelaj) është një nënë beqare dhe një mësuese letërsie në shkollën fillore.

Sekuencat e para fillojnë me Helenën, e cila dëshmon trazirat dhe vrasjen e një prej studentëve të saj gjatë rënies së regjimit. Shumë shpejt pas kësaj, ajo largohet për në Shtetet e Bashkuara, duke hyrë në mënyrë të paligjshme bashkë me vajzën e saj 7 vjeçare, Lolën.  Rrjedhimisht, ajo rekrutohet nga Shërbimi i Fshehtë Amerikan (CIA) si spiune në radhët e komunitetit musliman/shqiptar për të gjetur dhe për të arrestuar një ish-udhëheqës komunist, i cili kërkohej nga autoritetet amerikane dhe shqiptare.

 

Unë bashkë me Vilmën e kemi shkruar këtë histori, por Vilma ka shkruar skenarin. Vilma është gjithashtu drejtuesja dhe regjizorja e filmit “Eagle” (Shqipe),” tha aktorja dhe producentja Greta Zenelaj.

 

Të jesh shkrimtare, drejtuese & regjizore është një veprim i një ‘numri shpejtësie’ dhe shumë sfidues, por kjo përshtatet në mënyrë të përsosur me personalitetin tim. Mua më pëlqejnë sfidat, sepse ato të ndihmojnë të përparosh, të fitosh përvojë dhe të fitosh aftësi të përsosura për zgjidhjen e problemeve, që unë besoj janë një pjesë e madhe e krijimit të filmave,” u shpreh Vilma Zenelaj.

 

 

Aktorët e filmit “Shqipe”

 

Ansambli yjeshumë i aktorëve përfshin protagonisten, që luhet nga e talentuara Greta Zenelaj, karriera e së cilës në filmat e pavarur ka shpërthyer si një aktore e shkëlqyer, shkrimtare mendjeprehtë dhe regjizore e madhe.

 

Të luaja personazhin e një gruaje shqiptare, ‘Helenës’, ka qenë roli im më i preferuar deri tani, sepse mua më pëlqen të luaj role në gjuhën time amtare,” u shpreh aktorja Greta Zenelaj.

 

Roli i antagonistit luhet nga ikona e aktrimit Ndriçim Xhepa, aktori që ka fituar më shumë çmime në Shqipëri, imazhi më i dashur me të cilën është rritur publiku shqiptar, duke parë interpritimin e tij të shkëlqyer të roleve të shumta në teatër dhe film. Një emër tjetër i dëgjuar në kinematografinë shqiptare është e paharrueshmja Zyliha Miloti, një aktore komike plot energji, e cila është personifikimi i argëtimit artistik dhe kulturor në Shqipëri.

 

Gjithashtu aktorët në rolet ndihmëse janë: Agron Dizdai, Graciela Kroni, Seljon Lami, Jozefina Delia, Astrit Fami dhe Luis Bilali.

 

Trupa e aktorëve nuk është finalizuar akoma, derisa të fillojnë xhirimet në Michigan. Akoma pritet të shpallim aktorët amerikanë,” u shpreh drejtuesja dhe regjizorja Vilma Zenelaj. “Ishte një kënaqësi dhe nder kaq i madh të punonim me aktorin e talentuar Ndriçim Xhepa dhe të mahnitshmen Zyliha Miloti në Shkodër.Në Shqipëri, meqenëse industria e filmit nuk është aq mbizotëruese sa televizori, aktorët, në veçanti janë natyralë. Më la shumë përshtypje se sa të pasionuar dhe sa të mirë ishin aktorët amatorë. Vetëm i dhashë nja dy udhëzime dhe shumica e tyre e kanë luajtur rolin në mënyrë të përkryer. Ishte me të vërtetë e mrekullueshme të punoje me talente të tilla. Kësi lloj talentesh nuk mund t’i gjesh dot në Amerikë, sepse në Shqipëri mendoj që aktorët janë të etur të tregojnë talentin e tyre në film” shtoi Vilma.

 

Personazhet kryesore

 

Roli kryesor i “Helenës” do të luhet nga Greta Zenelaj:

 

Greta Zenelaj ka lindur në Tiranë, Shqipëri. Interesi i Gretës në art filloi në një moshë të vogël, ku ajo interpretoi në festivale dhe pjesë teatrale si një vajzë e vogël. Greta studioi në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua në gazetari. Ajo aktualisht jeton në Los Angeles me motrën e saj Vilmën, duke pasur për qëllim që ta ndjekë deri në fund karrierën e saj të aktrimit.

 

Pasi luajti në disa filma me metrazh të shkurtër dhe filma studentësh, Greta vendosi ta zgjerojë punën e saj në fushën e prodhimit të filmit në këtë industri. Ajo dhe motra e saj, Vilma, themeluan kompaninë “Colored Films” (Filmat me Ngjyra), kompania e parë shqiptare e prodhimit të filmave në Hollivud, në vitin 2008-të.

 

Në 2011-ën, Greta fitoi Çmimin e Aktores më të Mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmave të Pavarur dhe Videove në Nju Jork (New York International Independent Film Festival) për rolin e saj në filmin emocionues me titull “Në  pyll” (In The Woods). Greta ishte producentja ekzekutive dhe bashkë-autore e historisë  së  filmit “Në pyll”, i cili u pranua në gjashtë festivale të mëdha filmash dhe fitoi çmimin “Silver Ace Award” (Çmimin e Njëshit të Argjendtë) në festivalin e filmit në Las Vegas dhe “Best Feature” (Filmi më i mirë me Metrazh të gjatë) në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Detroit Windsor (Detroit Windsor International Film Festival). Ajo ishte gjithashtu protagonistja kryesore në filmin “What Do I Do Now?” (Çfarë të bëj tani), film që fitoi çmimin “Komedia më e Mirë” (Best Comedy Award), për të cilin është bashkë-autore dhe producente me motrën e saj, Vilma Zenelaj. (www.coloredfilms.net).

 

 

 

Roli kryesor i “Besimit” do të luhet nga Ndriçim Xhepa:

 

Ndriçim Xhepa është një aktor shqiptar që ka fituar shumë çmime. Pasi përfundoi studimet e aktrimit në Akademinë e Arteve në Shqipëri, në 1979-ën ai u bashkua me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, ku ai la një trashëgimi jetëgjatë të interpretimeve të paharruara në film, teatër dhe televizion.

 

Karriera e tij e shndritur që shtrihet mbi 30 vite në role të shumta i solli çmimin mjaft të merituar “Aktori më i Mirë” në këto filma dhe shfaqje: “Duaje emrin tënd” (1985), “Hije që mbeten pas” (1987), “Flutura në kabinën time” (1989). Çmimin “Aktori i Vitit” në film dhe teatër (1990), “Femando Krafi më ka shkruar këtë letër” (1995), “Dasma e Sakos” (2000), “Kapitulli i dytë” (2004 & 2005), “I dashur armik” (2006), dhe “Për një fjalë goje” (2007) (Intervistuar nga Agron Sejamini, 06.18.2009). Shfaqja e tij për herë të parë në film ishte tek “Këshilltarët”, prodhuar në 1979 dhe me regji të Xhezair Dafës (Intervista nga Petrika Grosi, 06.20.2009).

 

Roli i “Prindërve të Helenës” do të luhet nga Zyliha Miloti dhe Agron Dizdari:

 

Zyliha Miloti është nga qyteti historik i Shkodrës në Shqipëri. Karriera e saj e hershme në fushën e artit filloi si pjesë e trupës së shquar teatrale të teatrit të famshëm “Migjeni” në Shkodër. Roli i saj i parë në aktrim ishte në moshën 14 vjeçare tek “Tepër Sekret”, një shfaqje e drejtuar nga Ndoc Sheldija, prodhuar në Shkollën e Mesme “Jordan Misja”. Karriera e saj në aktrim shtrihet në një periudhë mbi 40 vite, ku ajo është shfaqur në qindra pjesë teatrale, filma dhe shfaqje televizive (Intervista nga Besi Bektashi, 05.04.2009). Ajo ka udhëtuar në turne nëpër botë me “Estradën e Shkodrës”, duke interpretuar për komunitetin shqiptar në Londër, Michigan, Kanada, etj. Zyliha Miloti është nderuar me çmimin “Gratë e vitit 2000-2001” nga Qendra Ndërkombëtare Biografike (International Biographical Center) në Kembrixh, Angli. Ajo është vlerësuar gjithashtu me titullin “Artiste e Merituar” në Shqipëri. Në 2010-ën, ajo është vlerësuar me urdhrin “Mjeshtre e Madhe”, urdhër të cilin ia akordoi Presidenti shqiptar Bamir Topi.

 

Agron Dizdari: Një emër tjetër i dëgjuar në kinematografinë shqiptare është i talentuari Agron Dizdari. Në një karrierë të suksesshme filmash që ka zgjatur mbi 40 vite, Agroni ka luajtur role filmash dhe prodhimesh televizive, të cilët e kanë bërë të famshëm me shfaqet teatrale të teatrit “Migjeni” në Shkodër, Shqipëri. Argëtimi i tij është të peshkojë, gjë që i pëlqen. Ai ka luajtur në “Operacioni Zjarri” 1973, “Një natë pa dritë” 1981, dhe “Gra pa Krahë” në 2002. Ai ka dhënë shfaqe në turne me trupën e famshme të humoristëve “Estrada e Shkodrës”.

 

Roli i “Lolës”, vajzës së Helenës, do të luhet nga Graciela Kroni:

 

Graciela Kroni ka lindur në Greqi dhe u vendos në Shqipëri para 8 muajsh. Familja e saj i ka folur gjithmonë shqip, kështu që ajo ka folur dy gjuhë. “Kur e takuam për herë të parë, në pamje ajo kishte një pafajësi, brishtësi dhe ishte shumë e pëlqyeshme. Pastaj kur u munduam të lexonim rrjeshtat, ajo ishte natyrale. Shumë e lirshme para kamerës dhe shumë e shtruar me njerëz të tjerë që nuk i njeh. Ajo është e mrekullueshme. Nuk mund të kisha kërkuar për një Lolë më të mirë,” u shpreh regjizorja Greta Zenelaj.

 

Roli i “Edmondit” do të luhet nga Seljon Lami:

 

Seljon Lami ka lindur në Shkodër. I pëlqen arti dhe në veçanti aktrimi. “Që i vogël duke pasur një mama pianiste kur dëgjoja mamanë tek i binte pianos më pëlqente shumë që dhe unë të merresha me piano, me këngë me interpretim të pjesëve të ndryshme që na jepnin në shkollë ose të imitoja aktorë të ndryshëm që shikoja në televizor. Në shkollë shpesh mësueset më kanë angazhuar me pjesë teatrale dhe kanë ngelur të kënaqura nga puna ime. Por eksperienca më e mirë dhe më e bukur që s’do më hiqet nga mendja ishte filmi “Eagle” ku falë punës të Vilmës dhe Gretës mendoj se kam dalë mirë. Roli im në kete film , në dukje i vogël është shumë domethënës për vetë kohën që Shqipëria ka kaluar dhe për ato djem që dhanë jetën për lirinë e saj!
Pasionet e mia nuk janë shumë, është vetëm një, që quhet ART! I kam vënë vetes synim që të luftoj për t’u bërë dikushi në kinematografi duke marrë parasysh të gjitha sakrificat që do më duhet të kaloj. Dhe duke marrë shembull nga Vilma dhe Greta, që ishin shembulli më i mirë i sakrificës dhe i punës serioze, unë ndihem më gati për të filluar rrugën e gjatë të artit. Faleminderit Vilma dhe Greta për mundësinë që më dhatë, që ishit shumë njerëzore dhe të kuptueshme,” u shpreh aktori Seljon Lami.

 

Roli i “Eleonorës” do të luhet nga Jozefina Delia

 

Jozefina Delia ka lindur në Shkodër, Shqipëri. Ajo studioi në shkollën e mesme “Jordan Misja” ku Vilma dhe Greta xhiruan skenën në klasë. “Jozefina është një aktore shumë profesionale. Kur u takuam me të, ajo dukej shumë e re dhe ne i shpjeguam se çfarë kërkonim dhe brenda minutash ajo u transformua në një person tjetër. Ajo i lëshoi flokët, mbajti një qëndrim si të një mësueseje dhe i interpretoi rrjeshtat e saj në mënyrë të përsosur.  Na pëlqeu menjëherë. Ishte shumë e lehtë që të punoje me Jozefinën. Edhe pse ishte një xhirim i shkurtër, ne u bëmë shoqe si në ekran ashtu dhe jashtë,” u shpreh regjizorja Greta Zenelaj.

 

Roli i “Mësuesit” do të luhet nga Astrit Fami

 

Astrit Famin na e ka referuar Agron Dizdari, i cili luan babanë e Helenës në filmin “Eagle” (Shqipe). Ata janë të dy pjesë e teatrit “Migjeni”. Astriti ka qenë i përfshirë me trupën që prej më shumë se 25 vitesh. Ai ka veti shumë tërheqëse, është shumë i përpiktë dhe i zellshëm për të provuar gjëra të reja. Ne jemi të gëzuara që ai është pjesë e filmit tonë,” u shpreh Greta Zenelaj.

 

 

 

Xhirimi i filmit “Shqipe”: Intervistë me aktoren dhe producenten e suksesshme të Hollivudit, Greta Zenelaj

Intervistoi Ermira Babamusta në Nju Jork

 

 

Si një aktore, regjizore e suksesshme dhe themeluese e një kompanie filmike, çfarë  domethënie kanë çmimet për kompaninë “Colored Films”?

Greta Zenelaj: Çmimet kanë një domethënie që është një vlerësim i madh për ne dhe për këdo që ka punuar dhe ndihmuar në realizimin e këtyre filmave. Është një vlerësim për punën dhe përkushtimin e palodhur të çdokujt që ishte i përfshirë në projektet tona.

 

Çfarë ju pëlqen më shumë nga puna që bëni?

Greta Zenelaj: Më pëlqen ana e krijimtarisë së zhvillimit të një filmi. Por ka shumë gjëra që janë të përfshira. Ana e krijimtarisë fillon me një skenar të mirë, linjë të mirë histori dhe personazhe interesantë. Dhe pikërisht ky skenar që kam punuar në filmin “Eagle” (Shqipe) është i bazuar në ngjarje të vërteta dhe prandaj është kaq i pasur.

Më pëlqen të kaloj kohë në krijimin e personazheve të mia. Duke shfletuar skenarin dhe duke e lexuar faqe për faqe, unë mësoj diçka të re për personazhin që luaj dhe mundohem që këtë personazh ta bëj real. Pastaj të punosh për gardërobën dhe makiazhin me njerëz të talentuar, kjo e bën procesin e krijimit të personazhit më argëtues.

Një gjë tjetër që më pëlqen është të punoj me aktorë të tjerë. Dhe kam qenë e privilegjuar të punoj me disa aktorë shumë të talentuar.

 

Si ju duk që ishit njëkohësisht producente dhe aktore në filmin “Shqipe?”

Greta Zenelaj: Ky është një projekt që e kam për zemër. Kështu që isha shumë e emocionuar të bëja punën e producentes, të shprehja mendimin tim dhe të merrja vendime në të njëjtën kohë. Unë u mundova të takohem me të gjithë që punuan në projektin tonë dhe u munduam që të punonim si një ekip. Motoja jonë është se kur xhirojmë, ne jemi si një familje, kështu që ne mundohemi të kujdesemi për gjithkënd. Në këtë mënyrë ne bëjmë ç’është e mundur dhe kjo gjë shfaqet këtu. Mua më ka pëlqyer veçanërisht xhirimi i filmit “Eagle” në Shqipëri. Që të gjithë punuan shumë dhe kemi gjetur një mbështetje mjaft të madhe. Ishte një nder të punoja me aktorët e talentuar Ndriçim Xhepa dhe Zyliha Miloti.

 

Cili ka qenë personazhi juaj më i preferuar që keni luajtur në karrierën tuaj të aktrimit dhe përse?

Greta Zenelaj: Është e vështirë të kesh një më të preferuar, sepse mua më pëlqen që të investoj plotësisht në personazhet e mia dhe duhet të biesh në dashuri me to, në mënyrë që të bësh një punë të mirë. Por tani unë po punoj me personazhin e Helenës, roli kryesor në filmin “Eagle” (Shqipe), kështu që ma merr mendja që ajo është më e preferuara tani për tani. Një arsye tjetër që më pëlqen Helena është se ajo është një grua shqiptare dhe mua më pëlqen të luaj në gjuhën time amtare.

Cilat janë pikat tuaja të forta si një aktore?

Greta Zenelaj: Unë jam një person që i marr gjërat shumë shtruar dhe më pëlqen t’i gëzoj njerëzit, kështu që punoj akoma më tepër. Më pëlqen gjithashtu të luaj personazhe të shumëanshme që nga ata dramatikë, qesharakë dhe ata mendjemprehtë. Pasioni dhe këmbëngulja ime padyshim që kanë vlejtur në krijimin e shumë përvojave të paharrueshme në karrierën time të aktrimit.

Cilat janë rolet që preferoni të luani?

Greta Zenelaj: Mendoj që rolet dramatike janë të lehta për mua, por më pëlqen shumë dhe komedia.

 

Greta, si një person i dëgjuar, si e përballoni famën?

Greta Zenelaj: Faleminderit, pa ma bëni qejfin. Unë nuk e konsideroj veten njeri të famshëm. Mundohem të qëndroj e thjeshtë. Mua akoma më pëlqen jeta si Greta, edhe nëse kjo do të thotë që të jem e zënë si aktore, shkrimtare, drejtuese apo promovuese e industrisë së artit. Më pëlqen të jap 100% në atë që bëj, dhe në të njëjtën kohë jam mirënjohëse për gjërat e vogla në jetë.

Cila është ajo gjë që dëshironi të realizoni këtë vit?

Greta Zenelaj: Përfundimisht, këtë vit dëshiroj të mbaroj xhirimin e filmit “Shqipe”.

 

Shkruan: Ermira Babamusta, Ph.D., New York

Përktheu nga anglishta, Edlira Babamusta

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu